Shkruan Lutfi Dervishi
Për tre vrasjet me thikë sot që pasuan vrasjen e 17-vjeçarit në Vlorë, në orët e para të mëngjesit, për dy të vrarët për një kafe, për të vrarin për “dritat e gjata të makinës”, mos e kërkoni fajin te policia, as te shkolla, as te kultura dominuese e dhunës. Mos e kërkoni zgjidhjen te forcimi i ligjit! As te drejtësia. Ligji ndëshkon, por nuk parandalon.
Nuk kemi vetëm problemin e zbatimit të ligjit! Problemi është më i thellë. Nuk jemi të aftë për të menaxhuar mllefin, zhgënjimin, zemërimin dhe konfliktin pa e parë tjetrin si “objektiv që duhet asgjësuar”.
Zgjidhje ka, por jo të shpejtë. Edukimi.
Ky proces nuk nis në moshën 6-vjeçare, kur fëmija ulët në bankën e klasës parë, as kur përfundon në sallën e gjyqit. “Edukimi është proces i gjatë dhe i vështirë, ai nis 20 vite para se të lindë fëmija”.
Lipset një debat i sinqertë për mënyrën si rriten dhe edukohen prindërit e ardhshëm në familje, si trajtohet fjala në kafene, në rrugë, në media, në Parlament e në rrjete sociale dhe mbi të gjitha si të ngulitim në tru se jeta është e shenjtë!








