Kur do të zgjidhet problemi i pronave?

0

Shkruan Zef Ndreka

Vetëm kur prona të kthehet nga burim konflikti në themel të zhvillimit.
Kjo pyetje prek një nga themelët më delikatë të shtetit ligjor në Shqipëri, të drejtën e pronësisë. Pikërisht kjo çështje edhe sot, mund të konsiderohet një nga pengesat kryesore që dutet kapërcyer në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Si është gjendja aktuale e pronave në Shqipëri?
Kemi mungesë të hartës së unifikuar kadastrale ku aktualisht ekzistojnë mbivendosje dhe mospërputhje midis të dhënave të hipotekës, kartës së pasurive dhe planeve të urbanistikës lokale.
Procesi i legalizimeve dhe kthimit e kompensimit të pronave është ende i pa mbyllur, megjithë ligjin e ri të vitit 2020 dhe ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Kufijtë e pronave bujqësore, kullotave dhe pyjeve shpesh nuk janë përcaktuar me saktësi, duke sjellë konflikte ndërmjet komuniteteve dhe bashkive.
Ka mijëra vendime gjyqësore të pazbatuara për kthimin e pronës apo për kompensim, që përbëjnë edhe shkelje të të drejtave të njeriut sipas standardeve të Strasburgut, pra të Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Cila është baza ligjore ekzistuese?
* Ligji nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, që synon të unifikojë trajtimin e pronës bujqësore, asaj të trashëguar, si dhe legalizimet.
* Kodi Civil, i cili përcakton të drejtat mbi pasuritë e paluajtshme.
* Ligji për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe ligji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, që lidhen ngushtë me funksionimin e kadastrës digjitale.
Megjithatë, baza ligjore nuk është plotësisht e harmonizuar me legjislacionin e BE-së, sidomos në fushën e të drejtës së pronësisë private, transparencës dhe aksesit në të dhëna publike, administrimit të tokës pyjore dhe kullotave ende me menaxhim të fragmentuar mes bashkive dhe shtetit.
Çfarë duhet bërë për një zgjidhje përfundimtare?
– Digjitalizimi i plotë i hartave të pronësisë, përmes një sistemi kombëtar unik, që unifikon të gjitha të dhënat nga hipoteka, bashkitë, ALUIZNI, pyjet e agjencitë bujqësore.
– Rishikim i legjislacionit për ta përshtatur me standardet e BE-së dhe për të shmangur ligje “kalimtare” që zgjatin pafund procesin.
– Zbatim efektiv i vendimeve gjyqësore të Strasburgut për pronat, një nga kërkesat më të forta të Komisionit Europian.
– Zhvillimi i një regjistri transparent pronësie online, i aksesueshëm nga qytetarët dhe bizneset.
– Forcimi i kapaciteteve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke e ndarë qartë nga ndikimet politike.
– Zgjidhje ekonomike për kompensimin, përmes bonove të tregtueshme ose fondeve të posaçme shtetërore.
– Fushatë kombëtare ndërgjegjësimi për edukimin ligjor mbi pronën, për të shmangur mashtrimet, ndarjet e paqarta e proceset gjyqësore të pafundme.
Në raportin me BE-në, Komisioni Europian ka theksuar se “E drejta e pronësisë është gur themeli i ekonomisë së tregut dhe shtetit të së drejtës. Shqipëria duhet të garantojë siguri juridike për pronarët dhe investitorët.”
Pra, pa zgjidhjen e çështjes së pronave, kapitujt e negociatave që lidhen me Drejtësinë dhe të drejtat themelore (Kapitulli 23), dhe Bujqësinë, mjedisin dhe politikat rajonale (Kapitujt 11, 27, 22), do të rrezikojnë nuk të hapen plotësisht.
Kështu, rruga drejt BE-së kalon përmes tokës shqiptare, asaj që ende nuk është e ndarë plotësisht, e regjistruar plotësisht dhe e mbrojtur ligjërisht.
Zgjidhja kërkon vullnet politik, transparencë dhe një reformë të thellë teknologjike, që të kthejë pronën nga burim konflikti në themel të zhvillimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu