Kur dashuria mungon, shpirti u zbraz trupave zjarrin

0
Shkruan Albert Vataj
Ndoshta ngjet shumë mizore ky përkufizim, por ballafaqimi me realen është shumë më i pamëshirshëm. Fatkëqinj janë partnerët, por më e trishtë se çdo dhimbje që kafshon kurmet e dy krijesave, që janë gati të bëjnë gjithçka për të merituar më shumë, është dashuria. Kjo ndjenjë hyjnore vjen kokëulur, ndoshta edhe e nënshtruar dhe e përbaltur në altarin e dlirësisë dhe përkortjes. Sepse vjen të ofrohet, duke dëshmuar se kjo është ajo që mund të sakrifikojë.
Askush nuk mund ta parandalojë këtë dimër të acartë, i cili kërcënon po kaq pamëshirshëm sa çdo trazim tjetër ndijimesh. E vetmja gjë që i mbetet të bëjë këtij fati të keq është të përgatisi trupin dhe shpirtin për këtë ndëshkim.
Intimiteti për ta është më pak se një një komunikim mes trupave që kërkojnë të gjejnë nevojën e shkëmbimit, mes gjithë kësaj zbraztësie që gllabëron.
Dhe vjen një ditë që ata lodhen, kaplohen nga pamotivimi, i braktis shpresa dhe dorëzohen. Shpirtrat e tyre të drobitur nga nata e gjatë rebelohën. Kërkojnë dhe ia dalin në këpusin vargonjtë e kësaj robërie dhe nisen në një rrugë të gjatë dhe plot të papritura, për të gjetur çfarë atyre u ishte mohuar, çfarë i nënshtroi ata nën një zgjedhë cfilistëse.
Sa më shumë që e tashmja e tyre lejon t’i shkulen mpleksjes prej atij tabani të ashpër, aq më shumë ngrohtësi i mbështjell kurmet e tyre të mermertë. Flenë dhe zgjohen ku gjithçka është e panjohur për ta. Toka e butë e vesa e njomë i ledh gjurmët e tyre të ndrojtur. Drita i shquan gjithnjë e më shumë, por dielli e ka të vështirë t’i ngrohë. Bari i njomë e aroma e luleve i thërret ata në një kopulim trupash e ngërthim forcash. Pijnë prej këtij nektari për të shuar një etje që veçse ndizet më keq. Preken, puthen, penetrojnë në njëri-tjetrin duke provuar çfarë është diçka që kurrë nuk i kishte lejuar të besonin dhe ndjenin.
Dalldisja i merr përpara si përmbytja dy trungje të mbetur filliak. I merr dhe i flakë sa këndej andej në pafundësinë e një dëshirimi të epërm epshi dhe dashurie. Ata nuk e dinë se çfarë po ngjet, por diçka qiellore i ka marrë në krahë dhe i përkund. Shpesh frika se po jetojnë në ëndrra i zgjon, e ashtu të tromaksur u duhet pak kohë të përmenden.
Pas pak trupat e tyre nisin e dobësohen, ylli i këtij qielli nis të shuhet, duke i lënë vendin një terri pus dhe cingëritjen e acarit që u bie përsipër si një mantel mjegulle. Diçka e ka prishur këtë ceremoni llamburitëse ndijimesh dhe përjetimesh të ethshme epshi. Ata nuk duan të besojnë se ëndrra e tyre ishte kaq e shkurtër. Gjithçka që ngjet i shtyn të kthehen nga kanë ardhur. Ajo shpërbërje trajtash dhe zbrazje ngjyrash, terratisje hijesh dhe kafshim heshtjeje, i ngjet atij dëbimi prej Edenit biblik.
Marrin trupat e zvargur e gjurmët që rrëshqahen dhe ikin atje ku dimrat janë të gjatë dhe natat mbrujtur në hijet më skërmitëse të territ. Ikin duke mbajtur të strukut thellë në zemrët e tyre të ngurtësuara shkëndijën e atij zjarri që u mësoi atyre se çfarë ishte dashuria, por nuk mundi dot t’i gatiste shpirtrat dhe kurmet e tyre për të jetuar dritshëm diellin e pasionit, dashurinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu