Sot seanca plenare, në rend dite kërkesa për shkarkimin e Niko Peleshit dhe ngritja e komisioneve hetimore

0

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, e dyta brenda javës. Seanca e parë u zhvillua të hënën, ku raportuan drejtuesit e institucioneve të drejtësisë dhe u votua për ngritjen e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.

Në rendin e ditës së sotme, një nga çështjet kryesore është shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Opozita e akuzon atë për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit. Seanca për shqyrtimin e kësaj kërkese pritet të nisë në orën 10:00.

Gjatë ditës, Kuvendi do të zhvillojë dy seanca plenare. Në seancën e dytë, e cila parashikohet të nisë në orën 11:30, do të raportojnë për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024 drejtuesit e disa institucioneve të rëndësishme: Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Instituti i Statistikave, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Radiotelevizioni Shqiptar.
Në rend dite është gjithashtu shqyrtimi i dy kërkesave të Partisë Demokratike për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
Kërkesa e parë lidhet me ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.
Kërkesa e dytë ka të bëjë me krijimin e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së pushtetit qendror dhe vendor, si dhe për verifikimin e përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Në përfundim të seancës, pritet të miratohen edhe projekt-rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu