SPAK “troket” tek Bashkia e Tiranës, merret në pyetje drejtoresha e Zhvillimit të Territorit

0

Prokurorët e posaçëm kanë thirrur sot në SPAK drejtoreshën e Bashkisë së Tiranës, Frida Pashako. Kjo e fundit mban aktualisht detyrën e shefes së Zhvillimit të Territorit në bashkinë më të madhe të vendit, në kryeqytet.

Konkretisht nuk dihet nëse Pashako është thirrur si person në dijeni për një hetim të nisur nga Prokuroria Speciale, apo ajo akuzohet si e përfshirë.

Dikasteri që drejton Frida Pashako, Drejtoria e Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës, është përfshirë katër vite më parë në akuzat e Partisë Demokratike, për devijimin e lumit Lana gjatë projektit të zhvillimit të Unazës së Madhe, mëson newsbomb.al.

Nuk dihet nëse është kjo arsyeja e thirrjes në SPAK të drejtoreshës së Bashkisë, por PD e drejtuar nga Lulzim Basha atë kohë, akuzonte ishte ndryshuar plani urbanistik dhe për rrjedhojë ishte devijuar lumi Lana, në favor të ndërtimeve që biznesmeni Edmond Bego kishte bërë në krah të Unazës së Madhe.

Drejtoresha Frida Pashako, reagoi pas deklaratave katër vite më parë dhe u shpreh e bindur se Plani i Përgjithshëm Vendor i qytetit të Tiranës, i miratuar në vitin 2017, nuk kishte ndryshuar.

“Plani i Përgjithshëm Vendor, që kemi aktualisht në fuqi, është miratuar në vitin 2017 nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Si hartimi i PPV, ashtu edhe ndryshimi i tij, kërkon një proces shumë të gjatë, ndërinstitucional dhe kërkon aprovime në nivele të ndryshme. Aktualisht nuk kemi asnjë nisme për të ndryshuar Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës”, deklaroi Pashako.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu