A u dorëzuan flamingot përballë PD-së?

0

Shkruan Zef Ndreka

PD-ja ka rrezikuar shumë duke marrë përsipër një revoltë që nuk arrin dot ta shndërrojë në shumicë politike. Ditët e fundit ka patur rënie të pjesëmarrjes në disa tubime, përfshirje gjithnjë më të dukshme të PD-së dhe një distancë e deklaruar të flamingove nga partitë.
Shtrojmë pyetjet:
A u dorëzuan flamingot përballë PD-së?
A po shuhen protestat qytetare?
Apo, pas gjithë zjarrit, molotovëve, përplasjeve dhe sjelljes revolucionare, Sali Berishës i ka mbetur në dorë dopjo gjashta?
Ti analizojmë.
“Revolucioni i Flamingove” nisi si një revoltë që pretendonte të qëndronte jashtë partive. Madje, një nga parullat që e dalloi ishte pikërisht ajo që godiste të dy polet e politikës së vjetër: “Rama në burg – Berisha në burg”.
Por diçka ndryshoi rrugës.
Protesta qytetare u përzie me protestën studentore, protesta studentore me atë politike dhe dalëngadalë, PD-ja hyri gjithnjë e më hapur në skenë. Sot vetë Sali Berisha fton strukturat e Partisë Demokratike në “protestë kombëtare” në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve.
Këtu është paradoksi.
Nqs PD-ja e mori protestën për ta fuqizuar atë, pse pjesëmarrja nuk po rritet?
Nqs qytetarët prisnin vetëm një organizator politik, pse sheshet nuk po mbushen?
Nqs flamingot ishin vërtet një lëvizje e pavarur qytetare, çfarë ndodhi me ta sapo në skenë hyri fuqishëm partia demokratike dhe disa satelitë të saj?
Ndoshta këtu gjendet edhe problemi themelor.
Protesta qytetare mund të mbështetet nga një e më shumë parti politike, por në momentin që identifikohet me të, humbet një pjesë të qytetarëve që nuk duan të jenë pjesë e asaj apo atyre partive.
PD-ja mund të ketë fituar kontrollin politik të një pjese të protestës, por kjo nuk do të thotë se pa tjetër ka fituar qytetarët që e nisën atë.
Madje mund të ketë ndodhur e kundërta.
Qytetarët që kërkonin ndryshim pa Ramën dhe pa Berishën mund të jenë tërhequr. Flamingot mund të jenë lodhur. Studentët mund të mos duan të shndërrohen në dekor të opozitës. Ndërsa militantët partiakë, sado të vendosur, nuk mund ta zëvendësojnë dot një lëvizje të gjerë shoqërore.
Kështu shpjegohet edhe pamja paradoksale e këtyre ditëve, me shumë zhurmë politike, me shumë deklarata, me shumë thirrje për “revoltë”, por pa një masë qytetare që zgjerohet në të njëjtën përmasë.
Ndërkohë, dhuna e 24 tetorit ndryshoi edhe perceptimin publik të protestës. Molotovët, zjarret, gurët, fishekzjarrët dhe përplasjet me policinë e zhvendosën problemin nga kërkesat e qytetarëve tek dhuna në rrugë.
Ky është ndoshta dëmi më i madh që mund ti bëhet çdo proteste qytetare, sepse kur digjet qyteti, nuk diskutohet më pse protestojnë qytetarët, por diskutohet kush e dogji qytetin.
Po Berisha?
Berisha ndodhet përballë një prove që nuk zgjidhet me sjelljet që bën.
Ai mund të shpallë protesta kombëtare, mund të mobilizojë strukturat e PD-së dhe mund ta paraqesë revoltën studentore si aleate të opozitës. Por, a arrin ai ta kthejë pakënaqësinë e madhe ndaj qeverisë në mbështetje të madhe për opozitën?
Sidoqoftë, kemi një fenomen politik shumë interesant, ku mund të ketë pakënaqësi të madhe ndaj qeverisë dhe njëkohësisht mosbesim të madh ndaj opozitës tradicionale.
Pikërisht këtu është kurthi i Berishës.
Duke tentuar të marrë drejtimin e revoltës, ai mund të ketë larguar prej saj pikërisht njerëzit që protestonin edhe kundër tij.
Ndaj Shtrojmë pyetjet:
A u dorëzuan flamingot përballë PD-së?
A i mori PD-ja flamingot, apo hyrja e PD-së i shpërndau flamingot?
Këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Nqs protestat qytetare veniten, ndërsa protestat partiake nuk arrijnë të krijojnë masë kritike, atëherë pas gjithë kësaj përplasjeje politike mund të kemi një rezultat krejt të papritur, me Ramën përballë një pakënaqësie të madhe qytetare, por qytetarët mbeten pa një alternativë bindëse politike.
Ndërsa Berisha, pasi kërkoi të merrte në dorë revoltën, mund të zbulojë se në fund të lojës i ka mbetur vetëm dopjo gjashta në dorë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu