Prej ditës së enjte (më 4 Mars 2026) nuk është ndalur rritja e çmimit të naftës në tregun vendas të shitjeve me pakicë, për shkak të ndryshimeve të shpejtë që po pëson çmimi në bursat e huaja.
Pas nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës në tregun e pakicës kanë ndryshuar 3 herë, duke arritur sot për disa pika në Tiranë në nivelin e 189 lekë për litër. Krahasuar me çmimin para nisjes së sulmeve, nafta deri tani është rritur 14 lekë për litër.
Rritje për disa pika pakice është shënuar edhe për çmimin e benzinës. Në një nga pikat e kompanisë “Coral” pranë “Casa Italia”, çmimi i benzinës ka arritur 186 lekë për litër. Ndërsa nafta është tregtuar me 181 lekë për litër. Çmimet e kompanisë “Gega” në një pikat e saj pranë Tregut Ushqimor tregojnë se çmimi i naftës është 182 lekë për litër dhe ka mbetur i pandryshuar nga çmimi i ditës së premte, 6 mars.
Çmimet rezultojnë të pandryshuara edhe përgjatë autostradës. Në një nga pikat e kompanisë “Kastrati” në Vorë çmimi i naftës është 182 lekë për litër. Kompania “Alpet” në një nga pikat e saj pranë rrugës dytësore të autostradës rezulton me çmim të pandryshuar prej 182 lekë për litër.
Rritja e çmimit të naftës në tregun e pakicës nisi prej 4 marsit, me 4 lekë për litër. Nga 175 lekë çmimi arriti në 179 lekë për litër. Çmimi prej 175 lekë për litër kishte mbetur i pandryshuar prej muajit tetor 2024. Me tej më 6 mars çmimi u rrit sërish me 3 lekë duke arritur në 182 lekë për litër.
Rritja e sotme e çmimeve në tregun e pakicës vjen menjëherë pas ndryshimeve që në mbrëmjen e djeshme pësoi çmimi i naftës në bursat e huaja duke arritur në nivelin e 100 USD për fuçi. Ndërsa mëngjesin e sotëm çmimi arriti në 103 USD për fuçi. Para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, nafta në bursë tregtohej me çmim 65 USD për fuçi./MONITOR








