Partia Demokratike kërkon nisjen e hetimeve ndaj kryeministrit Rama për fshehje të pasurisë, duke iu referuar shtëpisë së tij në Surrel. Deklaratën nga selia blu e ka lexuar deputetja Dhurata Cupi. Sipas saj Edi Rama ka pastruar paratë në vilën e tij dhe se vettingu në politikë u refuzua edhe për të mbuluar këtë aferë. Më poshtë deklarata e saj e plotë.
Që nga e hëna, Edi Rama ka folur çdo ditë, mesatarisht, nga 1 orë në ekranet televizive, por ai nuk ka kurajon të gjejë 5 minuta për të dhënë sqarime për 300 milionë lekë që i dalin tepër nga deklarimi për ndërtimin e vilës luksoze në Surrel.
Edhe mbrëmë, Edi Rama përgojoi gjithë Tiranën, foli për gjithçka, por iu mbyll goja dhe uli kokën në heshtje, kur i duhej të përgjigjej ku i ka gjetur paratë për ndërtimin e vilës së Surrelit, e cila vlerësohet nga profesionistët e ndërtimit të paktën 2 milionë euro.
Partia Demokratike ka provuar me dokumenta zyrtarë se Edi Rama nuk e justifikon vlerën e deklaruar prej 400 milionë lekësh për vilën e Surrelit. Kursimet e deklaruara të kryeministrit dhe të gruas së tij janë 300 milionë më pak se vlera e deklaruar për vilën superluksoze.
Faktet janë pubike.
Në vitin 2011 Edi dhe Linda Rama kanë deklaruar se, të dy bashkë, zotërojnë rreth 80 milionë lekë.
Në vitin 2012, Edi Rama ndërton vilën e tij në Surrel.
Në vitin 2013, para marrjes së detyrës së kryeministrit, Edi Rama deklaron se ka shpenzuar 400 milion lekë për ndërtimin e vilës, pra plot 5 herë më shumë sesa kursimet prej 80 milionë lekë që kishte deklaruar gjendje çifti Rama më 2011-ën. Është e pashpjegueshme sesi në 2013-ën, pasi ndërtoi vilën, pasuria e deklaruar e çiftit kryeministror rezulton të jetë shtuar, duke deklaruar gjendje 92 milionë lekë.
Është koha që Inspektoriati i Pasurive të nisë verifikimin e burimit për të paktën 300 milionë lekë që mungojnë në deklaratën e pasurisë së kryeminstrit të Shqipërisë. Një verifikim serioz dhe I pavarur, padyshim që do të konfirmojë jo vetëm mospërputhjen e deklarimit të të ardhurave të kryeministrit dhe fshehjen e tyre me qindra milionë lekë, por do të zbulojë se vila luksoze e Edi Ramës, kushton jo më pak se 2 milion euro.
Në rastin e Edi Ramës pastrimi i parave me vilën e tij në Surrel është një nga veprat penale, që do të ishte zbuluar nga prokuroria, nëse ajo nuk do të kontrollohej nga Edi Rama.
Mashtrimi me pasurinë dhe ndërtimi i vilës luksoze të Surrelit me qindra milionë lekë të pajustifikuara është një nga arsyet kryesore pse Edi Rama refuzoi vetingun e politikanëve.
Fshehja e pasurisë është një vepër penale që dënohet me burg. Pastrimi i parave është një tjetër vepër penale për të cilën ndëshkohesh po aq gjatë me burg. Prandaj, Edi Rama ka zgjedhur më mirë të heshtë, sesa ta rëndojë edhe më shumë pozitën e tij, duke përfshirë edhe gruan në mashtrimin me pasurinë.
Heshtja mund ta ndihmojë tani, por nuk e shpëton dot përgjithmonë!