Koncesioni i sterilizimit, PPP-ja 76 milionë euro më e shtrenjtë në shëndetësi, nxori në dritë shkeljet e ish-zëvendësministrit Klodian Rrjepaj dhe çoi SPAK-un në një hetim të ndërlikuar që më pas preku edhe ish-ministrin Ilir Beqaj.
Fillimisht SPAK gjeti favorizime në procedurë për kompaninë që fitoi koncesionin, por gjyqtari Erion Bani kërkoi që hetimet të shtriheshin deri në nivel ministri. U zbulua se udhëtime të përbashkëta dhe lëvizje të dyshimta ngritën pikëpyetjet se kontrata ishte paracaktuar.
Ilir Beqaj u dërgua në gjykim fillimisht për shpërdorim detyre, ndërsa gjatë seancave akuza u rëndua në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Vendimi i GJKKO-s e ktheu këtë çështje në një precedent të rrezikshëm për politikën, pasi favorizimi procedural u konsiderua si sinjal i korrupsionit.
Por tronditja nuk ndodhi vetëm jashtë: për herë të parë u bë e qartë se brenda vetë SPAK-ut kishte përplasje. Altin Dumani dhe prokurori Kondili u konfliktuan për drejtimin e hetimit ndaj Beqajt – një palë kërkonte thellim, tjetra ngushtim të vijës hetimore.
Pak muaj më pas, ndërsa hetimet për sterilizimin vijonin, Beqaj u arrestua për një tjetër dosje: abuzim me fondet e BE-së. Sipas SPAK, sistemi SASPAC ishte kthyer në një skemë faturash të rreme dhe shpenzimesh fiktive.
Dosja tregoi një metodë të re pune: duke hetuar një çështje, përgjimet çuan drejt një skeme tjetër korrupsioni që po ndodhte paralelisht.








