“Shqipëritë” tona i ka zënë dhe i ka mbuluar “harami” i hajdutërisë!

0

Shkruan Kim Mehmeti

‘Shqipëritë’ tona nuk janë të rrezikuara nga spektaklet që i ka e gjithë bota e ku ‘budallenjtë’, të paturpshmit e të pamoralshmit bëjnë garë mes vetes për ‘çmimin e madh’ dhe ku ata shpallen ‘modele’ suksesi të shqiptarisë, as pse aq shumë u shlyen tabutë sa së bashku me to u zhbë edhe turpi, por pse u bëmë shoqëri ku fati i të diturit, të ndershmit e të moralshmit është në duart e injorantit dhe hajdutit.

E keqja e ‘Shqipërive’ tona nuk ka të bëjë me ekranet ku garojnë mes veti gjinjtë e cullakosur me dhjetëra kilogram silikon në to dhe vithet e zhveshura ‘njëtonëshe’ të mbushura me dhjamë ‘maceje’, por me të vërtetën e dhembshme se jemi bërë shoqëri ku nuk ka thuajse asnjë vlerë truri i ‘bukur’.

Po pra, e keqja e ‘Shqipërive’ tona nuk buron nga ‘investitorët’ që e shpërblejnë shthurjen, paturpësinë dhe amoralin, por pse e prumë punën deri aty sa i riu shqiptarë të mos lumturohet kur dikush e shpërblen me ndonjë bursë për të studiuar në Perëndim, por kur ia mbulojë harxhimet për ta bërë trupin si të porsalindur nga kirurgu.

Dhe ‘Shqipëritë’ tona së pari herë nuk janë të rrezikuara nga asnjë armik i jashtëm apo i brendshëm, por nga sasia e madhe e lekëve të fituar pandershëm, nga hajdutët e pushtetshëm që u bënë ‘modele’ suksesi dhe si të tillë investojnë shumë për ta bindur rininë tonë se nuk të vlejnë gjë aftësitë personale e as dituria, por leku që të bënë të bukur e të mençur edhe kur je i budalla i shëmtuar.

Shkurt e shqip: ‘Shqipëritë’ tona i ka zënë dhe i ka mbuluar ‘harami’ i hajdutërisë dhe pandershmërisë, mbase shkaku se në to nuk ka mjaftueshëm ‘buldozerë’ të mençurisë, të ndershmërisë dhe të atdhetarisë, e që do mund ato t’i pastronin nga ky pleh që është duke e ‘kalbur’ më të vlefshmen që kishte dhe që ka shqiptaria – familjen!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu