Zhbllokohet Kuvendi në Kosovë, por deputetët rrëzojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare

0

Për të tretë herë me radhë, deputetët po vazhdojnë seancën konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Pas një takimi konsultativ të thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përfaqësuesit e partive politike u pajtuan që procesi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të nisë nga fillimi.

Kështu, pas nisjes së seancës me 120 deputetët e pranishëm, u mblodh sërish Komisioni për verifikimin e mandateve të deputetëve.

Dorëheqjet e anëtarëve të kabinetit qeveritar, që ishin bërë shkak i ndërprerjes së seancës konsituive dy herë gjatë kësaj jave, u dorëzuan në sekretariatin e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Por ky propozim nuk ka marrë votat e nevojshme.

Me 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime, Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhej kryetare e re e Kuvendit të Kosovës.

Në votimin për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare, tre deputetët e Nismës abstenuan, ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë në votim.

E propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ajo mori vetëm 57 vota, ndërsa për t’u zgjedhur duhen të paktën 61 vota nga gjithsej 120 deputetë.

Në sallë ishin të pranishëm 115 deputetë, duke plotësuar kuorumin për votim, por numrat nuk ishin të mjaftueshëm për ta kaluar kandidaturën e Haxhiut.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë, që në këtë rast është Vetëvendosje. Kjo do të thotë se vetëm kjo parti ka të drejtë ta propozojë kandidatin për këtë post, por tani për tani mbetet e paqartë nëse do të ketë një emër të ri apo rivotim në ditët në vijim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu