Gustave Courbet, babai themelues i artit modern, piktori që luftoi për të çliruar njeriun nga obskurantizmi i kohës

0

Shkruan Albert Vataj

Ai ishte njëri prej atyre piktorëve që shkroi historinë e artit, por nuk preferoi t’i ngjante askujt, dhe gjithçka që krijoi i përkiste atij dhe vetëm atij. Nuk kishte ardhur për të themeluar armiqësi por për të prishur rregulla. Të gjithë kishin të drejtë të “çmendeshin” dhe pak prej tyre i shpëtuan këtij tundimi, por ai zgjodhi një mënyre të pagjasshme ta manifestonte këtë. Jetoi dhe jetësoi artistikisht gjithçka sipas një kodi të përpiluar prej tij, ndoshta për të injoruar të gjitha praktikat e mëhershme dhe ato aktuale, ndaj të cilave ai kishte rezerva. Ndoshta nuk ishte dhe aq bota problemi, se sa vetë ai. Gjithëpoaq asgjë nuk e trazoi syprinën ku do të notonte anija e tij, më shumë se sa nevoja për të ndërtuar gjithçka nga zëfillja. Mbi këtë taban gjithnjë nën lëkundje ai ngriti tempullin e tij krijues, atë që do të zgjonte interesim dhe të kërkonte vlerësim dhe konsideratë e merituar, vetëm pas vdekjes.

Gustave Courbet ishte një lloj Caravaggio i kohëve moderne, rebel në jetë dhe i jashtëzakonshëm në artin e tij shprehës. Nëse anglezi Turner paraqiste në telajo energjitë e natyrës dhe Monnet me tablotë e tij impresioniste peshën e lehtë të dritës, Courbet në skenat e tij të gjalla dhe realiste, ai rrëfente peshën specifike të shpirtit të botës. Pak a shumë ky është profili i një piktori që bëri epokë, i atij që arriti që të merrte nga realiteti momente dhe episode që i shndërroi në kryevepra arti.

Gustave Courbet u lind më 10 qershor të vitit 1819 në qytetin e Ornanit në Doubs, në veri-lindje të Francës. Vdiq më 31 dhjetor 1877, La Tour-de-Peilz, Zvicër. Ai në historinë e arti hyri si udhëprijësi i lëvizjes realiste. Gjithashtu, me veprat e tij të ububushme ka luajtur një rol të rëndësishëm në modernizimin e artit!

Piktura “Origjina e botës” është një punë e porositur dhe konsiderohet si vepra e parë artistike me tematikë erotike që provokoi skandalin e kohës. Në këtë pikturë ai trajton nuditetin femërorë me fokusim të qëllimshëm intimitetin e saj.

*** “Në kornizën e asaj tabloje, një perde veluri hapej ngadalë duke zbuluar seksin e një femre. Personazhet që ndodheshin në atë sallon duke shqyer sytë, papritur lëshonin pasthirrma. Kurrë në jetën e tyre nuk kishin parë një tablo të tillë. Ishte një kryevepër…Kjo ndodhte në Paris, në vitin 1867, në sallonin e ambasadorit otoman, i cili ishte një pinjoll i familjes shqiptare të Mehmet Aliut të Egjiptit. “Origjina e botës”…Kjo tablo e famshme e pikturës erotike botërore dhe një nga emblemat më të njohura të saj, gjendet sot në Musée d’Orsay, në Paris. Me historinë e kësaj tabloje lidhen emra të shumtë të botës artistike parisiane të asaj kohe, që nga autori i saj Gustave Courbet (Kurbe), duke vazhduar me Saint-Beuve, Theophil Gautier, Flaubert, vëllezërit Goncourt e mbi të gjitha pronari i saj i parë, Halil Beu (Khalil Bey, apo siç quhej ndryshe dhe Khalil Sherif Pasha). Shpeshherë piktori Courbet e kishte pyetur veten se përse ai ambasador simpatik preferonte aq shumë nudot dhe për më tepër i kishte kërkuar t’i pikturonte diçka që askush nuk kishte guxuar ta pikturonte deri në atë kohë: seksin e femrës. Një ndërmarrje e çuditshme, e çmendur, madje e rrezikshme. Edhe pse Parisi ishte mbushur me “maison close” apo ndryshe “shtëpitë publike”, censura nuk mund ta pranonte ekspozimin në publik të një tabloje të tillë. Ishte viti 1866 dhe figura e asaj gruaje të shtrirë u krijua e gjymtuar, në një kuadër jo fort të madh, pothuaj me përmasa natyrore: 46cmX55 cm dhe ku imazhi pritej sipër gjunjëve dhe fill mbi gjoks. Kurrë ndonjë piktor i periudhave dhe epokave të mëparshme nuk kishte guxuar ta paraqiste këtë imazh “flagrant”. As afresket e Antikitetit në Pompei (në lupanarët e ngushtë rrethuar me afreske dhe skena seksi), as duart e një Botiçeli, Ticiani, Memling, Raffaelo… Ndoshta Courbet ishte i sigurt për fatin e hidhur të tablosë së tij, duke menduar se ajo do të zhdukej shumë shpejt. Ishte si një vdekje e paralajmëruar. Cili vallë do të ishte inkuizitori i saj? Në ç’turmë drush do të digjej?” Luan Rama

Ishte një piktor me syrin dhe sensin e alkimistit vizual. Ai ka ngritur vetë bazat e stilit të tij! Në homazhet për mikun e tij, Jules Vales mësohet të jetë shprehur se “Kam patur një jetë të bukur ashtu siç e doja, që nga rinia e deri në vitet e fundit. Kam luftuar për të çliruar njerzimin nga obskurantizmi i kohës.

Courbet u rebelua kundër pikturës romantike të kohës së tij, dhe e shprehu këtë pozicionim duke kërkuar tematikën e tij krijuese në ndodhitë e zakonshme të së përditshmes. Pikturat e tij të mëdha të pasuruara me ngacmues, të tilla si “Studio e artistëve” (1854-55), provokuan kritika të ashpra. Periudha e pas vitit 1860, në veprën e Courbet u dallua mbizotërimi i sensualitetit dhe ngjyrave.

Gustave Courbet ishte i mendimi se: “Imagjinata në art konsiston në aftësinë për të gjetur shprehinë më të plotë bazuar mbi diçka gjë ekzistuese, jo bazuar mbi diçka që ti e hamendëson apo e krijon vetë.”

Mund të thuhet se ai ishte mospërfillës për heronjtë e simbolet, për rregullat dhe shkollat, për traditën dhe idhujt. Preferoi dhe ndoqi shtegun nga e çoi talenti dhe pasioni vetjak edhe pse këtë u desha ta paguante shtrenjtë. Courbet i përkiste një kohe të stuhishme zhvillimesh. Punonte në një shoqëri që ishte në vlim e sipër, ku erërat e socializmit, të votimit të përgjithshëm dhe të liberalizimit kishin nisur të frynin gjithë vrull në tablonë Historisë. Realiteti, thoshte ai, mund të pikturohet edhe pa e njohur apo pa e parë fare atë. Realiteti jemi ne. Ai ishte bashkëkohës me gjigandët e letërsisë, Balzac, Zola, Flaubert, Dickens apo Dostoevskij, të cilët si ai e pasqyruan realitetin shpirtëror në romanet dhe krijimtarinë e tyre letrare. Arti i vërtetë, letërsi apo pikturë qoftë, nuk shket asnjëherë butësisht, por i kafshon fort gjërat dhe njerëzit, duke i përzierë mirë. Edhe dashuria përfshihet nga ethet e modernizimit që është duke përparuar, duke u bërë më fizike dhe më sensuale si në fjalë, ashtu dhe në veprime.

Fatkeqësisht reputacioni i Courbet ka vazhduar të rritet pas vdekjes së tij më 31 dhjetor 1877. Kundërshtarët e përbetuar e paragjykuan veprimtarinë e tij krijuese si e ndikuar nga pikpamjet e tij politike, duke injoruar faktin se qëndrimet e tij janë indicie e bujarisë dhe dhembshurisë. Me gjithë këtë oponencë dhe kundërshti qëllimligë ndaj tij, ai vazhdoi i vetëm kundër të gjithëve duke mbetur në historinë e artit si piktori që ushtroi ndikim të fuqishëm në lëvizjet moderne që udhëpërshkuan artin me veprën e tij. Ai u ofroi gjeneratave pasardhëse të piktorëve, jo aq shumë një teknikë të re, se sa një filozofi tërësisht novatore. Qëllimi i pikturës së tij nuk ishte, siç e kishte orjentuar shkollarizmi i kohës së tij për të zbukuruar apo idealizuar realitetin, por për ta riprodhuar atë me saktësi. Courbet arriti ta çlironte pikturën nga klishetë artistike, idealizmin e kompozuar dhe modelet e kohës.

XIR19189 Pierre Joseph Proudhon (1809-65) and his children in 1853, 1865 (oil on canvas) (see 99577 for detail) by Courbet, Gustave (1819-77); 147×198 cm; Musee de la Ville de Paris, Musee du Petit-Palais, France; French, out of copyright

I lindur në një familje të pasur në qytezën Ornans në vitin 1819, ai mbërriti në Paris më 1839-ën, duke shkuar me banim në Quartier Latin, në modë që atëherë deri tani, edhe pse çmimi i qirave ishte i ndryshëm. Bashkëkohës i shkrimtarit të madh Viktor Hygo, atij të ”Të mjerëve” dhe i Karl Marksit, atij të ”Kapitalit”, ashtu si çdo socialist që donte të respektohej, ai kishte lënë t”i rritej një mjekër e madhe. Mbi krye ishte një udhëheqës si Napoleoni III, që vlente shumë më pak sesa Napoleoni i vërtetë, ai i pari. Dhe, sa i takon marrëdhënieve me këtë njeri politik, mund të thuhet se ishin një lloj raporti i përhershëm dashuri – urrejtje. Por edhe ai, si çdo njeri i pushtetit, duke mos dashur t”ia dijë se ç”mendonin intelektualët për të, përpara pikturave të Courbet-së, ai bënte shakaxhiun. Thuhet se duke parë format e bollshme të një prej ”Të lagurave” të famshme, perandori i dha një fshikullimë me kamxhik telajos.

Gjithsesi, Courbet e kishte mjaft për zemër për të pohuar lirinë e vet dhe mungesën e vartësisë nga pushteti dhe nga rregullat. Për ta dëshmuar këtë, bashkë me miqtë e tij socialistë, shkoi në Place Vendome dhe u rrek të rrëzonte obeliskun. E futën për disa javë në burg, ku u kufizua vetëm me vizatimin e natyrave të vdekura. Kur disa vjet më vonë donin që t”i ngarkonin shpenzimet për rikonstruksionin e kolonës, ai vendosi të emigronte në Zvicër, ku në moshën 58-vjeçare, për shkak të problemeve në mëlçi, vdiq ditën e fundit të vitit 1877.

Të gjitha trajtesat artistike të Gustave Courbet kanë logon e tij shprehëse. Ata janë saktësisht ai realitet për të cilin ai flet, të cilin ndoshta nuk e shohim, por që arrijmë ta sjellim nëpërmjet artit ashtu siç vetë artisti e ka përjetuar shpirtërisht atë. Peizazhi me dëborë, dallgët, vajzat që flenë, kopulimet e pafajshme, lakuriqësitë e dlira, shkujdesjet e të zakonshmes, janë të gjitha Gustave Courbet. Të gjitha janë të tij, përnga tematika, impresioni shprehës, ngacmimi emocional, thellësia e mendimit dhe energjia përçuese në një përfshirje të fuqishme dhe dritmërisht të lartë, siç vetë ne kemi nevojë t’i jepemi artit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu