Forcat e RENEA-s bëjnë transportin e dosjeve të “Peshqve të Mëdhenj” drejt zyrave të SPAK-ut

0

Krishtlindjet e sivjetme mund të cilësohen me të vërtetë shpresëdhënëse për të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët kanë kërkuar dhe kërkojnë drejtësi në këtë vend.

Si për të “bekuar” udhëtimin e tyre drejt hetimit dhe gjykimit në këtë ditë të shenjtë, sot dosjet e rënda të “peshqve të mëdhenj” të politikës dhe krimit kanë kaluar në zyrat e SPAK.

Teksa tre ditë më parë janë përzgjedhur dosjet që do të jenë prioritare për hetimin që tani, si dhe janë “marketuar” për secilin Prokuror të Posaçëm, tashmë ky kontigjent dosjesh ka mbërritur pikërisht ditën e Krishtlindjeve në zyrat e SPAK.

Institucioni më i lartë i hetimit ka kërkuar ndihmën dhe asistencën e forcave speciale RENEA për të realizuar transportimin e dosjeve, sipas ndarjes për prokurorët speciale por dhe në rrethe.

Ndonëse për momentin nuk kishin për të lëvizur shumë, të “djegur” nga sulmi që i është bërë postës në Durrës kohë më parë, Prokurorët Specialë kanë kërkuar që gjithçka të jetë nën asistencën e fortë dhe të mbrojtur nga RENEA, për çdo ndërhyrje nga jashtë.

Ndërkohë që Forcat Speciale kanë shoqëruar dhe dosjet e tjera, më pak të rëndësishme dhe që s’do jenë në “radarin” e SPAK, nga godina e ish-Krimeve të Rënda drejt prokurorive në rrethe.

Kështu disa nga efektivët e RENEA-s po shoqërojnë me makina të blinduara dosjet e fashikujt, të cilat po dorëzohen në prokuroritë e Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës, që janë prokuroritë që kanë edhe fluksin më të madh.

Praktikisht SPAK ka mbajtur rreth 160 procedime penale, dosje të rënda këto, ndërkohë që të gjitha çështjet e vrasjeve në familje, gjobëvëniet dhe kultivimi i drogës, po përcillen në rrethe.

Ish-prokurorët e Krimeve të Rënda kanë dorëzuar ditë pas dite në protokoll çështjet me moskompetencë hetimi në SPAK, dhe pikërisht këto dosje po lëvizin drejt prokurorive të rretheve. Për shkak të fluksit të madh, po ndihmojnë vullnetarisht dhe sekretaret e Prokurorisë së Tiranës.

Gati 500 hetime pasurore duhet të përcillen në prokuroritë e rretheve, ndërkohë që me makina të blinduara dhe forca speciale do të shoqërohen vetëm fashikujt që kanë volum dhe përgjime apo veprime hetimore në zhvillim. Ndërkohë që disa dosje të tjera do të përcillen dhe me postën sekrete, pavarësisht se nuk bëhet e ditur se nga cili kontigjent krimi janë ato.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu