Shkruan Zef Ndreka
Balluku e humbi rastin të japë dorëheqje por ka zgjedhur të mbrohet tashmë me mandatin e të zgjedhurës si deputete.
Po Rama, përse nuk e shkarkon, pavarësisht akuzave?!
A po e humbet edhe ai këtë rast, dhe çfarë pasojash mund të ketë nëse vepron?
Këto pyetje janë të arsyeshme dhe nuk ka për to një përgjigje të thjeshtë, sepse skena politike në Shqipëri është mjaft komplekse.
Kryeministri Rama po ngurron dhe nuk po e shkarkon Ballukun, jo sepse kanë filluar akuzat për “bashkëpunim në korrupsion”!
Kryeministri Rama po nguron jo se mund të jetë “peng” nga Balluku, në kuptimin që ai nuk ka lirinë politike për ta hequr nga posti, apo sepse ajo di “shumë” dhe mund të ekspozojë gjithashtu aktorë të tjerë!
Kryeministri Rama po nguron jo për mungesë të vullnetit politik ose të ndonjë “marrëveshje organike”, siç rëndom po artikulohet!
Kryeministri Rama po ngurron jo se nuk është i gatshëm ta kuptoje si një humbje kontrolli apo si një hap që i dëmton interesat e tij strategjike, por për ta përdorur këtë situatë pa bërë nxitim me shkarkimin, për të parë si do të ecë procesi hetimor nga SPAK dhe gjykata, si dhe çfarë dëmi politik mund të ketë.
Duke mos e larguar menjëherë Ballukun, kryeministri Rama po ruan imazhin se “po pret drejtësinë të flasë” dhe të argumentojë se nuk po ndërhyn në procesin gjyqësor.
Kjo do ti japë kohë kryrministrit për të negociuar brenda partisë, brenda qeverisë, ose me aktorë të tjerë politikë.
Në këto kushte, lind pyetja:
A ekziston rreziku i destabilizimit qeverisës?
Sepse Balluku është jo vetëm ministre, por edhe zëvendëskryeministre, ndonëse e pezulluar nga gjykata.
Një largim i menjëhershëm mund të krijojë trazira brenda qeverisë socialiste, ose të dëmtojë kohezionin e mazhorancës.
Nëse Rama do e shkarkonte menjëherë Ballukun, duhej të gjente një zëvendësues që ka peshë politike, eksperiencë, mbështetje dhe një që të jetë “i gatshëm” në këtë pozicion nën presionin e hetimit. Kjo mund të mos jetë kaq e lehtë.
Nqs Balluku jep dorëheqje, Rama mund të thuhet se ishte “i detyruar” nga opinioni publik dhe hetimi. Por nëse ai e shkarkon atë aktivisht, mund të krijojë dyshime, si psh pse ka nevojë ta largojë?
Nga ana tjetër, me pezullimin nga gjykata, kryeministri Rama mund të argumentojë se institucioni gjyqësor po vepron dhe ai nuk duhet të ndërhyjë, duke e përdorur këtë si justifikim institucional.
Gjithsesi, ende nuk ka një konfirmim publik bindës se kryeministri Rama ka urdhëruar mos largimin e Ballukut, pavarësisht se shumica e opinioneve janë bazuar tek akuzat e opozitës, sidomos të PD-së dhe hipotezat e saj që ata janë “bashkë në korrupsion”, duke u bërë retorikë e opozitës.
Kryeministri Rama po nguron sepse po përdorë strategji politike për të fituar kohë, për të ruajtur kontrollin dhe për të minimizuar rrezikun reputacional, duke u bazuar te proceset gjyqësore që tashmë janë nisur.








