Edi Rama ndjen se do të ketë fatin e Hashim Thaçit

0

Këtu, në këto “kurthe” janë të gjithë, të akuzuarit për krime kundër njerëzimit, këtu në këto “kurthe” janë të gjithë hajdutët, ndaj janë të tërbuar, se i pret i njëjti fat, arrestimi.

Shkruan Sokol Pepushaj

I tërbuar se ngjau pikërisht ajo që pritej nga njerëzia dhe që nuk mund të besohej nga pasanikët shqiptarë, pra aktakuza e rëndë ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Edi Rama, lëshon, me një gjuhë mjerane prej një të lënduari në thellësi të shpirtit, lëshon vrer kundër Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, sa thua, ky, thjeshtë është i papërgjegjshëm.

Prokurori i Hagës është i Paaftë, Tribunnali na ka “inat” ne shqiptarëve, artikulon në skizofreni e sipër Rama, para deputetëve që kanë kapur kokën me duar dhe janë nxirë në fytyrë, thua se edhe ata janë në derë të burgut.

Flet për histori unikale në botë, një pasanik pa rrogë dhe pa trashëgimi. Kështu ka ngjarë ngaherë në këtë foltore që 28 vjet. Por asnjëherë nuk kanë patur një rast si ky, ku një “hero” i luftës, një milioner, një president, të akuzohet për 100 vrasje dhe t’i lëshohet akt-akuzë, si “rrufe” në qiell me diell.

Flet kryeministri dhe në kuvend të ngjan se nuk ka frymë njeriu, por viktima.

Po, këta të tërë janë viktima të pasurive dhe krimeve monstruoze. Po, të tërë janë Hashim Thaça, Isa Mustafa, Ilir Meta apo Sali Berisha, të tërë ndjejnë damarëve të tyre frikën e burgosjes.

Kur ikin kaq “lehtë” Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ç’janë Edi Ramat apo Taulant Ballat e Myslim Murrizat që po “çertefikojnë” sot “virgjërinë“ e Thaçit dhe gjithë “luftëtarëve” milionerë të ish UÇK-së?!

21 vjet pas masakrave të luftës në Kosovë, ku Thaçi, Veseli e të tjerë akuzohen për 100 vrasje dhe për shumë krime kundër jetës së pafajshme të robërve të luftës, por më shumë se robërve kundër shqiptarëve, si trafikim organesh, vrasje e përdhunime në grup etj, parlamentit shqiptar duket që i ka rënë zija. Edi Ramës dhe ligjvënësve shqiptarë u ngjan padrejtësi kjo akt-akuzë, edhe pse ka kaluar shumë kohë.

Në vështrimin metaforik, për këto figurat injorante të parlamentit tonë, koha është element ku zbeh fajet dhe fsheh komplotet.

E tha me gojën e vet Rama, e tha me prononcim zyrtar Meta, e thonë të gjithë, Hashimi, Veseli dhe të gjithë janë të pastër si “akullore”.

Kështu thotë edhe Vangjush Dako, se është i pastër si akullore, por Departamenti Amerikan i Shtetit e shpall person non-grata, me gjithë familje, si hajdut i rrezikshëm.

Po le të rrimë në temën e ditës.

Nëse don të matësh se sa frikë kanë Edi Rama dhe gjithë klasa politike drejtësinë, mjafton të deshifrosh gjuhën e ashpër ndaj Tribunalit të Hagës dhe “pafajësinë” që i japin Thaçit e Veselit, në parlamentin e analfabetëve të Shqipërisë, të gjithë ligjbërësit pa përjashtim.

Ka të dhëna se pas Thaçit e Veselit janë rreth 120 të dyshuar të tjerë si kriminelë lufte e paslufte, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Tiranën zyrtare që do t’i drejtohen Tribunalit.

Transplanti i organeve të serbëve të zhdukur të Kosovës tek “Shtëpia e Verdhe” në Burrel, mendohet se implikon edhe shefin e opozitës Lulzim Basha dhe ish drejtuesin e SHIK-ut Fatos Klosi por edhe shumë të tjerë.

Pra, si përherë, pritet të dalë edhe Fatos Klosi e të thotë, “asgjë nuk do të ndodhë, dosjet janë zhdukur”

Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit, flet gjithmonë me gjuhën e Myslim Murrizit, Selami Janisherit, Taulant Ballës, në simfoni me Ramën.

Pra, “s’do ndodhë asgjë, dosjet nuk janë”, Hashimi, Veseli, Haradinaj etj., në vitin 2016 kanë votuar Gjykatën Speciale, njëlloj si Adriatik Llalla, Edi Rama, Xhezair Zaganjori, Gjin Gjoni, Lulzim Basha që kanë votuar Vetting-un në Shqipëri.

Edhe këtë veprim e konsiderojnë si meritë apo “dekoratë pastërtie”

Këto dy nisma, dëshmojnë dy shënja.

Shënja e parë lidhet me “gabimin” e bërë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, sipas Edi Ramës. Pra, nuk duheshin votuar as gjykata speciale, as vetting-u.

Këta ndërkombëtarët duket kanë qënë shumë rrugë para kriminelëve e hajdutëve shqiptarë dhe kjo po i bren sot e gjithë ditën si në Tiranë, edhe në Prishtinë, injorancën politike.

Me Gjykatën Speciale dhe me Vetting-un, ngjan se pala shqiptare, e njëjtë në Kosovë e në Shqipëri, kanë nënkuptuar një tip kurthi, ku “Gjarpërinjtë” dhe “Peshqit” do kapnin ca lepuj dhe ca krimba.

Në Kosovë ishte njëri, Albin Kurti që thërriste; mos e votoni Gjykatën Speciale, se në kurth nuk do të bien lepujt, por “gjarpërinjtë”, do të bien pra, gjithë Hashim Thaçat.

Për respekt të realitetit, në Shqipëri ishin Ilir Meta dhe Sali Berisha që e dinin se “kurthi” amerikan nuk do të kapte “krimba”, por pikërisht peshqit dhe çirreshin; Mos votoni o budallenj, se do të biem të gjithë në kurth.

Po shënja e dytë, cila është?

Këta që shohin burgun për veten, deputetë e ministra, politikanë e pushtetarë, këta që mëndonin se janë të paprekshëm, pikërisht se kanë vjedhur e kanë pasuri sheikësh, sot sytë i kanë nga shefat e tyre, nga Edi Rama dhe Sali Berisha.

Edi Rama, zgjodhi të mbrohet, duke sulmuar “armiqtë”, që në këtë rast janë prokurorët “injorantë” të Tribunalit të Hagës dhe ndërkombëtarët që ngrejnë akuza kaq të forta.

Krejt ndryshe nga Rama, paraqitet Sali Berisha.

Predhat e topit i drejton jo tek shtëpia e hasmit, por mbi mullarin e sanës së bagëtive, si Agushi tek “Njeriu me Top” i Dritëroit.

Sali Berisha, edhe ky i akuzuar për shumë krime njerëzore, për shumë vrasje dhe rrëmbime personash, guxon të ndajë lavdinë e Luftës Çlirimtare të Kosovës nga personat e veçantë.

Është interesant ky qëndrim.

Berisha të jetë dakord me akuzat, apo frika se do të jetë pas Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit?

Gjithsesi, ajo që mund të themi sot, le ta themi.

Këtu, në këto “kurthe” janë të gjithë, të akuzuarit për krime kundër njerëzimit, këtu në këto “kurthe” janë të gjithë hajdutët, ndaj janë të tërbuar, se i pret i njëjti fat, arrestimi./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu