Shkruan Zef Ndreka
Kështu mund ta quajmë me plot të drejtë aktivitetin e mbrëmshëm në Pallatin e Kulturës në Lezhë, i cili pa dyshim ishte një ngjarje kulturore që i dha kuptim jetës publike qytetit.
Sallë e mbushur me publik, një organizim dinjitoz dhe një interes i madh për letërsinë, gjë që nuk është gjithnjë e zakonshme sot për spektakle të tilla.
Mbrëmja që iu kushtua krijimtarisë së poetit dhe shkrimtarit Preç Zogaj ishte dëshmia më e qartë se letërsia e mirë vazhdon të mbledhë njerëz rreth fjalës artistike. Zgjedhja e Lezhës, vendlindjes së autorit, i dha aktivitetit një simbolikë të veçantë, duke lidhur krijuesin me rrënjët e tij dhe me publikun që e ka ndjekur ndër vite.
Interpretimet artistike nga aktoret Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Elia Zaharia dhe Frederik Ndoci i dhanë poezisë emocion dhe jetë skenike, ndërsa pjesëmarrja e gjerë e publikut tregoi një gjë shumë të rëndësishme, se kultura mbetet vlerë e çmuar për qytetin e Lezhës. Mbrëmja poetike ishte festë kulturore, ishte një festë e fjalës, kujtesës dhe identitetit kulturor shqiptar.
Në një plan më të gjerë, aktivitete të tilla me përkujdesjen e Kryetarit të Bashkisë Lezhë z. Pjerin Ndreu, tregojnë se Lezha nuk është vetëm qytet historie, por edhe qytet që prodhon dhe promovon kulturë bashkëkohore.
Salla e mbushur për poezinë është shenja më e mirë për jetën kulturore të vendit.



