Shqipëria zgjedh sot Parlamentin e ri, 3.7 milionë qytetarë me të drejtë vote; diaspora risia e këtij 11 Maji

0

Këtë të diel në 11 maj prej orës 07:00 të mëngjesit qytetarët shqiptarë do tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur të mandatuarit e tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për 4-vjeçarin e ardhshëm, si dhe forcën politike që do të qeverisë vendin.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen ne 19:00.

Për herë të parë voton edhe Diaspora, me 245 935 emigrantë shqiptarë të regjistruar, po ku problematikat nuk kanë munguar në postimin apo kthimin e zarfeve të emigrantëve, kryesisht në Greqi.

Në garë janë 11 parti apo koalicione politike, ku çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit, 46 prej të cilëve janë në listën e sigurt.

LIVE/ Shqipëria zgjedh sot Parlamentin e ri, 3.7 milionë qytetarë

Kodi zgjedhor parashikon që ato të qëndrojnë të hapura edhe përtej orarit vetëm në rastet e fluksit të votuesve. Në të njëjtën orë, do të mbyllet edhe procesi i votimit për Diasporën.

ZHVILLIMET LIVE HAP PAS HAPI:

10:25 – I shoqëruar nga familja e tij, Berisha voton në shkollën “Kosova”

Kryedemokrati Sali Berisha ka votuar në shkollën “Kosova” në Tiranë.Ai shoqërohet nga bashkëshortja e tij Liria, djali Shkëlzen Berisha, bashkëshortja e tij Armina Mevlani.

Gjithashtu ishin edhe dy fëmijët e Shkëlzen Berishës, të cilët votojnë për herë të parë.

10:00 – Voton Presidenti Bajram Begaj dhe Zonja e Parë

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka ushtruar të drejtën e votës në shkollën 9- vjeçare “ Kongresi i Lushnjës” e cila ndodhet në rrugën “ Qemal Stafa”.

Në një deklaratë për mediat Begaj u bëri thirrje qytetarëve të shprehin vullnetin e tyre.

09:45- Voton kreu i SPAK, Altin Dumani

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka votuar sot për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në shkollën “At Zef Pllumi”. njësinë në 5 në Tiranë. Dumani shoqërohet nga bashkëshortja e tij.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nuk pranoi jepte një deklaratë të gjatë para mediave, teksa tha se do të ‘flasin’ pas zgjedhjeve.

Dumani më pas do të niset në prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion ku është ngritur një zyrë koordinimi, ku më pas prokurorët e posaçëm do të jenë në terren.

09:20- E drejta e votës për të burgosurit

Në këto zgjedhje, kanë të drejtë vote në total 2800 të dënuar dhe paraburgosur nga të gjitha burgjet e vendit.

Mësohet se 1400 të dënuar janë përjashtuar nga e drejta e votës për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

09:02- Ervin Salianji voton nga burgu i Fierit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka ushtruar sot të drejtën e votës në ambientet e burgut të Fierit, ku aktualisht ndodhet i dënuar.

Kujtojmë se Ervin Salianji u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për çështjen e njohur si “Babalja”.

08:37- SPAK zbret në terren, mbi 5 mijë forca policie në 12 qarqe

Ndërsa qytetarët votojnë, SPAK, BKH dhe forcat policore kanë “zbarkuar” në terren për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe parandalimin e krimeve zgjedhore. Prokurorët e SPAK do të jenë në çdo qark të vendit, kryesisht në zonat të cilat konsiderohen të nxehta si Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Lezha.

Policia ka angazhuar mbi 5 mijë punonjës në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Gjatë votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.

Në orën 18:00, shërbimet e policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.

8:30- Arrestohet bashkëshorti i kandidates së PD Elda Hoti

Në ditën zgjedhjeve parlamentare, bashkëshorti i deputetes së Partisë së Lirisë, Elda Hoti, është arrestuar nga policia në qytetin e Rrëshenit, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e 10 majit.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Ladi Ndoja 45 vjeç, u ndalua në flagrancë së bashku me një tjetër person, nën akuzat për pengim të qarkullimit të mjeteve, vetëgjyqësi, kërcënim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Donaj” të Rrëshenit, ku Ladi Ndoja dhe i riu Amarildo Jushi dyshohet se bllokuan me makinat e tyre një automjet të cilin e akuzonin për përfshirje në blerje votash.

8:21 – Kryeparlamentarja Spiropali voton e para nga figurat e PS

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka votuar te “Parku Olimpik”.

Pas votimit, në një deklaratë për mediat kryeparlamentarja Elisa Spiropali i bëri thirrje qytetarëve të votojnë.

“Sot është dita e qytetarëve shqiptarë, sot është dita e kombit. I bëj thirrje të gjithëve të votojnë sot me qytetari ashtu si është zhvilluar edh fushata zgjedhore, te tregojnë se jemi europiane në mendje zemër dhe në standarde”, tha Elisa Spiropali për mediat pasi ushtroi të drejtën e saj të votës.

8:00- Zgjedhjet 2025, Adriatik Lapaj voton i pari nga liderët e partive

Në orën 8:00, kreu i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj votoi tek Shkolla e Mesme Ekonomike, rruga ‘Myrtezim Këlliçi’.

Zoti Lapaj ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij në qendrën e votimit.

“Është hera e disatë që votoj unë, por është hera e parë që votoj si drejtues. Natyrisht votova për koalicionin tonë, për numrin 6. Është një ditë e bukur sot.Unë mendoj se vendi ka mundësi reale për një ndryshim të madh. I ftoj qytetarët të dalin masivisht në votime.”,tha Adriatik Lapaj.

Ai është lideri parë që ka votuar deri tani nga krerët e partive.

7:45- Radhë në Astir, por qendrat e votimit të vendosura në kontenier nuk nuk janë gati

Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në të gjithë Shqipërinë, por problemet duket se janë të mëdha.

Në zonën e Astir, në kontejnerët që janë kthyer në qendra votimi, nuk ka nisur ende procesi i votimit.

Siç edhe duket nga pamjet votues të shumtë ndodhen para kontejnerëve duke pritur në radhë pasi 22 qendrat e votimit ende nuk janë bërë gati.

7:05 -Hapen qendrat e votimit

Prej orës 07:00, qytetarët u janë drejtuar qendrave të votimit për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetutese për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.

Të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713 mijë shtetas shqiptarë, prej tyre rreth 246 mijë janë regjistruar që të votojnë nga jashtë.

Ndërkohë që rreth 115 mijë zgjedhës votojnë për herë të parë. Në të gjithë Shqipërinë janë 5225 qendra votimi.

Këto zgjedhje vijnë me disa risi, pasi për herë të parë emigrantët kanë patur mundësinë të votojnë nga jashtë, ndërsa listat e kandidatëve janë një miksim mes listës së hapur dhe listës së mbyllur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu