A do të zbresë Trojka në Tiranë?

0

Shkruan Zef Ndreka

– A do të jetë fundi i protestës apo fillimi i marrëveshjes?
Vendi ynë, duket se po hyn në një fazë të re të krizës politike.
Pas javësh e muajsh protestash, përplasjesh, zjarresh, dhune në rrugë dhe së fundmi tensioni edhe brenda Parlamentit, po shfaqet një fjalë që shqiptarët e kanë dëgjuar edhe në kriza të tjera politike, pra ndërmjetësimin ndërkombëtar.
Në media po flitet për një “Trojkë” të përbërë nga përfaqësimi diplomatik i SHBA-së, Bashkimit Europian dhe Gjermanisë. Sipas atyre qëkemi ndjekur deri mëtani, ajo synon të ndërmjetësojë një paketë politike për uljen e tensioneve dhe hapjen e dialogut. Madje janë hedhur në qarkullim skenarë për qeveri uniteti me Edi Ramën kryeministër, reformë zgjedhore, ndryshime institucionale dhe garanci për vazhdimësinë e institucioneve të drejtësisë.
Por deri tani nuk kemi parë asnjë dokument zyrtar të publikuar nga SHBA-ja, BE-ja apo Gjermania që të shpallë krijimin formal të kësaj Trojke dhe aq më pak, një marrëveshje të përfunduar.
Lind pyetja:
Çfarë do të vendosë Trojka, çfarë kompromisi mund të prodhojë ky ndërmjetësim ndërkombëtar nqs formalizohet?
Rama nuk duket se po jep dorëheqje, nuk duket se po largohet. Janë momente ku skenari i dorëheqjes së menjëhershme të Edi Ramës duket gjithnjë e më pak i mundshëm.
Është fakt se Rama ka refuzuar dorëheqjen dhe ka zgjedhur një strategji tjetër. Nga njëra anë forcimin e masave kundër dhunës, nga ana tjetër ftesën e përsëritur për dialog pa parakushte.
Kjo ka shumë rëndësi.
Sepse asnjë marrëveshje e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht vështirë se mund të fillojë me parimin që kryeministri duhet të ikë përpara se të ulemi në tavolinë.
Nëse ky do të ishte kushti, nuk do të kishim ndërmjetësim, por kapitullim të njërës palë, ose të qeverisë ose të protestës.
Prandaj mundësia më reale është që Rama të vazhdojë të jetë kryeministër, të paktën gjatë fazës së parë të një marrëveshjeje politike.
Por kjo nuk do të thotë pa tjetër vazhdim i qeverisjes sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Kriza mund ta detyrojë Ramën të pranojë ndryshime që deri dje nuk do ti konsideronte, si riformatim qeveritar, reformën zgjedhore, garancitë institucionale dhe një kalendar politik të negociuar.
Në këtë llogjikë, lind pyetja tjetër:
Po zgjedhjet e parakohshme?
Deri tani, nuk ka një vendim apo marrëveshje të konfirmuar për zgjedhje të parakohshme, madje disa informacione që kemi për paketën e mundshme ndërkombëtare, flasin për respektimin e rendit kushtetues dhe kundërshtimin e çdo zgjidhjeje të imponuar përmes dhunës.
Ky është arsyetimi më thelbësorë.
Nëse qeveria rrëzohet drejtpërdrejt si rezultat i djegies së institucioneve, molotovëve apo përplasjeve të rrugës, krijohet një precedent shumë i rrezikshëm.
Por ekziston edhe ana tjetër, që pas një krize të tillë, është e vështirë gjithçka të mbyllet me formulimin se protesta mbaroi, tsni vazhdojmë edhe tre vite si më parë.
Prandaj zgjedhjet do të mund të hyjnë në tavolinën e bisedimeve, jo si kapitullim i qeverisë, por si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë politike.
Zgjedhjet e parakohshme nuk do të mbahen neser, por ndoshta me një horizont të ri zgjedhor të negociuar.
Sot, problemi i madh është, kush e përfaqëson protestën? Sepse këtu fillon pjesa më e rëndësishme dhe interesante e krizës.
Me kë duhet të negociojë faktori ndërkombëtar?
Me Ramën pa tjetër, me opozitën parlamentare natyrisht pa tjetër.
Po me kë tjetër?
Kush i përfaqëson studentët?
Kush përfaqëson qytetarët që dolën kundër Ramës, por nuk duan Berishën?
Kush përfaqëson atë pjesë të protestës që kërkonte ndryshim të sistemit dhe jo thjesht rotacion PS–PD?
Sepse shumë kohë, protestat kanë treguar pikërisht këtë kontradiktë. Disa pjesëmarrës kanë deklaruar publikisht se kërkesa për largimin e Ramës nuk nënkupton mbështetje për opozitën ekzistuese.
Kjo e komplikon shumë tavolinën e marrëveshjeve.
Dhe këtu rikthehet pyetja që kam ngritur prej ditësh:
A u dorëzuan flamingot përballë PD-së, apo PD-ja vetëm u përpoq t’ua rrëmbente protestën?
Në fakt, nuk janë e njëjta gjë.
Po Berisha?
Ky mund të jetë problemi më i madh politik për Partinë Demokratike.
Nga raportimet mediatike për paketën e mundshme të “Trojkës” pretendohet se Sali Berisha është lënë jashtë fazës së parë të procesit.
Por, nëse rezulton e vërtetë, kemi një paradoks të jashtëzakonshëm.
Berisha mund të ketë investuar politikisht për ta marrë nën kontroll revoltën, ndërsa në momentin kur revolta kalon nga rruga tek tavolina, ai mund të mos jetë protagonisti kryesor i tavolinës.
Dhe këtu “dopio gjashta” që dukej se mbante në dorë mund të mos ketë më të njëjtën vlerë.
Në rrugë mund të fitosh protagonizëm me turmë, flakadanë dhe përplasje, por në tavolinën ndërkombëtare duhen legjitimitet, përfaqësim dhe aftësi për të garantuar një marrëveshje.
Sot kemi dy lojëra krejt të ndryshme.
Protesta nuk ka mbaruar dhe kjo duhet thënë shumë qartë. Protestat e kësaj jave kanë qenë kryesisht paqësore, por se një tjetër demonstratë ështe planifikuar për të shtunën. Por shohim që në të njëjtën kohë, konflikti u zhvendos edhe brenda Parlamentit, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe ndezën flakadanë.
Pra rruga nuk është boshatisur, por karakteri i protestës mund të ndryshojë.
Nëse ndërkombëtarët hapin realisht një kanal negociimi, çdo akt dhune nga ky moment mund të bëhet politikisht kundërproduktiv.
Kështu, kalojmë tek pyetja retorike:
Kush e rrëzon Ramën dhe kush e refuzon dialogun?
Mbase kjo është pyetja shumë më e vështirë për të gjitha palët.
Sot shohim spistimin gradual nga rruga tek tavolina. Në fakt në këtë pikë ndodhet sot Shqipëria. Ky nuk është fundi i krizës, por ndoshta fundi i fazës së parë të saj.
Faza e parë ishte rruga, flamingot, studentët, qytetarët, më pas partitë, molotovët, policia, dhuna dhe tentativa për ta marrë politikisht nën kontroll protestën.
Faza e dytë do të të jetë tavolina, ku nuk do të diskutohet vetëm fati i Edi Ramës, por edhe fati i opozitës, reformazgjedhore, drejtësia,
Do të diskutohet përfaqësimi i një brezi që thotë se nuk ndihet i përfaqësuar as nga qeveria, as nga opozita tradicionale.
Ndoshta, do të diskutohet edhe kalendari i ardhshëm elektoral.
Për ta thënë thjeshtë dhe qartë, ajo që parashikoj të ndodhë, nuk më duket as largimi i menjëhershëm i Ramës, as shuarja me forcë e protestës. Por do të kemi depërshkallëzim, ndërmjetësim, dialog, marrëveshje politike, reforma, e në fund një horizont i ri elektoral.
Rama mund të mbetet kryeministër por jo me të njëjtën liri politike që kishte përpara krizës.
Protesta mund të vazhdojë, por do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të justifikojë dhunën nëse ekziston një tavolinë reale dialogu.
PD-ja mund të vazhdojë aksionin e saj, por do ti duhet të provojë se përfaqëson pakënaqësinë qytetare dhe nuk po përpiqet thjesht ta përvetësojë atë.
Ndërsa studentëve dhe qytetarëve u del përpara sfida më e madhe që të prodhojnë përfaqësimin e tyre politik pa u tretur tek partitë që kundërshtuan.
Prandaj “Trojka”, nëse formalizohet, mund të mos vijë në Tiranë për të zgjedhur fituesin mes Ramës dhe Berishës.
Mund të vijë pikërisht për të mos lejuar që Shqipëria të mbetet peng i zgjedhjes mes tyre.
Kjo është pika ku kriza e sotme bëhet shumë më e madhe se protesta.
Marrëveshja e vërtetë nuk duhet të jetë se kush do të qeverisë nesër, por çfarë rregullash do të ketë Shqipëria pas kësaj krize.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu