Mbivendosja e tokës, si vjedhje me paramendim! 31 TETOR 2023, 19:01BLOG TEMA

0

Shkruan Rudina Xhunga

Mbivendosja e tokës, për pak hapi varrin e radhës në Shqipëri.

Mbivendosja e tokës është bërë me qëllim dhe për interesa të caktuara nga njerëz që kanë drejtuar në këtë vend. Nga ata që kanë drejtuar hipotekën, kadastrën. Nga njerëz që e kanë ndarë tokën me një ligj shkatërrues, primitiv, që ka shkaktuar më shumë drama se zgjidhje, sherre, dhune, vdekje, pasiguri dhe vazhdon të përcaktojë pamundësinë e zhvillimit të Shqipërisë. Ajo që duhet bërë me urgjencë, është të ndalojmë së foluri për çdo gjë tjetër dhe të mendojmë se çfarë do të bëjmë me tokën në këtë vend.

Problemet më të forta në Shqipëri, janë aty ku toka është më e mirë, sikurse po ndodh në Jug. Problemi i shqiptarëve është që kanë vetëm idenë se si do e zhvillojnë tokën, sepse toka nuk është e tyre. Ka qindra mijëra probleme me tokën, të pazgjidhura, të pa sistemuara, të harruara, të zhdukura.

Pse rastësisht ra zjarri në kadastra dhe hipoteka në ’97?

Pronarët realë në këtë vend, shumë pak e kanë marrë tokën e tyre, shumë pak e kanë gëzuar. Të tjerët kanë vdekur në pritje të tokës, janë plakur në dyer gjykatash e komisionesh kthimi pronash. Janë sëmurë, moshuar, tradhtuar dhe larguar nga kjo botë apo ky vend pa marrë asgjë me vete. Po tregoj një histori me mbivendosje prone i një djali të ri që mendoi të bënte një biznes risi, një ferme kërmijsh.

E mbushi tokën me kërmij, i kultivoi, furnizoi gjithë restorantet e Tiranës, kur befas vjen dikush që kishte blerë tokën ngjitur dhe i thotë se në letra ka blerë tokën e tij. Kjo është mbivendosja. E pasqaruar nga topografi. I gënjyer nga ai që e shiti. Kristi me dërgoi videot kur pala tjetër, pala e fortë, shkoi me ekskavator dhe i shkeli kërmijtë. Ajo tokë u mbush me mundin dhe djersën e një djali të ri që besonte që ky vend bëhet.

Ky vend nuk bëhet pa pronë. Pa shkuar prona te i zoti. Pa u përcaktuar e kujt është prona.

Mbivendosja është një truk që përdoret nga të fortët dhe nga të ligjtë. Nuk është gabim apo rastësi, por është për të të shkatërruar, ty që do të blesh një tokë dhe të ndërtosh diçka. Që pasi ta blesh, të të përzënë, e të të shkelin si kërmijtë e tokës së Kristit. Është për të të vjelë paratë, për të të çmendur dhe zhdukur, që në fund të fitoje i forti.

Për këtë mbivendosje janë vrarë njerëz. Ky është një truk për të larguar shqiptarët nga vendi, e për t’ua lënë vendin të fortëve të cilët nuk janë më të mençur, as nuk do të investojnë sepse dinë më shumë. Ata do ta shesin te njerëz që kanë më shumë para, e kanë projekte të tjera në këtë vend.

Mbase tani është koha të ndalojmë, e te flasim. Duhet të flasim për pronën, mbivendosjen, tokën.

Pa u rregulluar kjo çështje, vendi nuk do të bëjë asnjë hap para.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu