Bomba e ekstradimit të “Peshqve të Mëdhenj” mes SHBA- Shqipëri: Gjithçka nisi…

0

Ka ngjallur mjaft pikëpyetje dhe çudi marrëveshja e firmosur mes ambasadores Amerikane në Tiranë, Yuri Kim dhe ministres shqiptare të drejtësisë për çështjen e esktradimit.

Ka qenë një zhvillim mjaft i fortë, i cili nga ana tjetër është ende mjaft misterioz, pasi nuk është bërë e ditur teksti i marrëveshjes së re.

Bëhet fjalë për një marrëveshje të rinovuar, pasi Shqipëria me SHBA-në kanë pasur një marrëveshje të tillë të firmosur që në vitin 1933.

Marrëveshje e cila realisht plotëson të gjitha nevojat për çështjen e ekstradimit dhe ka një hark mjaft të gjerë krimesh penale që mbulon.

Bëhet fjalë për 26 vepra penale nga vjedhja, grabitja, vrasja, pirateria detare, e deri tek trafiku i narkotikëve, pastrimi i parave dhe mashtrimi bankar dhe monetar.

Por përse atëherë u firmos një marrëveshje e re?! Përgjigja është “rasti Rrapo” por jo vetëm.

Almir Rrapo, ish-këshilltari i Ilir Metës kur ishte ministër i Jashtëm u dënua në SHBA për trafikim narkotikësh dhe u ekstradua nga Tirana, ndërkohë që ka shkuar në ambasadë për të rinovuar vizën.

Por ç’ndodhi?

Mbrojtja e Rrapos që përbëhej nga grupi avokator më i shtrenjtë në Shqipëri, arriti të kundërshtonte ekstradimin e tij që nga gjykatat shqiptare, e deri në Gjykatën e Strasburgut. Madje ka edhe një vendim të posaçëm për “rastin Rrapo”. Vendim i cili i jep mundësinë që në një rast të ngjashëm çështja të rishkojë sërish në gjykata, por gjithsesi mundet që precedenti i Strazburgut të ndikojë në rastet e tjera.

Thelbi i vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që është edhe Gjykata më e lartë që Shqipëria ka si juridiksion, është se nuk mund të ketë ekstradime pa një vendim të prerë.

Ndaj dhe çështja është e qartë se përse është rinovuar marrëveshja dhe këtë e ka bërë të ditur vetë ambasadorja e SHBA-së në Tiranë.

E në këtë rast, ekstradimi ndodh edhe nëse nuk ka një vendim gjykate në SHBA apo në Shqipëri për të ekstraduar baronë të krimit apo “Peshqit e Mëdhenj”.

Thënë më thjesht: nëse Adriatik Llalla që është cilësuar “Non Grata” në SHBA për korrupsion, ka ndonjë hetim nga një strukturë federale në SHBA për këtë vepër Penale që thotë Departamenti i Shtetit, ai mund të ekstradohet në një burg federal amerikan. Por ky rast nuk duket të jetë i vetmi.

Marrëveshja e firmosur nga ambasadorja amerikane në Tiranë dhe ministrja shqiptare e Drejtësisë, është një nga lëvizjet finale dhe më të mëdha për të kapur në rrjetë peshqit e mëdhenj, apo më shumë për t’i kërcënuar ata që të mos luajnë me zjarrin.

Bëhet fjalë për emrat më të lartë të politikës, të cilët mund të përdorin pandëshkueshmërinë e tyre dhe privilegjet për tu fshehur nga drejtësia apo për të kërcënuar zbatimin e saj.

Siç ndodhi ditë më parë kur Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi kërcënuan kreun e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Calavera, në një mision tipik mafioz shantazhi.

Por menjëherë ka ardhur përgjigja e SHBA-së, e cila është edhe kujdestari kryesor i betejës antikorrupsion në Shqipëri.

Shqipëria ka pasur një marrëveshje ekstradimi me SHBA-në që në vitin 1935 që e ka firmosur Faik Konica kur ishte ministër Fuqiplotë në Uashington. Ajo marrëveshje garanton në mënyrë të plotë që çdo qytetar i dënuar në SHBA për një krim të caktuar dhe që jeton në Shqipëri mund të ekstradohet dhe anasjelltas.

Por në këtë rast bëhet fjalë për një zhvillim më të rëndësishëm se kaq, dhe këtë e ka bërë të ditur vetë ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila në mënyrë të hapur flet për krime të “ekstradueshme”.

“Ky Traktat Ekstradimi siguron një kornizë moderne, e cila do t’i mundësojë Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të përballen në mënyrë më efikase me sfidat dinamike të paraqitura nga krimi ndërkombëtar. Ky traktat nuk i kufizon më veprat e ekstradueshme në një listë të thjeshtë. Fushëveprimi është zgjeruar për të pasqyruar konceptet moderne në luftën kundër krimit dhe natyrën e fortë të marrëdhënies sonë të sigurisë. Ky traktat siguron një tjetër armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve të cilët përpiqen të fshihen pas kufijve”, deklaroi ambasadorja Kim.

“Krime të ekstradueshme” është pikërisht vepra penale që edhe pse mund të ndodhin në Shqipëri, por japin efektin e tyre në SHBA, ata mund të kthehen kryesisht në bazë për hetimet e FBI-së amerikane e që më pas ekstradojnë personin nën hetim.

Për ta thënë më thjesht: bëhet fjalë për modelin që SHBA ka përdorur me krerët e karteleve të drogës në Amerikën Latine. Frika e ekstradimit çoi bosin e kartelit të Medelinit në Kolumbi Pablo Escobar që të digjte e ta fuste vendin e tij në kaos, më pas krerët e kartelit të Cali-t sërish në Kolumbi u ekstraduan në SHBA, apo siç është rasti i fundit i bujshëm i El Chappo-s.

“Nuk do të ketë asnjë strehë të sigurt, këtu apo në Shtetet e Bashkuara, për të arratisurit që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë. Personat e kërkuar për ndjekje penale ose për kryerjen e një dënimi, për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati”, tha ambasadorja Yuri Kim. E kjo frazë duket se i ka vënë kapakun gjithçkaje. Uragani, duket se po nis…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu