Stefan Pinguli i Birrës “Stela”, Vasil Naçi i birrës “Elbar”, Irfan Hysenbelliu i birrës “Korça”, Luan Bregasi i birrës “Tirana”, Xhimi Begeja i birrës “Puka”, Artan Stroka i birrës “Kaon”, janë pronarët që po përpiqen të bindin qeverinë shqiptare se me rritjen e akcizës së birrës së prodhimit vendas, do të dëmtojë gjithë këtë industri “Made in Albania”.
Lufta që po bëhet në parlament dhe me gjasë do të dështojë për këta prodhues birre në vend, e ka paracaktuar fituesin që në nisje. Kur të gjithë së bashku, mendojnë se po favorizohet birra “Peja”, e prodhuar në Kosovë.
Stefan Pinguli që drejton shoqatën e prodhuesve të birrës vendase, thotë se me këtë rritje akcize, në këtë moment, kur të gjitha këto kompani kanë bërë investime, do të thotë se do të ketë rritje çmimesh për birrën vendase.
Por, birra “Made in Albania” nuk do të mund të konkurrojë dot birrat që vijnë nga tregu i jashtëm. “Ne thotë Pinguli, nuk hyjmë dot në Kosovë, sepse ata kanë politika shumë favorizuese fiskale për produktin e tyre. Me këtë paketë, të tjerët do të marrin tregun në Shqipëri”.
Pano Soko, thotë se me këtë lëvizje, qeveria përfiton 2 milionë euro nga akciza, që për të, është asgjë krahasuar me buxhetin se nuk bëhet fjalë për shumë para.
“Por kjo paketë, është klienteliste, për të mbrojtur klientët e kryeministrit Edi Rama. Dhe nuk janë nga evropa, janë në rajon. Të gjithë e dinë se Rama është mik me Hashim Thacin. Miqtë e Thaçit kërkojnë të ndërhyjë në tregun shqiptar duke prishur rregullat e lojës” thotë ai.
“E di pse bëhet? Për të prishur garën. Për t’i dhënë përparësi importit që ndoshta klasifikohen njerëz që janë afër kryeministrit, jo shqiptar. Bëhet për të favorizuar marka birrash që vijnë nga rajoni, për shkak atë lidhjeve miqësore që ai ka. Kjo paketë fiskale shkon për shtat atyre. Kjo është pasoja”.
Qeveria pretendon se heqja e mbrojtjes së birrës vendase bëhet për të shmangur evazionin. Kompanitë kanë pasur kohën e mjaftueshme sipas saj për tu forcuar dhe për të qenë të barabartë në treg.
Sipas ligjit prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër.
Vendosja e fashës në akcizës ndaj birrës fillimisht kishte qëllim për të mbrojtur birrën vendase nga importi, me vonë gjatë zbatimit u bë shkak për evazion, pasi fasha u shfrytëzua për nënraportim. Madje edhe birrat e importit shpesh përfitonin nga akciza e ulët duke raportuar kapacitet prodhimi më pak se 200 mijë hektolitra.






