“Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të Epirotëve” nga Marin Barleti

0
Shkruan Albert Vataj
“Historia e Skënderbeut”, e shkruar në latinisht nga Marin Barleti, prift shkodran, u botua për herë të parë në Romë rreth viteve 1508 – 1510. Kjo vepër monumentale historike tregon jetën dhe veprën e heroit legjendar të kombit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
E përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët evropiane dhe, mbas 500 vjetësh, edhe në gjuhën amtare të Barletit, shqipëruar nga Stefan l. Prifti, ajo përfaqëson ungjillin e patrotizmit shqiptar. Me këtë vepër, Barleti u ka lënë të gjallë breznive figurën e ndritur të Skënderbeut, princit të epirotëve dhe mbrojtësit të krishtërimit.
Marin Barleti, i cili mund të konsiderohet si babai i studimeve mbi Skënderbeun, ka përdorur një stil panegjirik dhe ka shtuar fjalime të krijuara për të theksuar figurën e Skënderbeut. Megjithatë, vepra e tij mbetet më e rëndësishmja mbi të cilën vazhduan studimet mbi Skënderbeun për shekuj me radhë. Pavarësisht kritikave për shtrembërime të mundshme, zbulimet arkivore kanë vërtetuar shumë nga statistikat e tij në mënyrë të pabesueshme duke e vlerësuar veprën e Barletit si referencën kryesore të pasqyrimit të asaj periudhe.
“Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis” (Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të Epirotëve, Romë, midis viteve 1508-1510), të cilës i janë bërë jo vetëm shumë ribotime në gjuhën e origjinalit, latinisht, por në fillim të shekullit XVI edhe ribotime nga përkthimet në gjuhët kryesore të Evropës si gjermanisht (1533), italisht (1554, 1560), portugalisht (1567), polonisht (1569), frëngjisht (1576), spanjisht (1582), anglisht (në fund të shekullit)… Përkthimit shqip në vitin 1965, i janë bërë dhe tri ribotime të tjera para ’90-s si dhe një ribotim, pas vitit 1990.
Vepra u përkthye në shumë gjuhë evropiane (Faksimilet e fotove janë gjermanisht) dhe u ribotua shumë herë gjatë shekullit të 16-të, duke e bërë atë një ndër burimet më të qëndrueshme dhe të qasshme për studimin e epokës së Skënderbeut.
Ajo ka shërbyer si një ndihmë e madhe për shkencën e historisë dhe është një vepër tipike humaniste me një fjalor artistik të veçantë.
“Skënderbeu” i Barletit udhëhiqet nga ide të larta morale. Kur çliron Krujën, përpara qytetarëve të lirë ai mban një fjalim të zjarrtë: “[…] Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. […] Armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat dhe në ushtat” (I: 94, 95). Artin e tij të përsosur luftarak Skënderbeu e demonstron me taktikat dhe strategjinë e betejave, që janë përherë taktika të reja, me të cilat ai i njeh gjithnjë edhe ushtarët e tij para luftimit. Ja si u flet sfetigradasve para betejës së Sfetigradit: “[…] O sfetigradas, […] Gjer tani ne kemi luftuar për fitoren, për nderin e mbretërisë, tani ju duhet të luftoni për shpëtimin, për lirinë, për muret e atdheut […]” (IV: 235).
“Historia e Skënderbeut” e Barletit ka mbijetuar testin e kohës si një dëshmi e jashtëzakonshme për jetën dhe veprat e Skënderbeut, duke u bërë një pjesë e pandashme e identitetit kombëtar shqiptar dhe një burim i pashtershëm i inspirimit për brezat e ardhshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu