Nëse për ish-ministrin Arben Ahmetaj është urdhëruar arresti, me akuzën e dyshimit për përfitimin e 1 vile në Palasë nga Klodian Zoto i landfilleve; edhe për ish-ministrin Bledi Klosi, ekziston një fakt, që krijon dyshime të plota se ka përfituar pasuri prej bosit të landfilleve.
Me Vendim nr. 54, datë 27.11.2018 të firmosur nga ish-Ministri Blendi Klosi, për lejen mjedisore të Klodian Zotos, është mashtruar sikur leja për incineratorin e Tiranës, është dhënë për herë të parë me këtë vendim, kur realisht është dhënë në gusht 2017 nga Lefter Koka.
Po kështu, në materialin shoqërues të lejes mjedisore për landfillin dhe inceneratorin e Tiranës, ministri Blendi Klosi ka mashtruar, sikur objekti është në fazën e përfundimit të instalimit dhe gati për test djegie mbetjesh e prodhimi energjie, kur nuk është ndërtuar as sot në korrik 2023.
Po kështu, ish-ministri Blendi Klosi, ka mashtruar sikur firma “Integrated Energy BV SPV” e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, kanë bërë konsultime mjedisore me banorët e zonës së Sharrë, Vaqarr e Kombinat dhe sikur kanë marrë miratim prej tyre.
Në raportin e lejes së dhënë, Klosi ka mashtruar sikur mbetjet nuk ndotin ujin e pijshëm; sikur është bërë matja mjedisore në ajër dhe sikur gazrat helmues që dalin nga djegia e mbetjeve, janë 2 herë më pak se standardet e përcaktuara nga BE, kur inceneratori nuk është ndërtuar akoma.
Falsifikim tjetër në favor të Klodian Zotos e me pasojë kundër shëndetit dhe jetës së banorëve të zonës, është ky: Për inceneratorin i ka dhënë Leje Mjedisi të Tipit “A”-III.1C; Leje Mjedisi të Tipit B”-III.1B; Leje Mjedisi III.2.B; Leje Mjedisi për shfrytëzimin e ujit të Basenit Erzen dhe leje për depozitimin e hirit të plehrave në zonë të banuar, kur inceneratori duhet të jetë 25 kilometër larg qendrave të banimit.
I përmendëm këto falsifikime, për t’i kujtuar SPAK-ut, se pas firmës së lejes mjedisore në favor të landfillit të Tiranës në muajin nëntor 2018, ish-ministri Blendi Klosi ka marrë Vilën nr. 69 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, regjistruar në emrin e Dritan Shakohoxhës.
Nuk është rastësi, që përveç kësaj vile, pas firmosjes së lejes mjedisore të inceneratorit të Tiranës, Blendi Klosi ka marrë dhe apartament nr. 81, kati i 12-të me sipërfaqe 368 m2 te “Park Gate” përballë Fakultetit Ekonomik, të cilën e ka në emrin e tij, ku sipas çmimit të deklaruar 1700 Euro m2, rezulton me vlerë totale 625 mijë Euro e ku banon aktualisht.
Ndërsa vila në Palasë- Himarë, që Klosi e ka regjistruar në emër të Dritan Shakohoxhës, përllogaritet me vlerë 700 mijë Euro, fakt i konstatuar dhe nga agjentët e BKH, të cilët kanë marrë dëshmi e të dhëna konkret për çdo vilë tjetër në këtë kompleks, kur shkuan për të zbuluar vilën e ish-gruas së Arben Ahmetajt.
Edhe firma ndërtuese e shitëse, ka deklaruar te BKH, se vila nr. 69 në Palasë është e Blendi Klosit, maskuar pas emrit të Dritan Shakohoxhës, por këtë vilë, SPAK nuk quan indicie për përfitim nga Klodian Zoto, siç quan vilën e ish-gruas së Ahmetajt.
Edhe nëse këto dy pasuri, nuk i janë bërë dhuratë nga Klodian Zoto, pas firmës së lejes mjedisore false, SPAK ka detyrimin të hetojë, se ku i ka gjetur Blendi Klosi 1.3 milionë Euro për t’i blerë ato, kur prej 22 vitesh deputet e 4 herë ministër, deklaron të ardhura vetëm pagën e tij dhe të gruas shefe te TV-Klan, ndërkohë që çdo ditë lë miliona lekë nëpër kazino./Pamfleti