Një lajm i trishtë ka ardhur sot për botën e letrave në vendin tonë. Është ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare poeti i njohur, Arben Duka, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Lajmin e hidhur e jep kreu i UGSH Aleksandër Çipa.
“Lamtumirë Arben Duka! Mirëmbeç Poet i pavdekshëm”, shkruan ai.

Kush ishte Arben Duka
Poeti Arben Duka lind në Labovë të Gjirokastrës. Ai ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë.
Është bashkautor në rreth tre mijë këngë duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetëra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar. Është autor i mijëra vargjeve humoristike dhe satirike në shumë të përditshme dhe periodike. Duka është autor i tekstit të Himnit të Policisë së Shtetit.
Për veprimtatinë e tij ai është nderuar me çmimet “Nderi i Qarkut Gjirokastër”, “Nderi i Odries”, “Nderi i Lunxhërisë”, “Nderi i veteranëve të luftës”, “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”.



