Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.
Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.
Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.
Sipas BE-së, “palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”, si dhe “çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit (e Brukselit)”, një nismë e cila u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.






