Kokainë me vlerë gati 100 milionë paund sekuestrohet në një nga operacionet më të mëdha të drogës në Britaninë e Madhe

0

Një sasi kokaine me vlerë gati 100 milionë paund është sekuestruar në një port të Britanisë së Madhe, kanë deklaruar autoritetet. Ngarkesa, me peshë 2.4 ton, u gjet nën kontejnerë në një anije që mbërriti nga Panamaja në portin London Gateway në Thurrock, Essex.

Anija dhe ngarkersa e drogës ishte zbuluar në fillim të këtij viti pas një operacioni të udhëhequr nga inteligjenca, por u kap kur mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë, shkruan Sky News.
Me ndihmën e operatorit të portit, u zhvendosën 37 kontejnerë të mëdhenj për të zbuluar drogën, që arrinte një vlerë prej 96 milionë paundësh. Kjo është sekuestrimi i gjashtë më i madh i kokainës në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, sipas Forcës Kufitare.

Drejtori i saj detar, Charlie Eastaugh, tha: “Ky sekuestrim – një nga më të mëdhenjtë e këtij lloji – është vetëm një shembull se si oficerët e përkushtuar detarë të Forcave Kufitare mbeten një hap përpara bandave kriminale që kërcënojnë sigurinë tonë.”

“Mesazhi ynë për këta kriminelë është i qartë – më shumë se kurrë më parë, ne po përdorim inteligjencën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të zbatimit të ligjit për të prishur dhe çmontuar operacionet tuaja.”

“Anijet kontejnerë janë një nga mënyrat kryesore që bandat ndërkombëtare kontrabandojnë drogë të Klasit A ​​në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Eastaugh.

Vdekjet nga kokaina në Angli dhe Uells u rritën me 31% midis viteve 2022 dhe 2023, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Brendshme. Diku tjetër këtë fundjavë, një ngarkesë e veçantë prej 170 kilogramësh ketaminë, 4,000 pilulash MDMA dhe 20 armë zjarri u gjetën në një kamion në Portin Dover në Kent.

Ekspertët vlerësojnë se vlera e ketaminës në treg është 4.5 milionë paund, me MDMA-në që vlen të paktën 40,000 paund. Shoferi i kamionit, një shtetas 34-vjeçar nga Taxhikistani, u arrestua në vendngjarje me dyshimin për kontrabandë të artikujve, tha Agjencia Kombëtare e Krimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu