Populli, paga dhe kryetari

0

Shkruan Prend Buzhala

Ese satirike

Gjithmonë kemi qenë një popull i varfër. Ani se ka pasur familje të mëdha bujare.
Kështu na kanë thënë. Kështu jemi mësuar ta përsërisim.
Varfëria ishte pjesë e historisë sonë, e përditshmërisë sonë, dhe, shpesh edhe e shpjegimit për gjithçka që nuk shkonte mirë.
Mirëpo, kishte edhe një sistem të thjeshtë që e mbante jetën në lëvizje. Siç e mban edhe tani.
I paguante kryetari. Si tash.
Nuk i paguante gjithmonë me para.
Ndonjëherë me një vend pune. Si tash.
Ndonjëherë me një favor.
Ndonjëherë me një premtim. O, Zot, edhe tash, krejt si atëherë!
1.
Tani mundësitë janë më të shumta: një telefonatë. Bën edhe një rekomandim. Një nënshkrim.
Kështu funksiononte ekonomia jonë e vogël dje e kështu krejtësisht edhe sot.
Dikush punonte.
Dikush priste.
Dhe dikush vendoste.
Për arsye se, kur shteti është i dobët dhe mundësitë janë të pakta, pushteti komunal bëhet një bankë shumë e veçantë. Aty nuk depozitohen para, por besnikëri.
Dhe interesi paguhet në mënyra të tjera.
Në fund, krijohet një rreth i çuditshëm: njerëzit mbeten të varfër, por sistemi mbetet i qëndrueshëm. Kjo është arsyeja pse varfëria e bën njeriun të varur dhe varësia e mban pushtetin në vend.
2.
E, po, në vend që të përballemi me vështirësitë, mbështetemi tek ai që i ka pushtetin dhe paratë dhe ai e përdor këtë pushtet për të kontrolluar gjithçka. Mbijetojmë jo për shkak të aftësive tona, por për shkak të mëshirës së atij që vendos rregullat. Dhe kur ai vendos për pagën, ajo është më shumë si një shaka e hidhur: ta kujton se varfëria jonë është e garantuar.
Kjo lojë e pushtetit dhe varfërisë është një teatër i përditshëm: ne, qytetarët, shikojmë dhe mësojmë të qeshim me absurdin. Për kryetarin, pagat janë një mënyrë për ta mbajtur popullin të “mirënjohur”, dhe për ne, secila ditë është një kujtesë e hidhur se të varfrit jetojnë me pak para… dhe me shumë ironi.
Jemi një popull i varfër, por kryetari është gjithmonë më i pasur me pushtet… dhe me aftësinë për të qeshur nga varfëria jonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu