Gazetari Artan Hoxha zbardhi detaje tronditëse nga hasmëria 20-vejçare mes familjes së Kasandër Nogës dhe Erion Hasanbelliut, i cili vijoi së fundmi edhe me atentatin ndaj këtij të fundit.
I ftuar në Abc Live, Hoxha tha se familjet kanë vite që përplaset me njëra-tjetrën, duke shkaktuar një numër të madh viktimash deri më tani.
“Të dy ata, Kasandër Noga dhe Erion Hasanbelliu kanë qenë në burg për një kohë të gjatë dhe dolën më pas nga burgu.
Duket se Kasandër Noga ka shkuar më pas në Belgjikë për të vrarë Erion Hasanbelliun”, tha Hoxha duke theksuar se avokati që mbrojti Nogën duke e nxjerrë më pas në liri me kusht ishte pikërisht Alban Bengasi.
Ky i fundit përmendet nga Nuredin Dumani në dëshminë e tij për prokurorët e SPAK, ku sipas tij, kishte porositur vrasjen e ish-bashkëshortes, Blerta Ruçi.
Siç dëshmon Dumani, fillimisht avokati kërkoi dhunimin e saj duke i thyer një krah ose një dorë, më pas kaloi më tej duke i ofruar atij 120 mijë euro për ta vrarë, pasi sipas tij e kishe tradhtuar.
Dumani thotë se nuk e kishte pranuar këtë ofertë, por Alban Bengasi i kishte thënë se nëse nuk e merrte ai, “punën” do t’ia jepte Gjergj Cukalit, i njohur ndryshe edhe si “I forti Myslym Shyrit”.
Sipas Dumanit, avokati Bengasi u kishte thënë që të mos shqetësoheshin se askush në polici nuk do të hapte çështje për rrahjen e ish-gruas së tij. Siç thekson SPAK në dosje, vërtetë policia nuk e regjistroi denoncimin e Blerta Ruçit për dhunën ndaj saj.
Më poshtë, sjellim përmbajtjen e dosjes dhe rrëfimin e Nuredin Dumanit në lidhje me ngjarjen në fjalë:
Lidhur me faktin penal të dhunës në familje ndaj shtetases Blerta Bengasi.
Blerta Bengasi është ish-gruaja e avokatit Alban Bengasi, i cili sipas rrëfimit të Nuredin Dumanit, e kishte paguar këtë të fundit që ta rrihte, pasi e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë. Fillimisht i ka kërkuar t’i thyente ndonjë këmbë ose dorë dhe më pas ta vriste kundrejt 120 mijë eurove. Por Dumani tregoi se nuk pranoi që ta vriste.


“Në fund të vitit 2019 ose fillim të vitit 2020 mesa mbaj mend, më kërkon Festim Qoli por se mbaj mend me telefon ose me ndonjë person, takimin e kemi bërë tek shtëpia e Festimit. Kur kam shkuar tek shtëpia më ka kërkuar ndihmë për një mikun e vet. Ishte avokat, ky avokat ka qenë edhe avokati im në çështjen që ka pasur për heqje të lirisë së personit në vitin 2013, mbaj mend që ka pasur një Range Rover të fundit me 444. Avokati është qeros, i gjatë i dobët me emrin Alban. E kam takuar dhe vetë mbrapa për këtë punë që më tha Festimi.
Kam shkuar në darkë tek Festimi, pasi ndenjëm më kërkoi të rrihnim një femër kundrejt pagesës. Kjo femra jetonte në Tiranë tek Kodra e Diellit ja di dhe pallatin nëse shkoj dhe shikoj. Ajo kishte një fiat punto ngjyrë vishnje me sa mbaj mend unë dhe targat mund të kenë qenë 020DI por s’jam i sigurt për këtë gjë. Festimi më tha sa lekë doja që ta beja si punë. Unë i thash që nuk e kam me qef me e rraf, por do e diskutojmë që ti çojmë dikë tjetër. Festimi ma kërkoi me ngulm këtë gjë pasi donte t`ja bënte si nder mikut të tij që kishte avokat.
Këtë punë Festimi donte shumë që tju realizonte pasi kur ra tërmeti në nëntor, ju prish kompleksi dhe kërkonte dëmshpërblim nga shteti dhe avokati do e ndihmonte që të merrte 500.000 euro. Festimi më çoi afër te shtëpia e saj dhe më tha se kush ishte objektivi. Unë e pashë atë ditë dhe e fiksova si pamje. Nga ajo ditë unë e ndoqa disa ditë vetëm për ti mësuar intenerarin dhe më pas e kam ndjekur një ditë me Asllan Plakun por ai nuk ma mbushi mendjen dhe e lashë si punë që të ma bënte ai dhe më pas i thash Eljo Bitrit dhe një djalë tjetër që nuk ja mbaj mend emrin dhe as si pamja nuk e mbaj mend mirë.






