Projekti me vlerë 15 milionë euro për transformimin e fushës së mbetjeve në Porto Romano në një park ekologjik për qytetin e Durrësit është mbuluar me dyshimet për korrupsion.
Për këtë projekt Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka hapur një hetim mbi mënyrën e përzgjedhjes së një konsorciumi kompanish për realizimin e punimeve.
Dyshohet se situata e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit u shfrytëzua për zgjedhjen e fituesve pa garë të hapur.
“Rrethanat dhe faktet që lidhen me dyshimet se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin në zhvillimin e procedurës së prokurimit me objekt “Mbyllja e vënddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”, me fond limit 1,684,288,721 lekë, si dhe në fazën e ekzekutimit të kësaj kontrate dhe transanksionet e mëvonshme që janë kryer lidhur me fondet e përfituara nëpërmjet kësaj kontrate prokurimi”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut të datës, 12.12.2022.

Në këtë prokurim dyshohet si e përfshirë edhe Vjollca Hoxha.
Kjo e fundit, jo vetëm ka qenë në ortakëri me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, por ka kryer dhe një shërbim tjetër ndaj tyre dhe inceneratorëve që vjen i treguar vetë nga “Top Channel”.
Është fjala për çështjen e trajtimit të mbetjeve në Porto Romano.
“Top Channel” raportonte ditë pas dite në lidhje me situatën e mbeturinave në Porto Romano.

Por, në fakt dardha e ka bishtin mbrapa.
Pas gjithë skemës, e cila u bë me tender, më pas u shty, dhe u anulua u dha me prokurim të drejtpërdrejtë nga qeveria në dhjetor të 2019-ës, nisi dhe propaganda e shfrenuar nga “Top Channel” për Porto Romanon.

Dhe disa telefonata të bëra në biznese të ndryshme për t’u tërhequr nga marrja pjesë në këtë tender janë provat që tregojnë përfshirjen e Vjollca Hoxhës, jo vetëm në ortakëri me Valtelina kafenë dhe inceneratorët, por me çështjet e tjera që kanë të bëjnë me fondet publike, investimet, të cilat SPAK-u i ka nën hetim.
Porto Romano u quajt aferë dhe u denoncua ashpër nga opozita.
Kujtojmë denoncimin e partisë më të madhe opozitare në vitin 2020.
Partia Demokratike denoncoi atë që e quajti “pazar mafioz me plehrat e Durrësit” që çon “100 milionë euro shtesë në inceneratorin e Tiranës”.
Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i PD-së në ate kohë, Edi Paloka, akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se mbylli qëllimisht vendgrumbullimin e plehrave të Durrësit për të shtuar të ardhurat e inceneratorit të Tiranës, i cili sipas marrëveshjes koncensionare paguhet me para publike për çdo sasi mbetjesh urbane që trajton.

Nga ana tjetër qeveria mbrohej me zhvillimin e zonës dhe zhdukjen e një gangrene.
Është i drejtë edhe shërimi i plagëve të tilla mjedisore, por kur pas tyre, qëndrojnë pazare politike e mediatike, plaga e shëruar mjedisore lë gjurmë korrupsioni dhe marrëdhëniesh të dyshimta të medias me pushtetin.
“Top Channel” dje bërtiste për plagët në Porto Romano dhe plehrat e Durrësit, të cilat përfunduan tek inceneratori i Tiranës duke shtuar të ardhurat me dhjetëra miliona euro./CNA.al






