Edhe sot nuk u jap dot përgjigje pyetjeve të pseudointelektualëve ziliqarë, por di të them se Rugova e dinte mirë se ç’bënte.
Dr. Ibrahim Rugova, me shallin karakteristik rreth qafës gjatë dimër e verë, me atë pamje të paqtë dhe shikim të butë e larpamës, si Gandhi i Indisë, fliste gjithmonë me një zë te qetë dhe të thellë si jehona e një rrjedhe lumi të gjerë dhe të ngadalshëm që mbush tej-përtej deltën e vet.
Më kujtohet si tani çfarë më tha një ditë me po atë zë babaxhan:
“Ballkani ka nevojë për një mbështetje të madhe nga bota demokratike për të qenë i lirë nga ankthet e djallit, ka nevojë për lobimin e politikanëve e diplomatëve të fuqishëm e të shquar, si i famshmi, Presidenti Amerikan, Willson!… Mbaj mend, vetëm Amerika dhe miqtë e saj do të sjellin qytetërimin perëndimor në Shqipëri dhe do ta bëjnë Kosovën të lirë, një ditë, dhe gjithashtu një shtet të ligjshëm. Ne, shqiptarët, duket se i kemi harruar traditat e të parëve tanë, sikur djalli i Ballkanit na ka kapur prej fyti e nuk na lë të ecim para pa na shtyrë të tjerët. Kurrë mos e harro këtë, miku im!… Një ditë, amerikanët do na japin përsëri kurajën për të ecur edhe më shpejt përpara, ashtu si bëri dikur i madhi Willson”…
Këtë më tha Rugova, ky Gandhi i Ballkanit, dhe kështu ndodhi…
Duhej ndërhyrja e Sekretari i Shtetit Beker e Presidentit Bush, babai i Presidentit Bush i Riu, e Presidentit Klinton, e Sekretares së Shtetit Albrights, e Kryeministrit Blair, e Presidentit Bush i Riu, e Senatores Hilary Clinton, si dhe ndërhyrja e shumë ambasadorëve e diplomatëve të tjerë amerikanë që ta bënin Shqipërinë të mbijetonte në vitin 1997, atë vit zero, i cili pothuajse na zhbëri si komb, ne, shqiptarët, që gati u kthyem në qytetërimin e vjetër primitiv.
Gjithashtu ishte nevoja e përpjekjeve të këtyre titanëve amerikanë për të shpëtuar Kosovën në vitin 1999, nga epidemia shfarosëse e djallit të keq-Serbisë. Duhej ndërhyrja e NATO-s, me veton Amerikane, që ta bënte Kosovën të mbijetonte dhe të bëhej shtet i pavarur, si në ditët e sotme.
Këto më përsëriste shpesh miku im, Rugova, dhe më bënte të ndihesha krenar, si vetë ai, për miqësinë tonë me politikën e diplomacinë amerikane.
Në një tjetër takim, vite më parë, Presidenti Ibrahim Rugova, me një fytyrë të qeshur më përsëriti:
“Si mendon, a nuk dukem si ata orakujt e Dodonës, astrologët dhe fallxhorët nga Epiri, paraardhësit e tu çamë, o çam, të cilët predikonin humbjet dhe fitoret e mbretit të famshëm, Pirro i Epirit?… Të kam thënë që të mirat e mëdha do na vijnë nga Amerikanët, veçanërisht nga diplomatët luftarakë si Richard Holbrooke… Besoj se e njeh?”…
Mbeta një moment i shtangur me supet përpjetë.
Ai më shikoi drejt në sy, tejet dashamirës e me një buzëqeshje karakteristike rugoviane që e kishte vetëm ai…
I thashë se kisha dëgjuar çdo gjë për Ambasadorin Amerikan Richard Holbrooke, por nuk e kam pasur asnjëherë mundësinë ta njoh nga afër.
“Do ta njohësh”, – ma ktheu Presidenti Rugova me një pamje enigmatike.
“Mendoj se po, i thashë, nëse besoj në parashikimet e tua si një orakull i Epirit a po si orakull i Dardanisë. Të paktën, deri tani, ti ke parashikuar të gjithë rrjedhën e ngjarjeve në Ballkan”…
Dhe me të vërtetë, Presidenti Rugova dhe miqtë e tij bënë të mundur që ta njihja nga afër “Ambasadorin e Artë”, Richard Holbrooke, siç e quaja më vonë në sytë e bashkëbiseduesve të mi. E njoha, u miqësova dhe ai më besoi për vlerat e mia e të krahinës sime martire, Çamërisë. më besoi si lider, si rrallë kush tjetër më parë. Më besoi siç më kishte besuar politikani Pjetër Arbnori, Mandela shqiptar i Ballkanit, siç më besonte me zemër në dorë Presidenti Rugova.
Richard Holbrooke ishte një personalitet i rrallë, i magjishëm, i cili të jep idenë se ka aktivizuar të gjitha potencialet e energjive shpirtërore e mendore, deri në shterim. Të dukej se ai përdorte virtyte të rralla hipnotizuese që t’i imponohej çdo personi që kishte për të negociuar. Dhe ai i fitonte gjithmonë negociatat. Të paktën ky është dhe mbetet mendimi im… Richard Holbrooke ishte me plot kuptimin e fjalës “Ambasador i Artë”. Ishte Supermen i vërtetë Ballkanit, njëlloj si Supermeni Amerikan, Heroi i Kinematografisë Amerikane.
Ai ishte i vetmi që dinte se si ta qetësonte mllefin e zemrës brutale të Ballkanit të trazuar. Ai diti ta performojë me mendjen dhe duart e arta zemrën plagë-plagë të Ballkanit… E bëri Ballkanin një hapësirë ndëretnike më të butë, më të pranueshme për qytetërimin evropian.
Pra, për shkak të punës, vendosmërisë dhe insistimit të tij, sot ne kemi një Ballkan paqësor. Po ashtu kemi edhe një organizatë ndërkomëtare lobimi si Diplomatic Mission Peace And Prosperity, mision me shumë lidhje të politikanëve dhe diplomatëve të fuqishëm, si e pazëvëndsueshmja Hillary Clinton, etj.
Në sajë të ideve dhe talentit të Richard Holbrooke, ne kemi sot një Ballkan modern dhe organizatën Diplomatic Mission Peace And Prosperity, një oaz paqeje që frymëzon paqe në shpirtrat e trazuar të nacionaliteteve ballkanike.
Presidenti Rugova dhe Ambasadori Holbrooke ishin bekim për Ballkanin, veçanërisht për kombin shqiptar. Ishin dy luftëtarë paqeje të paarritshëm!…
Zoti e bekoftë shpirtin e Presidentit Ibrahim Rugova!
Zoti e bekoftë shpirtin e Ambasadorit të Artë Richard Holbrooke!
Zoti e bekoftë stafin, partnerët dhe bashkëpunëtorët e Diplomatic Mission Peace And Prosperity!…