Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka paralajmëruar se kompanitë e transportit detar mund të përballen me sanksione nëse paguajnë tarifa për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas njoftimit të publikuar nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC), këto pagesa konsiderohen si angazhim në transaksione me regjimin iranian dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, të cilat janë subjekt i sanksioneve amerikane. Autoritetet theksojnë se edhe vetë kalimi përmes kësaj rruge ujore, nëse shoqërohet me pagesa apo garanci sigurie, mund të ekspozojë kompanitë dhe individët ndaj masave ndëshkuese.
“OFAC po lëshon këtë alarm për të paralajmëruar personat amerikanë dhe jo-amerikanë rreth rreziqeve të sanksioneve për kryerjen e këtyre pagesave ndaj regjimit iranian, ose kërkimin e garancive nga ai, për kalim të sigurt”, thuhet në deklaratë. “Këto rreziqe ekzistojnë pavarësisht nga metoda e pagesës.”
Sipas të dhënave të Lloyd’s List Intelligence, përpara përshkallëzimit të konfliktit me Iranin në fund të shkurtit, rreth 3 mijë anije kalonin çdo muaj nëpër Ngushticën e Hormuzit. Trafiku ka rënë ndjeshëm më pas, me vetëm 154 anije të regjistruara gjatë muajit mars, sipas të dhënave të Kpler.



