KUSH ËSHTË FALSIFIKUESI?!

0

AV. XHABIR ZEJNUNI

Këto ditë (dhe netë!) zjarri me fishekë manovre që ka marrë përsipër Gazeta Dita (ose Nata!) me në krye “pushkatarin për ekselencë” Shokun Spartak Braho, po merr përmasa tragji-komike. Shoku Spartak Braho vazhdon me të njëjtin avaz, duke akuzuar Agron Tufën për shkelje dhe dhunim të Ligjit Nr. 10242, datë 25.02.2010 “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”. Më saktë, ai flet shumë, por nuk thotë asgjë!

Në intervistën e datës 1 maj, Shoku Spartak Braho vazhdon e sjellë si argument kryesor dhunimin e ligjit nga ballisti-hitleriani-katundari i “tufëzuar” Agron Tufa.

Ja vlen që të sillen disa fragmente të kësaj interviste, duke i bërë komentet modeste përkatëse.

S.B. “Unë kam përpara documentet. Ai ka falsifikuar përmbajtjen dhe ka shkelur ligjin nr. 102242, datë 25.5.2010, i cili përcakton statusin e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në nenin 2, pika a), të të cilit thuhet: “Periudha e komunizmit”, periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila, më pas, u shndërrua në Partia e Punës e Shqipërisë”.

“Ka një inkonsekuencë flagrante në formulim, që bie menjëherë në sy dhe që flet për falsifikim të ligjit. Fillimisht thuhet Periudha e komunizmit shtrihet nga 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, dhe menjëherë, krejt artificialisht shtohet periudha përpara datës 29 nëntor 1944. Kjo është bërë djallëzisht që t’i lihet dorë e lirë këtij palo instituti të merret edhe me periudhën e luftës”.

XH.Z. Për saktësim, është Ligji Nr. 10242, datë 25.02.2010! Këtu nuk ka asnjë falsifikim të ligjit. Me të drejtë i është dhënë më shumë rëndësi periudhës 29 nëntor 1944 deri me 8 dhjetor 1990, si periudha më kryesore, më e gjatë dhe më e dokumentuar në lidhje me krimet komuniste. Por, po ashtu me të drejtë nuk është lënë në harresë periudha përpara datës 29 nëntor 1944, pasi kjo periudhë e “shkurtër” kohore i hapi rrugën periudhës më të gjatë dhe më të errët të sundimit gjakatar komunist!

S.B. “Dua të sqaroj për ata që ende nuk e dinë ende të vërtetën: Deri në vitin 1948 Partia Komuniste ka qenë në ilegalitet. Njihej vetëm Fronti Antifashist që më vonë u quajt Fronti Demokratik”.

XH.Z. Saktë. PKSH-ja ishte një parti ilegale, duke qenë se ajo fshihej pas Frontit Nacionalçlirimtar. Plenumi i 11-të i PKSH-së në tetor 1948, e quajti të padrejtë mbajtjen në gjendje gjysmë ilegale të Partisë edhe pasi kjo ishte bërë parti sunduese e vetme në pushtet. Vendimet e Plenumit të 11-të, u botuan për herë të parë në shtyp! Si rrjedhojë, për normalizimin e jetës së PKSH, u vendos legalizimi i menjëhershëm i saj dhe thirrja e Kongresit të Parë. De jure ama, pasi de facto PKSH-ja ishte legale që nga 8 nëntori 1941 kur u krijua nga Shoku Tito! Por, të paktën Balli Kombëtar ishte një parti legale, që në fillim!

S.B. Në të njëjtin ligj, neni 2, pika b, thuhet: “Krimet e komunizmit, janë veprimet e kryera nga funksionarët e shtetit komunist për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, që kanë të bëjnë me konceptimin, përpunimin apo vënien në zbatim të masave represive, me shkelje të të drejtave të njeriut ose me akte, që përbëjnë krim, në kuptim të konventës evropiane të të drejtave të njeriut dhe kodeve penale të shoqërive të lira.”

XH.Z. Këtu Shoku Braho edhe pse në një moshë të thyer, e cila do ishte më e këshillueshme për atë që të ishte në pension, tregohet një “xhongler i vërtetë” juridik. Pasi ai na sjell Vendimin Nr. 43, datë 14.01.2009, Për propozimin e Projektligjit “Për krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri” dhe jo Ligjin Nr. 10242, datë 25.02.2010 “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”, të botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 30, datë 23.03.2010. Për të qenë më i besueshëm ai dhe Gazeta Dita, në fund të intervistës ata riprodhojnë faksimilen e Vendimit dhe jo të Ligjit. Fantastike. Tamam gjetje tipike komuniste! Por, ai harron se vlerë juridike ka ligji dhe jo projekt ligji, që e paraprin këtë ligj!

Ja vlen që të bëhet atëherë ndonjë krahasim modest mes Vendimit dhe Ligjit.

VENDIMI. Neni 1, germa b) disponon se “Krimet e komunizmit, janë veprimet e kryera nga funksionarët e shtetit komunist për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, që kanë të bëjnë me konceptimin, përpunimin apo vënien në zbatim të masave represive, me shkelje të të drejtave të njeriut ose me akte, që përbëjnë krim, në kuptim të konventës evropiane të të drejtave të njeriut dhe kodeve penale të shoqërive të lira.”

LIGJI. Neni 3, germa b) disponon se “Krimet e komunizmit” janë veprimet e kryera nga funksionarët e shtetit komunist në periudhën e komunizmit, të cilat kanë të bëjnë me konceptimin, përpunimin apo vënien në zbatim të masave represive, të shoqëruara me shkelje të tjera të të drejtave të njeriut ose me akte që përbëjnë gjenocid, krime kundër njerëzimit, si dhe krime kundër jetës dhe shëndetit të individit, në kuptim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të legjislacionit penal”.

Tek vendimi, kemi “periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990”. Me të drejtë një lexues sado i vëmendshëm që të jetë, bie në grackë kur e lexon këtë normë, pasi mendon me vete se Shoku Braho ka pasur shumë të drejtë dhe se Agron ballisti-hitleriani ka marrë në shqyrtim – duke dhunuar ligjin – periudhën para 29 nëntorit 1944, duke klasifikuar pa të drejtë si kriminelë 265 partizanë dhe drejtues partizanë.

Por, problemi është se ligji thotë “në periudhën e komunizmit”. Dhe germa a) disponon se “Periudha e komunizmit” është “periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila, më pas, u shndërrua në Partia e Punës e Shqipërisë”.

Pra, germa a) na saktëson shtrirjen kohore të “periudhës së komunizmit”, që fillon që para datës 29 nëntor dhe vazhdon deri me datën 8 dhjetor 1990. Nuk duhen harruar edhe vrasjet në kufi në periudhën që nga 12 maji 1990 deri me 8 dhjetor 1990 (që do jetë pjesë e një shkrimi tjetër)!

Tek ligji, “masat represive shoqërohen” me “shkelje të tjera të të drejtave të njeriut ose me akte që përbëjnë GJENOCID, krime kundër njerëzimit”.

Kurse tek vendimi mungon fjala “gjenocid”. Siç e dimë të gjithë, “gjenocidet dhe krimet kundër njerëzimit” nuk parashkruhen kurrë. Ndërsa tek vendimi kemi vetëm fjalën e “thatë” krim. Krim kundër kujtë?! Prandaj që Shoku Braho nuk është aq shumë i shqetësuar për listën prej 265 personash të klasifikuar si të përfshirë në krime, por tek gjetja dhe klasifikimi i atyre veprave penale, të cilat cilësohen si “GJENOCID DHE KRIME KUNDËR NJERËZIMIT”(….)! Pasi si rregull gjenocidi dhe krimi të shpien tek krimineli dhe jo e anasjletta!

S.B. “Atëherë, pyetja e parë që i lind vetvetiu një njeriu normal, pa le më një njeriu që i njeh ligjet e Shtetit: Ku e gjeti të drejtën Tufa dhe Instituti i tij të merret me periudhën e luftës dhe të botojë libra si atij të cilit iu referuam kur botuam listën me 265 emra?”

XH.Z. Hë pra ku?! Tufa e gjeti të drejtën tek zbatimi i ligjit dhe tek tagri që i është dhënë atij për të drejtuar ISKPK-në. Nëse Tufa nuk do zbatonte ligjin, atëherë po ai do ishte përgjegjës për mos zbatimin e vetë këtij ligji. Fakti që ai është i persekutuar politik, nuk do thotë se ai po abuzon me ligjin duke e përdorur atë për hakmarrje politike. Jo. Po të ishte për t’u hakmarrë, atëherë Tufa këtë hakmarrje do ta bënte (ose duhej ta bënte) që në vitin 1990. Fakti që të persekutuarit politikë u manipuluan dhe u mashtruan me forma dhe me mënyra të ndryshme pas vitit 1990, nuk do thotë që heshtja e tyre të merrej më vonë si dobësi apo fajësi e tyre për t’u denigruar në vijim nga persekutorët e tyre.

S.B. “A nuk është kjo një shkelje e hapur e ligjit? Kush ia dha të drejtën këtij instituti të cilësojë si kriminelë udhëheqësit, dëshmorët dhe heronjtë e luftës antifashiste? A nuk është ky një akt i dënueshëm?”

XH.Z. Aspak shkelje e ligjit. Përkundrazi, është zbatim i ligjit, pasi Tufa ka klasifikuar në bazë të dokumenteve një grup personash si të përfshirë në krime dhe jo se ka ai vendosur arbitrarisht se ata janë kriminelë. Këtë detyrë do jetë tjetërkush që do (ose duhet) e zbatojë.

S.B. “Ai flet për një konventë evropiane të 25 janarit 2006, ku gjoja u flitka se vrasjet e kryera nga regjimet komuniste në Europën qendrore e lindore e tejkalojnë më se dyfish numrin e viktimave të shkaktuara nga nazifashizmi”.

XH.Z. Shumë e saktë kjo që thotë Shoku Braho, pasi Tufa nuk ka llogaritur miliona ruset e vrare nga Stalini në periudhen kohore 1924-1941. Por, edhe viktimat e komunizmit nëpër botë, si në Kinë, Kore, Vietnam, Kamboxhia, Kuba, etj.

S.B. “Të gjithë shqiptarët e dinë se si e ka degjeneruar Xhufi një vit e ca më parë Tufën kur diskutohej për “Aushvicin e Tepelenës”.

Xh.Z. Ketu ka përsëri të drejtë Shoku Braho, pasi “Aushvic” kemi vetem kur pjeken dhe digjen njerëz të gjallë dhe jo kur masakrohen apo lihen pa ngrënë burra, gra dhe fëmijë. Duhet theksuar ama se patën shumë fat të persekutuarit politikë të “kampit të pushimit” të Tepelenës (sipas Shokut Xhufi) që nuk u dogjën të gjallë atë kohë!

S.B. “Ai ka shkelur edhe nenin 5 të këtij ligji, pasi ka vepruar jashtë kompetencave”.

XH.Z. Neni 5 me titull “Detyrat”, disponon se “Instituti kryen këto detyra kryesore:
a) studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist;
b) analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit”.

Në radhë të parë, duhet vërtetuar nëse ka vlerësim subjektiv të periudhës komuniste nga ISKPK-ja. Për fat të mirë, ka akoma shumë dokumente që studiojnë edhe “pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit”. Pasojat gjatë periudhës komuniste, edhe mund të pranohen prej hallit! Por, që ky komunizëm të linte pasoja edhe më tej, kjo i dedikohet vetëm komunistëve. Një ndër pasojat e “periudhës pas komunizmit”, është fakti që komunistët janë akoma në pushtet dhe përfaqësohen nga Shoku Braho e kompani. Por, këtu nuk janë pa faj edhe të persekutuarit politikë!

S.B. “Është kërkuar dhe besoj se do të realizohet shkarkimi i bordit të këtij instituti me në krye Agron Tufën për shpërdorim fondesh”.

XH.Z. Aha. Shkarkim për abuzim fondesh dhe jo për abuzim në detyrë?!
Pse nuk i bjen më shkurt Shoku Braho duke bërë si fillim një kallëzim penal në Prokurori ndaj Tufës për shkelje dhe dhunim të Ligjit Nr. 10242, datë 25.02.2010? Pastaj, le të bëhet ai avokati mbrojtës i familjarëve të atyre partizanëve që supozohet se janë përfshirë direkt apo indirekt, me vetëdije apo pa vetëdijë, me dashje apo pa dashje në ato krime për të cilat ata akuzohen me pa të drejtë nga Agron Tufa.

Dhe ta akuzojnë Agron Tufën për SHPIFJE!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu