SHBA, ultimatum Shqipërisë: Urgjent zgjedhje të parakohshme vitin që vjen, bëni Kodin zgjedhor

0

Një vizitë pa shumë bujë, pa shumë paralajmërime, por që në krye të herës, me publikimin e axhendës së takimeve promovoi lajmin e madh: Përjashtimin e Ilir Metës, kreut të shtetit shqiptar nga takimet, duke e injoruar tërësisht atë si pjesë e faktorit relevant në Shqipëri.

Pasi i kaloi në “revistë” me radhë, nga kreu i PD Lulzim Basha, kreu i LSI Monika Kryemadhi, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kreu i grupit të PS Taulant Balla, dreka me deputetët e opozitës së re Rudina Hajdari e Ralf Gjoni, e deri te kryeministri Rama, emëruesi i përbashkët i takimeve ka qënë reforma zgjedhore.

Basha dhe Kryemadhi, në deklarimet e shkurtëra për mediat, pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan u detyruan të përmendin vetëm qëndrimin se zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri, janë një nevojë dhe detyrim.

Asnjë fjalë nuk thanë për krizën dhe zgjidhjen e saj, ndërkohë që kanë qënë Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla ata që kanë evidentuar nevojën e reformës zgjedhore deri në fund të vitit, ku me sa duket kjo ka qënë dhe kërkesa e prerë e zyrtarit të DASH, Kostelancik.

Nga takimi i Ramës me drejtorin e lartë të SHBA nuk është dhënë asnjë njoftim, pavarësisht se dhe në takimet e tjera të Kostelancik me politikën shqiptare është dhënë vetëm maja e “Ajzbergut” e diskutimeve.

Burime diplomatike bëjnë me dije se zyrtari i lartë amerikan ka kërkuar përfundimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR deri më 31 dhjetor të këtij viti, dhe me pjesëmarrjen e opozitës së re dhe asaj jashtëparlamentare.

Mësohet se, teksa Rama është shprehur shumë i gatshëm për reformën zgjedhore, madje ka evidentuar dorën e shtrirë në mënyrë të përhershme për opozitën, “këmbana” ka qënë për Bashën dhe Kryemadhin, të cilët janë urdhëruar të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në komision.

Përfundimi i reformës zgjedhore sipas afateve të vëna nga amerikanët, korrespondon pikërisht me afatin 6 mujor para muajit kushtetues të zgjedhjeve në të gjitha rastet, që është muaji qershor.

Mësohet se ultimatumi i SHBA për Ramën dhe Bashën ka qënë që zgjedhjet nuk do të zhvillohen as më 13 tetor, as në fund të dhjetorit e as në mars sikurse e kërkon PD, as në vitin 2021 sikurse deklaron kryeministri, por në qershor të vitit të ardhshëm.

Pra amerikanët janë për zgjedhje para kohe një vit para afatit kushtetues, si një zgjidhje e mesme për të gjitha palët e involvuara në konfliktin politik në Shqipëri.

Për këtë arësye SHBA këmbëngul fort për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, në fund të dhjetorit, pra gjashtë muaj para zgjedhjeve të parakohëshme, që përkon me afatet kushtetuese, duke “zbuluar në këtë mënyrë dhe “paketën” amerikane të zgjidhjes së krizës në Shqipëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu