Shkruan Matilda Kurti
Kur Partia Socialiste hyri në mandatin e saj të dytë në vitin 2017, shumë socialistë besuan se më në fund “timoni” do të kthehej tek ata. Pa LSI-në në qeveri, pa aleatë pengues. Por në fakt, mandati i dytë nuk solli thjesht një qeveri të vetme. Solli një arkitekturë të re pushteti: një qeverisje e centralizuar, e mbështetur mbi marrëveshje të heshtura me të djathtën dhe mbi ngritjen e një oligopoli që kontrollonte tregun, administratën dhe institucionet.
1. “Bashkëqeverisja” – slogani që fshehu marrëveshjet e padukshme Slogani i ri ishte i thjeshtë: “bashkëqeverisje me popullin”. Por pyetja që askush nuk artikuloi me zë ishte: me kë?
Nga e djathta dolën emra të njohur, të përfshirë në poste të larta, të emëruar përmes kanaleve të dakorduara, por jo të deklaruara kurrë publikisht. Këto nuk ishin marrëveshje të firmosura në kamera. Ishin marrëveshje që ndanin institucionet, territoret dhe qendrat e ndikimit, të cilat i dhanë mandatin e dytë një stabilitet numerik, por e zhveshën nga transparenca.
2. Iluzioni socialist i militantëve: Për herë të parë pas shumë vitesh, militantët e PS pritën një shpërblim real për sakrificat e tyre. Ata punuan fort në fushatë me bindjen se timoni do të ishte i PS-së dhe i kryeministrit, pa ndërhyrjet e LSI-së. Por realiteti i paszgjedhjeve ishte krejt tjetër: presione, largime nga puna, centralizim ekstrem i çdo vendimi, dhe ekspozim publik i emërimeve të majta “me konkurs”, ndërsa të djathtët hynin në institucione me lista partie. Sistemi ishte i qartë: administratorët socialistë duhej të kontrolloheshin, ndërsa administratorët e djathtë duhej të garantoheshin. Sepse garancia e tyre ishte garancia e pushtetit qendror.
3. Inflacioni i emërimeve: Kur pazari zëvendësoi meritën. Në të gjithë vendin nisi të lulëzonte fenomeni që e përshkruan më mirë se çdo term akademik një qytetar i thjeshtë:
“Tregu i punësimit”. Çmimet e emërimeve u rritën nga viti në vit. As arsimi i lartë, as eksperienca, as integriteti nuk kishin më vlerë. Ajo që vlente ishte: kë paguaje, kë njihje, kë sillje si garant. U krijua një spirale ku njerëzit blinin diploma të gjimnazit e universiteteve, e më pas emëroheshin drejtues institucionesh. U emëruan drejtues me probleme serioze, persona pa formim profesional, e madje edhe individë nën hetim. Kjo ishte përmbysja e kujdesshme e një administrate që Shqipëria ishte përpjekur të ndërtonte që prej viteve ’45.
4. Shqipëria 1 euro – faza e re e oligarkisë. Në mandatin e dytë nisi hapur faza e dytë e projektit ekonomik: krijimi i një oligopoli të mirëfilltë ekonomik. Nën petkun e politikave zhvillimore, shumë asete publike kaluan për 1 euro, shumë projekte strategjike u dhanë pa konkurrencë reale, dhe shumë kontrata u dizajnuan për të garantuar fitime të garantuara për pak duar. Kjo krijoi:
një grup oligarkësh të rinj, të lidhur ngushtë me qeverinë; një ekonomi të mbyllur, me konkurrencë të kufizuar; një hapësirë ku media, ndërtimi, energjia dhe shërbimet publike u kthyen në “zona të garantuara” për pak aktorë. Oligarkia nuk ishte më pasojë e sistemit.
Ajo u bë një nga shtyllat e sistemit. Kishin filluar të hidheshin themelet. “Klasë e pasur”. Gjithë vëmendja ishte përqëndruar se si dhe në çdo mundësi të fuqizohej dhe të diferencohej elita e Ologarkisë. Njerëzit po fillonin të ndiheshin mjeranë. Filluan të humbnin shpresën dhe besimin. Ata shihnin mensy se duhet të ishe hadut, kriminel, gjobëvënës, që të mbijetoje. Por shumica e i telektualëve smund të bënin dot këtë. As të kërkonin rryshfet as të jepnin se skishin çtë jepnin dhe ju drejtuan emigrimit. Shpresa e tyre u bë dëshira për të ikur një minutë e më parë.
5. Nga pluralizmi në oligopol pushteti
Marrëdhënia PS–PD në mandatin e dytë nuk ishte as luftë, as koalicion formal. Ishte ndërvarësi e heshtur, e cila prodhoi atë që në ekonomi quhet oligopol: pak lojtarë që kontrollojnë tregun.
Në politikë, ky oligopol: neutralizoi opozitën, shkatërroi balancat, minimizoi konkurrencën reale, dhe e ktheu qeverisjen në një makineri të vetme që nuk ndahej më, por vetëm përthithej.
Si përfundim, timoni mban vetëm një drejtim. Mandati i dytë i PS nuk është thjesht histori politike.
Është historia se si një sistem i tërë u riformatua. Timoni që ju premtua “qytetarëve” por u kthye në simbol të centralizimit absolut. Administrata u kthye në treg. Oligarkët u kthyen në garantë. Marrëveshjet e padukshme zëvendësuan pluralizmin. Dhe shpresa e shumë socialistëve u përplas me murin e një realiteti që nuk mund të fshihet me slogane. Sepse kur pushteti përqendrohet kaq shumë — nuk ka më timon.
Ka vetëm drejtim të detyruar.








