Nesër do të mësohet se kush do ta marrë drejtimin e SPAK-ut. Në garë janë tre kandidatë, prokurorë të SPAK-ut, por procesi po kalon nëpërmjet një debate mes Qeverisë dhe Ambasadës amerikane.
Ambasada amerikane pretendon se po ndërhyhet në KLP nga Qeveria për të zgjedhur kandidatin e tyre të preferuar e nga ana tjetër Qeveria pretendon të kundërtën.
Një ditë më parë ambasadorja amerikane Yuri Kim, me anë të një reagimi në rrejete sociale, bëri një deklaratë të fortë, duke lënë të kuptohet se persona që janën hetim, po tentojnë të manipulojnë zgjedhjen për kreun e SPAK-ut.
“Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë si të barabartë para ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”, shkruante Kim një ditë më parë.
I ashpër ishte edhe kryeministri Edi Rama në kundërpërgjigjen e tij, ku bëri thirrje që ndërkombëtarët të qëndrojnë larg procesit.
“Jam plotësisht dakord me Ambasadën e SHBA dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorja-vulorja-fallxhorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet. Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, kundërpërgjigjej Rama.
KLP në provë për zgjedhjen e kreut të SPAK
Në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Programi OPDAT dhe Delegacioni i Komisionit Evropian do të zhvillohet procesi për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut.
Fillimisht do të zhvillohen intervistat me kandidatët që kanë plotësuar kushtet e kandidimit për
pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ata janë Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili
Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video dhe do të zgjasë 30 minuta për secilin kandidat, duke filluar sipas rendit alfabetik.
KLP nesër do të testohet dhe do të jetë në provë, nëse është institucion i pavarur siç përcaktohet me Ligj e Kushtetutë, nëse merr urdhëra nga Qeveria, apo nëse do t’i bindet Ambasadës amerikane./CNA.al







