Por ndërsa opozita u zhvendos së bashku me protestuesit drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku Sekretarët e Përgjithshëm të PD-së dhe LSI-së, firmosën në emër të partive për mospranimin e mandateve të deputetit, kamera e Dosja.al fiksoi një incident mes një efektivi policie dhe një personi, i cili mbante mbi supe flamurin amerikan, kishte kapuç në kokë dhe garza me mbishkrimin “Rama ik”. Personi në fjalë pretendoi se ishte Agjent Sigurimi, por efektivi nuk e lejoi deri sa ai i tregoi një dokument me stemën e Republikës së Shqipërisë, siç mund ta shihni në fotot e shkrepura si dhe në video.
Gjatë kësaj kohe, agjenti bëri një foto të tijën dhe të efektivit të policisë, si për presion se përse e ndaloi.
Pas kësaj, efektivi i kërkon edhe kartën e identitetit për të vërtetuar nëse është i njëjti person apo jo, e pasi gjithçka rezultoi e rregullt, e lejoi që të kalonte kordonin e policisë, agjentin e maskuar si protestues.
Këto infiltrime të këtyre personave si protestues, janë denoncuar edhe nga opozita, e cila pretendon se janë nxitës të dhunës në protestat e tyre.
Para disa ditësh, kryetari i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Kreshnik Çollaku, akuzoi një efektiv polici të veshur civil me xhup të kuq, për nxitje të dhunës në protestë dhe orientim të protestuesve drejt dyerve të Kryeministrisë./Dosja.al