A do të ndryshoje sistemi politik në Shqipëri

0

Shkruan Zef Ndreka

Krijimi i një “dhome të lartë” do të jetë vendi ku do të vendosen figura të vjetra politike me mandat më të gjatë si mënyrë për t’i ruajtur.
Propozimi i kryesocialistit Rama për reduktimin e numrit të deputetëve dhe mbështetja hapur nga ana e kryedemokratit Berisha, sigurisht do të kishte pasoja të thella në sistemin politik shqiptar, si në aspektin institucional, ashtu edhe në balancën e pushteteve.
Ta analizojmë këtë propozim lidhur me numrin e deputetëve.
Sot Kuvendi ka 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional rajonal.
Nëse ky numër ulet p.sh. në 100 ose më pak, pasojat kryesore do ishin:
– përqendrimi i përfaqësimit politik ku partitë e mëdha do përfitonin më shumë mandate dhe partitë e vogla do ta kishin pothuaj të pamundur të hyjnë në Kuvend.
– më pak zëra rajonalë dhe disa zona ose komunitete të vogla do mbeteshin pa përfaqësim direkt.
– më shumë kontroll nga kryetarët e partive me më pak vende si PD dhe PS.
– listat do bëhen më të mbyllura dhe përzgjedhja më e centralizuar.
– kosto më e ulët financiare, por ndikim i vogël krahasuar me pasojat politike.
Lidhur me Senatin, një ndryshim i tillë do të nënkuptonte kalimin drejt një sistemi dy dhomash legjislative.
Dhoma e Ulët , pra Kuvendi aktual.
Dhoma e Lartë , ose Senati.
Në teori dhe praktikisht, Senati do të kishte funksione të tilla si rishikimi i ligjeve miratuar nga Kuvendi, përfaqësim i qarqeve, rajoneve, diasporës ose grupeve të interesit kombëtar, si dhe balancim të pushtetit mes ekzekutivit dhe legjislativit.
Pyetja themelore mbetët, a ndryshon sistemi politik?
Sigurisht që po dhe thelbësisht do ishte një ndryshim sistemi dhe njëhetësh kushtetues.
Kështu, Shqipëria do kalonte nga një sistem unitar parlamentar në një formë gjysmë federale dy dhomëshe.
Si rrjedhojë, roli i Presidentit, i Kryeministrit dhe i Kuvendit do të duhej rishkruar në Kushtetutë.
Po ashtu, balancat e pushteteve do ndryshonin dhe qeveria do duhej të llogariste dy institucione për miratimin e ligjeve, jo vetëm Kuvendin.
Pyetja tjetër e rëndësishme shtrohet, cilat janë motivet politike për këto ndryshime?!
Në plan politik, një propozim i tillë mund të ketë disa qëllime të fshehura, si kontroll më i lehtë i sistemit përmes një strukture më të vogël e më të centralizuar, krijimi i një “dhomë të lartë” ku të vendosen figura të vjetra politike me mandat më të gjatë si mënyrë për t’i ruajtur në sistem, si dhe riformatimi i sistemit në prag të një faze të re tranzicioni politik ose integrimi europian.
Krijimi i Senatit dhe reduktimi i deputetëve do ndryshonin rrënjësisht sistemin politik shqiptar nga mënyra si përfaqësohen qytetarët, te raporti mes pushteteve dhe qëndrueshmëria e demokracisë parlamentare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu