Të tjera mesazhe të shkëmbyera mes kryetares së KLGJ-së, Naureda Llagami dhe deputetes socialiste Klotilda Bushka, ku flasin për SPAK dhe GJKKO, janë publikuar në media.
Është sërish “Ora News”, e cila ka publikuar disa mesazhe ku flitet për disa grafike gatishmërie të SPAK e GJKKO. Në një komunikim të Klotilda Bushkës, kërkon dy herë nga një gjyqtar i zakonshëm, si në “WhatsApp” dhe në “Signal” grafikun e gatishmërisë së GJKKO.
Pasi ky gjyqtar nuk e ndihmon dot, ish-kryetarja Llagami konfirmon tek i njëjti gjyqtar se e ka ndihmuar Bushkën duke i nisur grafikun. E bën këtë gjë me numër të saj të telefonit.
Ndërkohë që më lart, Bushka kërkon takim me Llagamin dhe një person tjetër e këtij të fundit i thotë: “na e organizo, por në një vend pa njerëz”.
Përse duhej një vend pa njerëz? Mos vallë se Llagami emërohet, raporton e tutje tehu pikërisht me atë që ha e pi?
Ky takim është i ndryshëm nga ai i 19 Janarit, i paraprin atij dhe kërkohet të ruhet privatësia e kësaj qoke: Komision Ligjesh- KLGJ. Edhe këtë Bushka e bën me numrin e saj.
Por skandali më i madh është dëshira e ish-Kryetares së KLGJ-së që të shkrijë SPAK-un dhe GJKKO të cilët i cilëson si “sekt”!
Madje, pushtetin e tyre ta kalojë tek Gjykata e Zakonshme meqë nuk po gjen dot hapësirë të ndihmojë ata që e emëruan e ata që do e çojnë në Gjykatë Kushtetuese.
Në një komunikim prej “xhelati” të drejtësisë, e jo prej një figure të nivelit të lartë të udhëheqjes së Gjyqësorit, Llagami i shkruan, po me numrin e saj të telefonit, një gjyqtari të thjeshtë ku i thotë: “Atë i thoja Ildës (pra Klotilda Bushkës), që një kallëzim ndaj një Prokurori të SPAK, nuk mund të rrijë në SPAK…se ato duhet të bien si sekt (pra SPAK dhe GJKKO), duke i sjelle te ju (pra gjykata e prokurori te zakonshme)…duke i sjelle te ju, do përdridhen…”.
Këto janë fjalët e ish-Kryetares së KLGJ-së, Llagami, të sjella me foto dhe video screen të mesazhit ku identifikohet numri i saj.