Haxhireja 95 vjeçe i fali ambasadës amerikane 20 milion euro

0

35 milion euro në emër të 90 vjeçares Haxhire Gurakuqi, e bënë azilin e pleqve në Tiranë një lajm lakmie…

Shkruan Sokol Pepushaj

Pleqtë e plakat, e mbuluan Haxhirenë me puthje e përqafime, me pyetje të “vështira”, ku duhej të qetësonte situatën Edi Rama me Dhomën Amerikane të Tregtisë, Djemtë e Londrës apo Shoqatën e Avokatëve.

Një moshatare e saj, pasi i uron jetë të gjatë Haxhiresë dhe argumenton se shoqja pensioniste, nën kujdesin e Edi Ramës, arriti të jetë ndër biznesmenet e mëdha të Europës…

Shperthen entuziazmi…

Si pikënisje, i shkruajnë Edi Ramës fjalët më të ndjera, kurse Erion Veliajn e lajmërojnë të mos sjellë më supë këtej nga Azili, por të vijë çdo mesditë të hajë pa lekë ai dhe stafi i bashkisë.

Pastaj i tregojnë Presidentit të Republikës se Haxhireja ka vendosur të bëhet bamirëse dhe të japë intervista në media, prandaj e meriton një medalje “Mjeshtre e Madhe”.

E pas gjithë kësaj, mendojnë për sallën dixhitale, ku Haxhireja do t’u japë mësim online pleqve e plakave se si me Edi Ramën kryeministër, fati nuk dihet ku është, në kokë, mes këmbëve apo në një fije të hollë para syve të tu që ti nuk e sheh.

Haxhireja paska pasur ambice të fshehura. Tashmë do të bëje emisione si Blendi Fevziu, Sokol Balla, EniVasili, Arian Çani e Baton Haxhiu.

Ndryshe nga Edi Rama me ‘Çunat e Londrës’, Haxhireja e di ç’bën. Po mendon jo si të mbledhë para të tjera, por si të shpërndajë këto që ka se mos ja marrin ata që ja kaluan në emër të saj.

Do të investojë për të gjithë azilantët dhe personelin buxhetor, nga drejtori e deri tek roja.

-Secili do ketë makinë, shofer, shoqërues, dashnore apo dashnor, do bëjmë jetë qeveritarësh,- deklaron Haxhire Gurakuqi…

-Rroftë Edi Rama, përfundon ligjërimin ajo.

-Haxhire, u bëre e famshme, eja tek telefoni fiks, po të marrin të SPAK-ut, e thërret një shoqe që me njërën dorë kruan prapanicën e me tjetrën mban bastunin.

Milionerja si mbaron telefonatën, përshëndet shokë e shoqe dhe shpërndan lajmin në gjithë Azilin se e kërkon Arben Kraja.

– Për kafe e ka thirrur- thotë njëra.

– Ndoshta edhe për t’i kërkuar borxh, se Haxhireja është zemërmirë.

Diskutimet janë kaq të holla, sa ne s’marrim përsipër t’i publikojmë, pasi s’duam as të prishim provat, as të ndikojmë tek drejtësia.

As ata që kanë bërë milionere Haxhirenë, s’kanë dëshirë të identifikohen.

Për identifikim e kishin thirrur ata të Spakut. I kishin thënë se po, ti je Haxhire Gurakuqi, pensioniste, azilante pa lekë xhep.

-Jo, kam lekë, 35 milion euro.

– Janë të tjetërkujt moj nënë, i kishte thënë kryespakasi Arben Kraja, -por ti shko e qetë në Azil, në burg nuk të futim.

Lajmi i bardhë u mbulua me lajm të zi në Azil.

Filluan ta shajnë Edi Ramën e Erion Veliajn, qeverinë mashtruese e SPAK-un si vegël të Edi Ramës.

-Pushoni, e gjeta zgjidhjen, s’jam kot diplomat, paratë nuk do i lëshojmë,- foli Qifja, azilanti  më i moshuar, 98 vjeç.

Pleq e plaka u grumbulluan rreth Qifes. Ai, pasi u përsëriti për të mijtën herë sukseset në diplomaci, pasi kishte punuar shofer i një bosi droge të vrarë në Angli, bëri projektin që sipas tij, nuk i thotë jo, as SPAK-u as Edi Rama as ambasadorja Yuri Kim.

Ja projekti “Qifo 1”

Për nevojat e Azilit, mjaftonin 2 million euro në qarkullim dhe dy milion në “fluturim”. Këto të fluturimit, shpjegoi “diplomati”, do jenë anonim, në Parajsat fiskale, njëlloj si të inceneratorëve, që nuk e merr vesh i pari kë ka pas, as i dyti nuk e di kush është ky përpara.

Ngelen 31 milion.

SPAK-u s’merr gjë, sipas “diplomatit”…

Qifja nuk ka shumë fjalë, por thotë se më i varfëri në SPAK është kryetari Kraja, me rreth 650 mijë dollarë të deklaruara.

-Qife, edhe Arben Kraja paska incenerator si Haxhireja jonë që rroftë 20 vjet më shumë se Edi Rama?

-Arbeni ka më shumë se incenerator, ka gruan pasanike.

Asnjë euro SPAK-ut, asnjë euro SPAK-ut, u vëndos në kor…

-Eh, gati harruam ata që lehin…

-Shyqyr që të kemi o Qife, foli Haxhireja që u ngrit në këmbë e i përkuli gishtin e mesit SPAK-ut, fukarallëkut e gjithë atyre që kanë inat Edi Ramën.

Qifja ndau 2 milion euro për mediat dhe nga dy milion të tjera për dy opozitat, të Saliut dhe dhe të Lulit që kthehet në shtator e i merr partinë Enkelejd Alibeajt.

-Ke edhe Monikën Qifo, ka hapur bllokun ajo…

-Mos e vrit mendjen, kam një kushërirën time që Monika e përdor si incenerator për resortin që vetëm ndertimi ka kushtuar 50 milion euro.

Pas këtyre ndërhyrjeve “diplomatike”, në financat e Haxhire Gurakuqit kanë ngelur 25 milion euro, me të cilat do luhet lojë e madhe.

-Rrofsh o Qife dhe Kina ‘nënën’ armiqve tanë…

-Ulu aty mbi uturak e mos mi trëmb idetë, pesë milion euro do t’i fshehim.

-Do krijojmë inceneratorë në azil Qifo?

-Jo, do i kalojmë në Qipro, atje ku ka fshehur pesë milion dollarë ai ish kryeministri çyryk, ai që i dhëmb dhëmballa edhe kur Elisa Spiropali hyp mbi kalin e Skënderbeut e shtiret sikur gjuan me shigjetë nga Sali Berisha.

-Rrofshin Qifja, Edi Rama, Yuri Kim dhe Haxhireja.

– Pusho, se më fluturuan idetë. E dini ku është sekreti që nuk merr SPAK-u kokërr leku?

-Ku di unë, ata të SPAK-ut sikur e dinin se të kujt janë-foli e përvuajtur Haxhireja.

-Ngreje lart ballin Haxhire, ja këto që mbeten, 20 milion euro, ja bëjmë dhuratë ambasadës amerikane, e kështu i mbyllim llafet. E shikoni që s’po flet askush për dëshminë e Nuredin Dumanit se Ilir Meta kishte paguar për vrasjen e Aleksandër Ndokës në Lezhë?

-Nuk e luan topi fjalën tënde, po kaq para nuk i hyjnë në sy ambasadores Yuri Kim, o Qife?

-Ulu mbi uturak, e di ti zotrote sa dollarë i dha Shqipërisë  Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker më 22 qershor 1991, dhe sa njerëz dolëm ta presim?

-Jo, nuk mbaj mend aq gjatë…

– E pritëm mbi 300 000 shqiptarë dhe na dha gjashtë milion dollarë që na i përmendin edhe sot, sikur na shpëtuan jetën…

Ky informacion e zëmëroi keq atë plakun ulur mbi uturak. Lëvizi pak anash, e kapi sahanin dhe e shpërndau cikla-cikla, duke bërtitur, poshtë Amerika… e na rrofshi Edi Rama, Yuri Kim dhe Sali Berisha!

Kaq u desh, azili u nda në dy pjesë.

Me Qifen e Haxhirenë u rreshtuan proamerikanët dhe me plakun që gjuajti me uturak shokët, antiamerikanët.

Situata u tensionua edhe më fort kur Qifja u lexoi vendimin; Haxhireja 95 vjeçe i fali ambasadës amerikane 20 milion euro.

Antiamerikanët filluan të vajtojnë me oi oi oiiiii, fjalimin e  James Baker më 22 qershor 1991, “Mirë se vini në shoqërinë e burrave dhe grave të lira… Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju…”, kurse proamerikanët të këndojnë: “Oh sa bukuri ka tufa, sa gaz bie bagëtia, na bëri milioner Edi Rama…e bekoftë Perëndia”./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu