21.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj 2024
BallinaAktualitetBabëzi, nepotizëm e pak erotikë në Doganën e Gazhelit

Babëzi, nepotizëm e pak erotikë në Doganën e Gazhelit

Date:

Related stories

spot_img

Doganat janë quajtur gjithmonë një vend pëllumbash, jo për punë të rehatshme ama, por për para të rehatshme. Ska ndonjë indeks për përfitim për orë pune që mund të konkurojë me sasinë e parave që qarkullojnë e ngecin nëpër sirtarë a konto bankare krahasuar me ato që shpërndahen në favor të drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Nuk ka gjë më të thjeshtë se sa bësh lekë me procedura me vulë shtetërore, që sado më të sofistikuara sesa ngritja harbute e traut të doganës pa i regjistruar si dikur, në thelb mbeten po aq efikase në përfitim në dëm të arkës së shtetit.

Për këto skema përfitimi dhe mjeshtërit artistë, që janë dhe arkitektët e mënyrës se si shpërndahen paratë e përfituara nga evazioni procedurial, do të flasim me nge dhe gjerësisht, por fillimisht le ta nisim me ata që drejtojnë Doganën, ose Kupolën e skemave aktuale shumëmilionëshe. Duke nisur nga kjo arradhë drejtoreshash e drejtorucësh, që kanë në majë të piramidës Gent Gazhelin, është më e lehtë të nxjerrësh konkluzion se çmund të bëhet në një institucion ku janë kokolepsur në interesa, dashnore e të afërm ministrash, të dënuar për korrupsion me lëpirës e dallkaukë.

Ardhja e Gent Gazhelit në krye të Doganave nuk parashihte ndonjë ndryshim rrënjësor të funksionimit të institucionit që ka në dispozicion traun e doganës nga kalojnë mallra gjithshfarësh, nga të rregulltat e deri me mbushje bananesh. Dhe ai nuk zhgënjeu në këtë rast. Skemat e përfitimit mbetën të njëjta dhe Gazheli mund të quhet drejtor i statusquos. As prishi interesa të vendosura prej kohësh dhe as bllokoi linja që ishin si lidhje të paligjshme e që funksinonin për hesap të ish pushtetarëve të vjetër. I miri dhe i buti Gazheli, që ska prishur qejf me njeri për sa kohë është në ngritje karriere, as pati ndërmend të djegë duart e veta për të prerë këto linja interesash, duke menduar se në kohë të tjera të paparashikuara e me këmbim pushtetesh, urtësia e tij dhe mbyllja e syve mund të vlerësohej. Por në këtë tollovi interesash që kërkojnë të jesh ekuilibrist i mirë, drejtori i ri nuk kish si të mos shtonte dhe interesat e tij, tarafin e vet dhe linjën e vet për të arritur normën e fitimit. Dhe këtu hyjnë në lojë si prurje të reja dhe sensuale ashtu dhe lojtarë të vjetër e të sprovuar që dinë ti shërbejnë shefit të ri.  Por dhe shefi di ti mbrojë, duke shkelur madje dhe ligjin, për ti mbajtur në poste të rëndësishme apo për ti promovuar në pozicione kyçe në administratë.

Rastet se si mund të shtrembërohet ligji e të bëhet kular janë të shumta, por le ta fillojmë me Monika Dushkun. Kjo zonjë ka dalë në pension që në 28.10.2022 pasi kish patur pozicionin e Zëvendës drejtores Administrative. Por megjithëse e dalë në pension, DAP (po ai DAP që e ka nxjerrë në pension muaj më parë), e ka emëruar si drejtoreshë e Auditit të brendshëm të Doganave. Ose duhet të jetë ndonjë rast i rrallë vlerësimi që ta rimarrësh në punë nga pensioni, thua se nuk ka specialistë të fushës, ose fakti që znj. Dushku është njeriu i ministres Olta Xhaçka, është arësyeja që DAP shkel ligjin në shkëmbim të favorit të kërkuar nga drejtori Gazheli.

Ka dhe më. Eranda Çuçi, kunata e Ilir Beqajt, është një drejtoreshë që ka tre vjet e deleguar. Ky rast përbën një paradoks të vërtetë. Të jesh tre vjet drejtoreshë e deleguar tek  Drejtoria e  Vlerësimit Qëndror, aty ku xhirohen paratë e pista është një rekord më vete. Ky është rasti i vetëm në Dogana që posti delegohet me arësyen që të mos deklarohet në ILDKP. Nuk dihet se si mund të justifikohet ky rast, por gjithkush do ta kish të vështirë të japë një arësye bindëse.

Shkojmë më tej me një tjetër beniamin të prurjeve të reja të drejtorit Gazheli. Jonad Çela, dikur i larguar nga Tatimet për korrupsion, shfaqet në korridoret e Doganave fillimisht si shef i Kabinetit i drejtorit të përgjithshëm. I njohur si sekseri i Gazhelit dhe punë mbaruar për të, duket se i pëlqen puna në terren. Dhe kështu, pa asnjë eksperiencë profesionale në këtë drejtim emërohet fillimisht si përgjegjës turni në Doganën e Tiranës. Dikur bëri bujë një sherr i tij me Alban Dushkun, përgjegjës i sektorit për Antikontrabandën Tokësore për punën e një kamioni me veshje firmato. Por Gazheli nuk e hodhi poshtë por mbajti anën e tij. Tashmë, me këto referenca të mira si punëmbaruar e ndërmjetës i zoti, lançohet për konkurs me kategorinë B, si drejtor i Aposteriorit.

E njëjti gradim bëhet dhe për një tjetër beniamin të drejtorit Gazheli. Për Klodian Çanin, një tjetër prurje e tij, aktualisht përgjegjës sektori për informacionin, që duket se ka të sigurt konkursin për kategorinë B, për të qenë fitues për Drejtor të Informacionit në Doganë. Ndonëse quhet prurje e re, gjithkush që është veteran në Doganë, e mban mend mirë se Klodian Çani është arrestuar për korrupsion para 10 vitesh në Doganën e Kakavijës. Prurje e re me mëkate të vjetra.

Por qershia mbi tortë, pasi dhe vetë drejtori e trajton si qershi të shijshme, është rasti i i Albina Pajenka. Ajo është propozuar për konkursin kategoria B dhe më pas për Drejtoreshë e Analizës së Rriskut. E veçanta dhe që e bën të sigurt triumfin në konkurs, është fakti se Albina është e vetme në listën e konkuruesve. Paç fat Albina.

Ka dhe me shumë. Ka aq shumë madje sa lista bëhet e gjatë sa sdi nga ta kapësh e sdi as nga ta lëshosh. Shumë ndërthurje, shumë interesa, shumë linja dhe shumë emra. Gjithësesi edhe shumë kontrabandë e shumë para që përfitohen nga një grup që vepron në bashkëpunim. Sigurisht, nën drejtimin efikas të Gent Gazhelit.

Cikli i shkrimeve mund të vijojë gjatë, si me emra personazhesh që interferojnë çuditshëm në përditshërinë e e punës në Doganë e deri tek takimet e drekat e përdyjavshme të Gazhelit me ish ministrin Ahmetaj. Dreka që vijojnë ende dhe në këto ditë të vështira për Ahmetajn, ku shishet e verës nga 2000 euro në vilën në Lezhë, duket se zbusin jo vetëm hallet me SPAK por dhe shprehin garancitë se aferat dhe punët vijojnë fjollë si edhe më parë. Nga se është i kapur Gazheli prej Ahmetajt për tu bërë urë e tij dhe kur shumë nga ish kolegët i kanë bërë dalje ish zv/kryeministrit, kjo është një çështje që do më shumë kohë dhe shumë faqe gazete. Në kënetën si është katandisur Dogana, peshku krap që po majmet në ato ujëra, është bërë aq përtac e i babëzitur sa bie shumë kollaj në grepin e investigimit. Troja News

Balkans News
Balkans Newshttp://balkansnews.net
Editor - Balkan's News gëzon statusin e një Agjencie të Pavarur dhe të lirë Mediatike. Ka reporterët e vet në Shqipëri, New York, Londër, Paris, Romë, Bruksel, Kopenhagë.

Shqipëria Etnike

Gazeta e pavarur Shqiperia-etnike.com nisi botimin e saj në print dhe online me 5 qershor 2001.

Shkrimet e fundit

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu