Inxhinieri i ndërtimit, Romeo Nazarko, ka ngritur alarmin për sigurinë e tunelit të Llogarasë, pas akuzave se ndërtimi mund të jetë bërë pa hekur.
Në një intervistë në “News 24”, ai deklaroi se çdo vepër betoni, pa elementet metalike që e forcojnë, rrezikon shembjen.
Nazarko theksoi se hekuri është materiali kryesor që mban të bashkuar betonin dhe siguron rezistencën e tij ndaj presioneve. Sipas tij, nëse rezulton e vërtetë që kjo pjesë konstruktive mungon, atëherë tuneli mund të paraqesë rrezik serioz për përdoruesit.
“Nuk dua të them atë që di profesionalisht sepse i bie të përhap panik. Çdo lloj konstruksioni po nuk pati hekur, bie. Sado i trashë të jetë betoni, i vetmi element që lidh betonin është hekuri, nëse nuk ka hekur, sigurisht nuk dua ta them atë që ndodh teknikisht… Nëse janë të vërteta mesazhet që nuk ka hekur, ai do të bjerë. Por nëse ai tunel bie, ai zë brenda, avokatë, doktorë, inxhinierë juristë, fëmijët e mi, fëmijët e të gjithë shqiptarëve”, tha ai.
Pas një inspektimi në kantier në korrik të vitit 2022, përfaqësuesi grek i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në tunelin e Llogarasë mbeti i shokuar. Ai i shkroi i alarmuar kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi se punët po shkonin përditë e më keq me projektin.
“Evis…kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË…” i shkroi Ioannis Kirkinezis, përfaqësues i kompanisë “Hill International NV”, Berberit.
Në shumë episode të përshkruara në dosje, Kirkinezis ankohet për cilësinë e punimeve, për mungesën e projekteve apo “për neglizhencë” nga ana e nënkontraktorit./ Zoom.al








