23.5 C
Tirana
E dielë, 19 Maj 2024
Ballina Hapësirë “Rama i dërgoi informacione McGonigal për …”/ Berisha: Ish-agjenti i FBI u...

“Rama i dërgoi informacione McGonigal për …”/ Berisha: Ish-agjenti i FBI u shpërblye me miliona euro

0

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e qeverisë, Edi Ramën se i ka dërguar informacione ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal për kompaninë lobiste të Partisë Demokratike, me qëllim goditjen e opozitës.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së PD, Berisha foli për dy takime të zyrtarit të SHISH, Agron Nezës në vitin 2018, ku sipas ish-kryeministrit, ai i dha informacionet agjentit të FBI-së me porosi të Ramës.

Kryetari i PD-së tha gjithashtu se McGonigal është përdorur edhe për afera të tjera korruptive, për të cilat ka marrë miliona euro. Sipas Berishës, Rama e angazhoi McGonigal për të ndihmuar Vangjush Dakon pas shpalljes non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Berisha: Është një veprim, i cili përveç aktit që bën ndaj vendit mik, përdor për të instaluar monizmin dhe opozitën false në Shqipëri. McGonigal është në një hetim të gjithanshëm në SHBA. U përket autoriteteve amerikane të qartësojnë deri në 1, lidhjet e tij agjenturore apo korruptive me Shestakovin, Fokin, me Deripaskën dhe të tjerë.

Lidhjet e tij me Edi Ramën janë më të turpshmet në historinë e këtij vendit. T’i lejojë vetes Shqipëria të korruptojë një qenie të dobët që nuk duhet të ishte kurrë në atë vend që ishte ai, dhe të mos njoftojë aleatin tonë strategjik, është bashkëpunim në një krim të shëmtuar kundër SHBA-së, Shqipërisë, NATO-s dhe kundër çdo vendi të lirë.

McGonigal dhe Marc Rossini, ortaku i tij, janë angazhuar haptas në veprimtari kriminale antishqiptare për llogari të Edi Ramës. Qëllimi i tyre ka qenë asgjësimi i opozitës shqiptare. Nga viti 2014, rezulton se Marc Rossini, një person që nuk e kisha dëgjuar kurrë, bënte akuza ndaj meje për kukull të Putinit. I përsëriste këto akuza në vitin 2019 në televizionet e Edi Ramës. McGonigal nuk është duar jashtë për asgjësimin e opozitës shqiptare. Ajo ç’ka është publikuar, është se më datë 4 janar të 2018-ës, ish-oficeri i sigurimit të shtetit, Agron Neza, i dha atij informacione për kompaninë lobiste të Partisë Demokratike.

Ajo ç’ka është vërtetuar, që po ky oficer i SHISH, i dha atij informacione të reja për lobimin e kësaj kompanie më datë 16 janar të vitit 2018. Këto informacione, biznesmenit, të lidhur si mishi me thoin me McGonigal dhe ish-oficerit të SHISH, ja dha zyra e kryeministrit Edi Rama. Pra, del e qartë se fuqia e institucionit më të fuqishëm të fushës në SHBA, u përdor për qëllime private nga Edi Rama, duke korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së.

McGonigal, u përdor gjithashtu dhe për afera të tjera korruptive. Për licensa. Ai u shpërblye me qindra dhe miliona euro. Me 225 mijë euro thuhet në dokument, por edhe me miliona të tjera thuhet gjerësisht. Ai u angazhua nga Edi Rama për të ndihmuar miqtë e tij të ngushtë, Vangjush Dakon,   të shpallur non-grata nga DASH. Gjithë këto zhvillime dëshmojnë se mafia në pushtet, përbën pushtetin më të rrezikshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu