Korrupsioni ka “grisur” edhe “çadrat” e diplomatëve

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Pse nuk janë njëlloj një ‘non- grata’ e majtë dhe një ‘non- grata’ e djathtë?

Kush më me elegancë se mafia i sponsorizon fushatat elektorale, apo bën “bamirësi” më shumë se “Shtëpia e Zotit”, ku jetojnë kultet e besimit?!

“Shiu” i parave të pista mbi “akullin” 32 vjeçar që nuk e “shkrin” as shpresa e zgjimit, as “rruspa” e shpresës, vazhdon të lëshohet me rrëke, në çdo centimetër të fshatit.

Secili mban në dorë “çadrën” e vet.

Të gjithë janë me “kollë”, me kriza. Egërsinë e fshehin atje ku nuk futet askush, diku brenda kraharorit. Ndjesia e botës shpirtërore, kush jep, është në rregull, edhe në votë blerje, justifikon e plastifikon edhe dogmën e pa pranueshme të votë shitjes.

Po ligji, si i rinuar me kosto financiare; po ndërkombëtarët, si materie estetike, pse janë edhe pa mikroskop, edhe pa teleskop, sa nuk shohin asgjë, as vilat në Gji të Lalzit, as inceneratorët, as aferat e korrupsionit me përmasa gjigande?!

Të presësh sjellje burrërore për misione madhore, nga personazhe që edhe parfumet ua zgjedhin dashnoret, që paratë nuk i numërojnë dot, që as dinë nga u erdhën e ku i shpërndarë, është njëlloj, si të qëndrosh në shi pa “çadër” e të besosh se nuk u lage. Prandaj përdor plastikë e llastik Zeusi. E keni parë si e çon dorën atje ku nuk thuhet e thotë ato që nuk duhet, edhe pse është bërë “brumë” në tepsi të gjykatave të arbitrazhit?!

Zeusi e di se “shtrëngata”  e korrupsionit ka bërë qull gjithë fshatin e nuk ka Djall që e ndez shkrepësen kineze.

Këtej janë jo vetëm shkurret, po janë “grisur” edhe “çadrat” e diplomatëve. Mafia, pasi u ka “thartuar” stomakun, u ka mpirë buzët e çelur shumë vrima në ombrellë, sa nuk janë të zotët as të deklarojnë se kanë ndonjë fortifikatë për furtunat e vrullshme që po shfaqen në horizont për dy diplomatë.

Ngjajnë edhe ata me trup-lagurit, që do jenë ‘ok’ të mbajnë vetëm “frymën gjallë”.

Sa herë Zeusi “gjuan” publikisht mbi sportelet e ambasadës amerikane dhe bën be e rrufe se janë nën hijen e tij; sa herë që spiunët e FBI-së, Kinës e Rusisë vijnë e marrin para e tenderë këtej, nuk funksionon as rrufe-pritës, as u mbanë gjë “çadra” mbi kaptinë. As energjitë e lëngut që avullon “krojeve” në shterim, as shkrepjet me barut të lagur mbi korrupsion të ca kinezërive, nuk kanë as mburojë, as hajat.

Pa strehëz e “lakuriq” rrugëve të fshatit, bën xhiro korrupsioni.

Atyre monopateve, ku bari i pranverës aromatizon orekset e pilaftarëve, non gratat me grada partie, kanë lëshuar zabitët të blejnë vota. Ne kemi raste të mrekullive të Zeusit me zabitë, kur si “duhi” zaptojnë parmakët e dritaret e diplomacive. Në “stinë” kufizim shërbimesh, kemi rrugë të gjëra të vemi tek ngushtica që zabitët sot vulosin pasaporta e nesër me thes të parave në krah, u thonë fshatarëve, ja, ne na do perëndimi, nuk është një non grata e majtë si një non grata e djathtë.

Bri këtyre paradokseve, çfarë është më e mira të shkruajmë, përveçse të vendosim lajmin në “shtyllë”, se kur mafiozëve u mbarojnë kokrrat e “breshrit”, lëshojnë breshëri nga AK-47-a e “vëlla” Mikhail Kalashnikovit?!

Pra, vëllazërisht, nëse edhe një germë e këtij shkrimi, nuk është renditur në vendin e duhur, qofshi edhe hajdutët më të nderuar që e keni ngritur korrupsionin në nivelin e shkencës qeverisëse, na e thoni, me zë të lartë.

Por ama ta dini, gjithë fshati mendon se hajdutëria nuk ka zënë për gryke vetëm zyrtarët dhe ish zyrtarët, por korrupsioni ka “grisur” edhe “çadrat” e diplomatëve./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu