diplomatë, mos e këndoni kot këtë këngë, e njohim prej vitesh!

0
Shkruan Mentor Kikia

Vetëm dy muaj para zgjedhjeve, një tryezë për “Integritetin e procesit zgjedhor” mblodhi aktorë vendas të menaxhimit të zgjedhjeve si dhe diplomatë të rëndësishëm në Tiranë.

Ishte i njëjti refren, i të njëjtës këngë:

Zgjidhni kandidatë të pastër, jo të inkriminuar!

Kontroll financimit të partive, jo para nga krimi, jo financime nga burime korrupsioni!

Jo shitblerje të votës!

Jo shantazhimit të zgjedhësve!

Të garantohet një mjedis i lirë për qytetarë që votojnë, barazi në zgjedhje….!

E dëgjojmë këtë refren sa herë ka zgjedhje. Unë dhe Lutfi Dervishi, që është në atë panel, kemi qenë edhe para 15 vjetësh në tryeza ku është folur saktësisht po për të njëjtat probleme. Diplomatët që ishin atëherë nuk janë më. Pas 15 vjetësh, këta që janë sot nuk do të jenë më. Ndërsa unë dhe Lutfiu, me ndihmën e Zotit, do të jemi, por të plakur. Në mos duke folur, duke dëgjuar, po të njëjtat gjëra.

Në çdo proces zgjedhor, vendore apo të përgjithshme, ndodh po e njëjta gjë. Në bashki e në parlament futen njerëz të lidhur me krimin e korrupsionin. Sepse ata janë garancia për të fituar vota.

Partitë vazhdojnë të financohen nga burime të zeza, nga para droge, apo nga para korrupsioni.

Kompanitë që fitojnë tenderat dhe PPP-të ushqejnë makineritë elektorale të partive kryesore e veçanërisht asaj që ka radhën të jetë në pushtet. Dhe këto para ato i rimarrim mbrapsht në formën e kontratave me paratë publike. Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar edhe shkalla e madhe e korrupsionit në këtë vend.

Biznesi financon politikën, për të ardhur apo për të mbajtur pushtetin, dhe ajo ia kthen mbrapsh paratë nga buxheti i shtetit, përmes tenderave të paracaktuar, PPP-ve dhe koncensioneve korruptive. Pra krijohen një formë partneriteti e tipit PPP, që do të thotë Para-Pushtet-Para.

Sa për blerjen apo shantazhimin e votuesve, s’ka pse të përsëritet më refreni. Ishte dosja e zgjedhjeve të Dibrës, “tërmetit” i famshëm, ku qartë dhe pastër, me zë dhe figurë u dëshmua se si bliheshin votat dhe si shantazhohen votuesit. “Kush nuk voton të dielën për ne, të hënën ikën në shtëpi”- ishte porosia e deputetit socialist.

Çfarë u bë? Asgjë. Një tallje e madhe me drejtësinë, votën, demokracinë dhe zgjedhjet.

Zotërinj diplomatë. Këto nuk janë përgjegjësitë tuaja.

Fajin e kemi ne, ne që me votën tonë kemi ngritur këtë strukturë politike që na zhvat prej 3 dekadash. Ne që e kemi shitur votën për një thes miell, për ca borxhe tek dyqani i lagjes që na i paguajnë kandidatët zemërbardhë, për një vend pune… ne që kemi votuar dhe kemi dërguar në parlament e bashki lloj-lloj horri e maskarai, sepse na premtonte e na paguante. Ne që kemi pranuar çdo lloj mashtruesi që na gënjente për herë të parë, të dytë, të tretë e të peste dhe ne sërish e kemi votuar…

Por edhe ju keni përgjegjësitë tuaja për çfarë është bërë këtu ndër ne. Ju, që në fund, pavarësisht çfarë bëhet e si bëhen zgjedhjet, në ato raportet tuaja, theksoni: Zgjedhjet kishin probleme, por ishim më të mira se të kaluarat.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu