Hajdutët po mbrojnë popullin nga hajdutët

0

Ngjan sikur votuesi është vota dhe vota është votuesi, por nuk ngjan fare se ligjvënësi është i votuari dhe i votuari është ligjvënësi. Kjo është thëmbra e Akilit. Shigjeta le të ngulet kudo, por jo në pjesën e ndjeshme, pikën e dobët, votimin me “Lista Partie”.

Shkruan Sokol Pepushaj

A po shkojmë vitin tjetër në zgjedhje me një reformë të mirë? A do të kemi një parlament pa kriminelë, hajdutë e milionerë? A do të votojë populli me vullnet të për ligjbërësit e vet?

Gjithmonë, pas raporteve përfundimtare të OSBE- ODHIR-it, është thënë se u vu dorë mbi “plagët”, por asnjëherë nuk u shërua plaga.

Pra, asgjë e re, të thuash se po, kësaj here do të marrin fund këto sëmundje që na largojnë nga BE dhe që na nxjerrin edhe opozitën në rrugë, asgjë e re nuk është e bardha mbi të zezë e gazetës gjermane “Bild”, ku Damian Gjiknuri ngre “tërmet” në kuti votimesh, asgjë e re nuk është se Bundestagu gjerman na ka vënë “kufirin tek thana” për hetimin të dosjes 184, ku i përfshirë në vjedhje votash del edhe Edi Rama, apo asaj me nr. 339 ku kryebashkiaku i Durrësit blen haptas vota me personazhe dhe para kriminale.

E reja është se pikërisht aktorët e vjetër po ja heqin vetes vesin e vjedhjes. Kështu thonë ata, se këtë herë nuk do të vjedhin asnjë votë. Kanë ulur kokën, kanë pushuar debatet, janë bërë qengja të butë dhe janë penduar secili për “prapësitë” e kryeneçësitë egoiste. Janë fiks Damian Gjiknuri, Oert Bylykbashi që kanë fshirë me gomë gjithçka të derisotshme. U betuan në ndershmëri se këtë herë Reforma Zgjedhore do të jetë pa asnjë të metë, se nuk do të lejojnë njëri-tjetrin të vjedhin vota.

Pra, gjyqtarët, OSBE dhe ODHIR, i kanë tërhequr “kartonat e kuq” për ndeshje bandash, ku me hile ka fituar më e forta. Viktima ka falur dhunuesin.

Opozita, pavarësisht se doli nga parlamenti për hile dhe vjedhje votash, ka shkuar afër arbitrave dhe pret. Po, opozita tashmë nuk pret të burgoset Damian Gjiknuri, po as Gjiknuri nuk pret të mos marrë sërish vota me forcë, pasi po dakordësohen që të kapin ç’të kapin, secili për vete. Pas votimeve të vitit të ardhshëm, le të zihen prapë e të mblidhen po pas katër vitesh në ritualin e leverdisshëm të tyre. Ndryshe këta, uji nuk i nxjerr në breg, por i përpinë e nuk hyjnë më as në parlament, as janë të privilegjuar e me pasuri sheikësh.

Kanë rënë dakord Oert Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri që të “pastrojnë” votën. Kjo tingëllon bukur për OSBE-në dhe ODHIR-in, që bëjnë gati takime e shkresa sikur po bëhet nami.

Ata këtë punë kanë, të bëjnë ca raporte që sërish të mblidhen pas katër vitesh e të arnojnë ca ligje, si sot.

Ngjan sikur votuesi është vota dhe vota është votuesi, por nuk ngjan fare se ligjvënësi është i votuari dhe i votuari është ligjvënësi.

Kjo është thëmbra e Akilit. Shigjeta le të ngulet kudo, por jo në pjesën e ndjeshme, pikën e dobët, votimin me “Lista Partie”.

Pra, hajdutë e ndërkombëtarë këto ditë po kuvëndojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe po bëhet çdo gjë.

E ç’tërmet ishte ai i Damian Gjiknurit me vjedhje votash? Po Dibrës së Madhe sa kalaja, s’ka ç’i bën topi s’ka ç’i bën murtaja, ndaj durojnë prapë tërmete votash Malet e Dibrës.

E kur tërmetin e durojnë malet, fushat ç’kanë që ankohen?

Pastaj, vetë partitë duan lista, jo emra që t’i nxjerrin para popullit. A vëreni, qoftë edhe një forcë politike që kërkon votim të drejtpërdrejtë, pra mazhoritar?!

Asnjëra. Kjo është spiranca e hajdutëve, t’i shmangen votimit të drejtpërdrejtë, pasi votuesi i zhgënjyer, me zor pret t’i pështyjë të gjithë në surrat, t’i përçmojë duke mos u dhënë kokërr vote.

E zëmë se dikush pyet se qershorin e ardhshëm, ku do të shkojnë ato votat e vjedhura nga Edi Rama?

Kjo është çështja, si do të ndahen votat. Për atë punë janë mbledhur ata, të “zgjuarit” e të “djegurit”për drejtësi.

Pra, po mendojnë që populli të jetë i lirë të votojë si të dojë, por me sistemin proporcional. Votat do jenë grumbull, aty nëpër kuti, dhe këta thjeshtë po bëjnë rregulloren si do t’i ndajnë mes vetes.

Gara nuk bëhet për deputetët, bëhet për parti.

Partitë nuk janë të varfëra, si populli.

Liderët e tyre, deputetët e tyre, lënë prapa ku e ku me rroga Barack Obamën, Bill Clinton-in, apo George W. Bush-in.

Llogaritë bankare të çdo lideri në perëndim shtohen disa herë më pak se të çdo deputeti a pushtetari tek ne.

Nëse nuk diskutohen votat, por kush i grumbullon dhe i ndanë ato, don të thotë se beteja nuk ka mbaruar.

Ka ende kohë që të ketë zhvillime krejt të tjera, ku sistemi mazhoritar, t’i këputë lidhjet e krimit me politikën.

Koha e mirë, ku hajdutët mbrojnë popullin nga hajdutët, pritet të prishet shumë shpejt./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu