Sovraniteti si çëshje karakteri kombëtar

0

Shkruan Zef Ndreka

Kryefjala e 30 e kusur vitëve në Shqipëri, për fat të keq tonin, ka mbetur korrupsioni.
Akuza, gjyqe, vrasje, grabitje, rrëmbim pronash, tjetërsim i tyre, këto pothuaj të gjitha janë të përditshme në këtë fazë tranzicioni.
Lind pyetja:
A do mundet realisht Shqipëria të bëhet shtet i vërtetë sovran dhe i pavarur nga korrupsioni?!
Kjo është një pyetje e dhimbshme, sepse nënkupton qartë, se sot sovraniteti ynë është i plagosur nga brenda.
Ta analizojmë këtë temë, por si fillim dua ta theksoj se Shqipëria mund të bëhet shtet realisht sovran dhe i çliruar nga korrupsioni. Por ky çlirim nuk do të arrij menjëherë si një mrekulli që zbret nga qielli, por vetëm si një proces i gjatë e mbase i dhimbshëm, që kërkon ndryshim kulture dhe jo vetëm ndryshim ligjesh.
Korrupsioni, si në çdo vend të botës, edhe në Shqipëri na bën jo plotësisht sovranë, sepse për një shtet nuk mjafton të jetë sovran vetëm se ka një flamur, një ushtri apo një qeveri.
Shteti i vërtetë sovran është vetëm kur ligji vlen dhe zbatohet njësoj si për ministrin, ashtu edhe për qytetarin e thjeshtë, kur vendimet merren për interesin publik e jo për interesa klienteliste, kur pasuria publike nuk kthehet në pronë private të pushtetit.
Por në Shqipëri prej 30 vitësh, korrupsioni është bërë sistem dhe ka përceptim se vendin nuk e drejton shteti, por rrjetet mirimanga të interesit. Kështu, sovraniteti rrezikohet të
zhvendoset nga institucionet qeverisëse tek grupet e padukshme të pushtetit.
Në këto kushte, problemi ynë nuk mbetët tek politikanët e këqinj, por tek rrënjët e thella të korrupsionit si kulturë tolerimi nga qytetarët. Në këtë sens, jemi vetë fajtor, sepse gjithnjë e nga të gjithë dëgjohet se sistemi “kështu funksionon”, se “pa mik nuk bëhet”, se “rëndësi ka të rregullojmë punën”!
Të gjitha këto e mbajnë gjallë sistemin e korruptuar, ku korrupsioni nuk jeton vetëm në zyra, por jeton dhe ushqehet në mentalitetin tonë.
Një arësye tjetër është shtet i dobët dhe pushtet i fortë, ku institucionet ndryshojnë sipas qeverive. Por shteti duhet të jetë më i fortë se politikanët, jo e kundërta.
Varfëria dhe pasiguri është tjetër faktor, sepse sot vërehet se qytetari mendon vetëm për mbijetesë duke neglizhuar parimet dhe në këto kondita, bëhet më lehtë i manipulueshëm.
Pra, pyetja vazhdon:
Si bëhet Shqipëria realisht sovrane?
Shqipëria bëhet sovrane duke iu larguar slloganëve. Për këtë duhet drejtësi që nuk trembet, dhe jo drejtësi me regji politike.
Duhën dënime reale për zyrtarë të lartë të korruptuar, sepse vetëm kur të paprekshmit bien, vetë sistemi fillon të dridhet.
Që Shqipëria të bëhet, kërkohet ndryshim brezi në mendësi. Shpresa, është pikërisht brezi që
nuk e pranon normalitetin e padrejtësisë, që nuk e sheh shtetin si plaçkë për ta shfrytëzuar.
Ky do të ishte një ndryshim i ngadaltë, por më i fortë se çdo reformë tjetër.
Po ashtu, kërkohet punë për edukimin qytetar jo vetëm nëpër shkolla. Qytetarët duhet të mësojnë fëmijët se çfarë është pasuri publike, se çfarë është përgjegjësi qytetare dhe pse ryshfeti është tradhti ndaj vetes dhe vendit.
Gjithashtu, kërkohet votë pa iluzione, duke mos
votuar më të fortët në vend të më të ndershmëve, sepse me dashje ushqejmë sistemin që ankohemi.
Kështu, korrupsioni bie vetëm kur
kostoja për ta bërë shtetin, bëhet më e madhe se përfitimi.
A ka shpresë reale për të bërë shtet?
Sigurisht që po, sepse historia na ka mësuar se
Shqipëria ka kaluar gjëra shumë më të rënda se korrupsioni. Historia jonë na ka treguar se populli kur lodhet vërtet, ndryshon epokë, por edhe se çdo brez është pak më pak i gatshëm ta pranojë këtë normalitet.
Shteti i pastër, pra sovran dhe pa korrupsion, nuk vjen asnjëherë si dhuratë, por fitohet si luftë e gjatë morale, jo vetëm politike.
Duhet ditur, se sovraniteti nuk është çështje kufijsh, por më tepër është çështje karakteri kombëtar.
Dhe kjo betejë nuk fitohet në parlament, por në ndërgjegjen e shoqërisë, deri sa një ditë, turpi për korrupsionin të bëhet më i madh se frika nga pushteti.
Vetëm atëhere, Shqipëria bëhet realisht e lirë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu