Duhen zbardhur takimet e McGonigal me prokurorët në Shqipëri

0

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka kërkuar sot që institucionet e drejtësisë shqiptare të nisin hetimet për çështjen “McGonigal”, për vizitat dhe takimet e ish-drejtorit të FBI në Shqipëri. Kjo deklaratë e tij është në një linjë me atë të Berishës, i cili u shpreh këtë të martë se McGonigal ka takuar gjyqtarë e prokurorë.

“Është e rëndësishme që të zbardhen takimet e tij me të gjithë personat që punojnë në prokurori, që punojnë në SPAK, që punojnë në gjykata dhe a ka patur ndërhyrje për zbatimin e reformës në drejtësi, duke manipuluar në emër të Departamentit të Drejtësisë apo të FBI-së, ku ai mbante një pozicion shumë të lartë”, u shpreh Meta.

Në një intervistë për emisionin “Debat” në A2CNN, Meta shtoi se “ky skandal dokumentoi se Rama korruptonte zyrtarë të lartë ndërkombëtarë për t’i përdorur ata në interes të luftës së brendshëm politike për të përçarë opozitën, për të forcuar autokracinë e tij”.

A është e provueshme se ku e ka shkelur ligjin kryeministri Rama në këtë histori?

“Vetë fakti që emri i tij përmendet 14 herë në dosje tregon implikimin e tij në këtë çështje. Është i vetmi zyrtar i lartë në rajonin tonë. Në hetim janë të gjitha komunikimet jo vetëm me Ramën, por edhe persona të tjerë, anëtarë qeverie apo deputetë. Nga ato fragmente që kemi parë të akuzave se përse personi A do t’i jepte 225 mijë dollarë këtij zyrtari të lartë të FBI-së kundër opozitës, për të hetuar një lobist kundër opozitës shqiptare”.

A duhet të nisë hetimet drejtësia shqiptare për këtë çështje?

“Nuk e di se çfarë duhet të bëjë SPAK, por kjo çështje duhet të kishte nisur që në momentin që gjithçka u bë publike, pasi akuzat janë bërë publike. Përfshirja jo vetëm e Ramës, por edhe të personave të tjerë nga Shqipëria është evidente dhe është detyrë e institucioneve shqiptare që ta ndjekin këtë çështje sepse është e një rëndësie të madhe. Kjo është një thikë mu në zemër të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Njëkohësisht, ky rast tregon edhe sesi përdoret në mënyrë të paligjshme zyra dhe pushteti i kryeministrit në mënyrë antikushtetuese për të goditur opozitën dhe pluralizmin”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu