Shkruan Zef Ndreka
– Çfarë përfiton Kosova nga përfshirja në një konflikt politik të Shqipërisë.
E nxori kokën edhe Albin Kurti, për të folur për rrëzimin e Ramës!
Pas një heshtjeje disa javore, kryeministri i Kosovës u prononcua hapur për zhvillimet politike në Shqipëri. Ai foli për demokracinë, oligarkinë, drejtësinë dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë. Por foli edhe për Vetëvendosjen, duke mohuar përfshirjen e saj në protestat e Tiranës.
Deri dje, megjithatë, në protestat e Tiranës shfaqeshin edhe grupe nga Kosova, me thirrje që nuk kishin shumë lidhje me kauzën fillestare të protestës: «UÇK» dhe «Albin Kurti kryeministër i shqiptarisë».
Përsëri shtrojmë pyetjet:
Çfarë kërkojnë kosovarët në Tiranë?
Në emër të kujt vijnë?
Mbi të gjitha, me çfarë të drejte një grupim politik apo militantësh nga një shtet tjetër kërkon të ndikojë në rrëzimin e qeverisë së një shteti sovran?
Solidariteti kombëtar është i mirëpritur. Mbështetja për demokracinë dhe drejtësinë është e domosdoshme. Por Shqipëria nuk ka nevojë për importimin e betejave politike të Kosovës, po ashtu, as Kosova nuk ka nevojë të bëhet instrument i konflikteve të brendshme shqiptare.
Kurti thotë se Vetëvendosja nuk hedh gurin dhe nuk fsheh dorën. Një deklaratë kjo që kërkon më shumë se një mohim politik, që kërkon transparencë për çdo lidhje, organizim apo përfshirje konkrete të strukturave politike në këto zhvillime. Pavarësisht se deri tani, deklaratat dhe prania e individëve nuk provojnë vetvetiu një organizim nga Vetëvendosja.
Por ka edhe një kontradiktë tjetër. Kosova ka ende sfida të mëdha për konsolidimin e institucioneve, stabilitetin politik dhe ndërtimin e një shteti funksional e demokratik. Për këtë arsye, është e vështirë të kuptohet se çfarë përfiton Kosova nga përfshirja në një konflikt politik të Shqipërisë.
Nuk besoj se Edi Rama mund të rrëzohet nga grupe radikale, nga thirrje nacionaliste, nga militantë të importuar apo nga një protestë që nuk ka një përfaqësim të qartë qytetar dhe një platformë të përbashkët politike. Aq më pak mund të ndërtohet një alternativë demokratike përmes dhunës dhe kaosit.
Shqipëria ka realisht problemet e veta. Qeveria Rama duhet të përballet me përgjegjësitë e saj, ndërsa opozita duhet të ofrojë një alternativë reale. Kjo është çështje e qytetarëve shqiptarë dhe e institucioneve kushtetuese të Shqipërisë.
Ndërsa Albin Kurti, në vend që të lërë hapësirë për dyshime e interpretime, duhet të jetë më i qartë për raportin e forcës së tij politike me zhvillimet në Tiranë.
Nuk mund të flasësh për demokracinë shqiptare vetëm kur ajo të shërben si platformë politike. As nuk mund të kërkosh respekt për sovranitetin e Kosovës, duke harruar se edhe Shqipëria ka sovranitetin e saj.
Në fund të fundit, shqiptarët nuk kanë nevojë për një garë se kush do të bëhet kryeministri i shqiptarisë. Kanë nevojë për dy shtete serioze, demokratike, funksionale dhe me institucione që respektojnë njëri-tjetrin.
Albin Kurti si struci… Kur protesta në Tiranë merr ngjyrat e politikës së tij, ai del e flet për demokracinë, por kur lindin pyetjet për përgjegjësinë politike, zgjedh të mohojë çdo lidhje.
Shqiptaria nuk është pronë e askujt. As e Ramës, as e Berishës dhe as e Kurtit, por e shqiptarëve!




