Angjelin Nënshati, fotografi shkodran që ju dha sfidës për të mundur harresën me kujtesën e pashpërbëshme të imazhit

0

Shkruan Albert Vataj

Në çdo qytet që ka ditur të ruajë veten, ekziston një sy që fikson kujtesën dhe një dorë që ia beson atë dritës të vetëtimtë të blicit. Për Shkodrën, qytetin ku fotografia nuk është vetëm zanat por trashëgimi, Angjelin Nënshati ishte një nga ata që bënë të mundur, që e shkuara të mos mbetej kurrë e verbër, por të kishte vendin e merituar në kujtesën e qytetit. Ai ishte aty për të kapur çastin, për ta kthyer në dëshmi, për ta bërë pjesë të një rrëfimi më të madh se individi, rrëfimit të qytetit, të familjes, të kombit. Pa të, shumë nga ato që ne sot kujtojmë do të ishin thjesht fjalë të humbur, momente përjetimi që u ngulitën në kujtesë por jo me të njëjtën forcë vërtetësie dhe pashpërbëshmërie sa në blicin e atyre shkrepjeve, pas së cilave qëndronte jo vetëm momenti me qasjen për të mbetur i përgjithmonshëm në ndërmendje, por edhe shpirti që thërret zërin e pamshmërisë të dëshmojë besnikërisht dhe pagabueshmërisht.

Angjelin Nenshati-Titulli mirenjohja e qyteti
Angjelin Nenshati-Titulli mirenjohja e qyteti

Angjelin Nënshati nuk ishte thjesht një fotograf i Shkodrës, por u bë syri i saj kolektiv, kujtesa vizuale e një qyteti që gjithnjë e ka ndier nevojën të ruajë përmes imazhit ritmet e jetës, ngjarjet e rëndësishme, gëzimet familjare, dhimbjet e përbashkëta dhe shenjat e kohëve që ndryshonin. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ai kujtohet si një prej personaliteteve më të përkushtuara të fotografisë shqiptare, që me punën dhe pasionin e tij e tejkaloi kufirin e një kohe për t’u bërë pjesë e gjithëkohësisë së kujtesës sonë kulturore.

I lindur më 12 shkurt 1929 në Shkodër, Nënshati kreu shkollimin fillor e të mesëm në qytetin e lindjes, fillimisht në Kolegjin Saverian dhe më pas në gjimnazin “28 Nëntori”. Dashuria e tij për fotografinë nisi herët, që në moshën 14-vjeçare, kur pati rastin fatlum t’i binte në dorë një aparat fotografik. Qysh atëherë, ai nisi të shihte botën jo vetëm me syrin e njeriut të zakonshëm, por me syrin e artistit që di ta ndalë kohën. Formimi i tij u përforcua pranë mjeshtrit Pjetër Rraboshta, i cili i dha bazat e punës laboratorike dhe i hapi një horizont të ri profesional.

Fototekës Marubi në vitin 1970, ku pozojnë së bashku fotografët (nga majtas) Dedë Jakova, Shan Pici, Gegë Marubi, Pjetër Rraboshta dhe Angjelin Nenshati.
Fototekës Marubi në vitin 1970, ku pozojnë së bashku fotografët (nga majtas) Dedë Jakova, Shan Pici, Gegë Marubi, Pjetër Rraboshta dhe Angjelin Nenshati.

Nga viti 1948 deri më 1957, për arsye të rrethanave politike dhe bindjeve të tij demokratike e fetare, punoi si arsimtar në Pukë e Shkodër, por asnjëherë nuk u shkëput nga pasioni i fotografisë. Pikërisht në Pukë, ai ngriti laboratorin e parë fotografik, duke i dhënë jetë një hapësire ku arti dhe mjeshtëria u ndërthurën natyrshëm.

Fotografi shkodran, Angjelin Nënshati (12 shkurt 1929 - 13 shtator 2005) – Albert Vataj
Fotografi shkodran, Angjelin Nënshati (12 shkurt 1929 – 13 shtator 2005) – Albert Vataj

Pas vitit 1958, kur fotografia u shtetëzua, Nënshati u bë pjesë e kooperativës shtetërore të fotografëve, ku do të kontribuonte deri në vitin 1989. Me një punë të palodhur dhe një sy gjithmonë të vëmendshëm, ai shndërroi aparatin fotografik në mjet dokumentimi historik, duke ndjekur nga afër çdo ngjarje të qytetit, çdo aktivitet shoqëror, kulturor dhe politik, çdo ceremoni fetare apo familjare. Aktiviteti i tij ishte më shumë jashtë studios sesa brenda saj, duke e afruar gjithnjë me jetën e gjallë të komunitetit.

Gege Marubi, Angjelin Nenshati,Refik Veseli
Gege Marubi, Angjelin Nenshati,Refik Veseli

Në vitet ’70, bashkë me Gegë Marubin, ai dhuroi fondin e tij fotografik, i cili sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Ky fond, i pasuruar më tej prej tij, përmban mbi 228.000 imazhe të realizuara kryesisht në film 24x36mm, një thesar i paçmuar që mbart në vete kujtesën gjysmë shekulli.

Nënshati ishte dëshmitar i shumë kthesave të mëdha historike. Me aparatin e tij dokumentoi lëvizjet demokratike të fillimviteve ’90, rihapjen e kishave dhe xhamive, rikthimin e kremtimeve fetare, dhe momente që i dhanë Shqipërisë shpresë pas një periudhe të gjatë izolimi. Në vitin 1993, syri i tij i pavetëdijshëm për madhështinë, por i ndjeshëm ndaj historisë, fiksoi vizitën e Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezës në Shqipëri, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kohës së re.

Pistull, 1992. Autori i fotos asht i ndjemi Mjeshtër shkodran, Angjelin Nenshati. Në oborr të Kishës, kur besimi tashmá asht k'ndellë mbas dimnit të gjatë (1967-1990). Në këtë kishë, janë pagëzue 2 meshtarë, të lemë në këtë katund: vllaznit, At Kostandini (1916) e Fra Shtjefen Pistulli (1922) në fillimin e shekullit '20. Kurse Imzot Simon Kulli e Dom Marjan Lumçi e kanë marrë sakramentin e pagëzimit prej Moter Marije Kaletës, kur besimi qe i ndalun e kisha e mbyllun. Edhe unë jam pagëzue e krezmue në këtë kishë. Foton që mua më erdhi si dhuratë, po e bashkëndaj, së pari me pistullorët, kudo ku janë.
Pistull, 1992.
Autori i fotos asht i ndjemi Mjeshtër shkodran, Angjelin Nenshati. Në oborr të Kishës, kur besimi tashmá asht k’ndellë mbas dimnit të gjatë (1967-1990). Në këtë kishë, janë pagëzue 2 meshtarë, të lemë në këtë katund: vllaznit, At Kostandini (1916) e
Fra Shtjefen Pistulli (1922) në fillimin e shekullit ’20. Kurse Imzot Simon Kulli
e Dom Marjan Lumçi e kanë marrë sakramentin e pagëzimit prej Moter Marije Kaletës, kur besimi qe i ndalun e kisha e mbyllun. Edhe unë jam pagëzue e krezmue në këtë kishë.
Foton që mua më erdhi si dhuratë, po e bashkëndaj, së pari me pistullorët, kudo ku janë.

Më 1996, së bashku me djemtë e tij, ai hapi studion fotografike “Nënshati”, duke i dhënë vazhdimësi një tradite që nuk u ndërpre asnjëherë. Krahas fondit të ruajtur në arkivat shtetërore, familja e tij zotëron një koleksion të pasur fotografish me ngjyra, që plotësojnë tablonë e një vepre monumentale.

Edhe pse nuk iu dha ndonjë titull i madh zyrtar, Angjelin Nënshati mbetet mjeshtër i vërtetë, një figurë që Shkodra dhe Shqipëria e kanë nderuar me vetë përjetësimin e veprës së tij. Ai është një faqe e gjallë në historinë e fotografisë sonë, një dëshmi e palëkundur e faktit se fotografia nuk është vetëm art, por edhe kujtesë, identitet dhe përjetim.

Fotografi nga Paul PalushiNë foto Leon Nenshati, Mikel Prennushi, Michel Setboun dhe Angjelin Nenshati te rrënojat e Kishës së Zojës, 1991
Fotografi nga Paul Palushi
Në foto Leon Nenshati, Mikel Prennushi, Michel Setboun dhe Angjelin Nenshati te rrënojat e Kishës së Zojës, 1991

Më 13 shtator 2005, Angjelin Nënshati u nda nga jeta. Por fotografitë e tij vazhdojnë të flasin, të na rikthejnë te çastet e humbura, të na mësojnë se kohën mund ta sfidosh vetëm duke e ndalur brenda një imazhi. Për këtë arsye, ai mbetet i pavdekshëm, jo vetëm në celuloidin e mbushur me mijëra momente, por edhe në shpirtin e një qyteti që e konsideron si një prej kujtesëtarëve të tij më të mëdhenj.

Kole Gjoni, Lin Simoni, Angjelin Nenshati, Nazmi Kryeziu, Buto Smaja, Mico Papadhopulli Prenke Jakova, Asim Mujaxhi, Loro Boriçi, Panajot Pano, Jonuz Teli, e..?anni 66 - 67 foto Ded Jakova
Kole Gjoni, Lin Simoni, Angjelin Nenshati, Nazmi Kryeziu, Buto Smaja, Mico Papadhopulli Prenke Jakova, Asim Mujaxhi, Loro Boriçi, Panajot Pano, Jonuz Teli, e..?
anni 66 – 67 foto Ded Jakova

Ka njerëz që shkojnë, por lënë pas gjurmë të padukshme. Ka të tjerë, si Angjelin Nënshati, që lënë pas gjurmë të dukshme, të prekshme, të pavdekshme. Në secilën prej fotografive të tij gjendet një copëz kohe e bërë e përjetshme, një çast që nuk do të mund të përsëritet kurrë, por që falë tij nuk humbi. Ai nuk ishte vetëm një mjeshtër i objektivit, por edhe një dëshmitar i ndershëm i jetës, një njeri që dinte t’i jepte fytyrë historisë përmes artit të thjeshtë e të madh të fotografisë.

Nëse Shkodra ka sot një kujtesë vizuale kaq të pasur, është sepse Angjelin Nënshati jetoi me bindjen se imazhi është më i fortë se harresa. Dhe kjo e bën atë një emër që nuk shuhet kurrë.

Intervistë e Angjelin Nenshatit me fotografin Sten Sherer publikuar në librin e tij “Long Life to Your Children: A Portrait of High Albania” (1997)

“Unë quhem Angjelin Nenshati. Punoja si fotograf dhe kjo ka qenë edhe një ndër gjërat më të vështira të jetës sime sepse nuk isha i lirë të praktikoja. Kam bërë gjithmonë fotografi, por nuk kam qenë i lirë sepse na tregonin se çfarë duhet të bënim. Ekziston një fotomontazh përmes të cilit përpiqem të përshkruaj jetën e shqiptarëve. Tema ishte “Po ndërtojmë socializmin me pushkën në njërën dorë e kazmën në tjetrën”. Duhet të punonim me kazëm për të ndërtuar socializmin, për të luftuar me pushkë për të mbrojtur vendin tonë nga kapitalistët dhe revizionistët që na rrethonin. Nuk mund të krijonim asgjë. Shfrytëzoheshim sikur të ishim mjete.
Në varrezat katolike të Shkodrës, në Rrmaj,Fotografia © Angjelin Nenshati
Në varrezat katolike të Shkodrës, në Rrmaj,Fotografia © Angjelin Nenshati
Të gjithë njerëzit që burgoseshin ishin të shkolluar: shkrimtarë, poetë që kishin studjuar në universitetet më të mira europiane. Për këtë arsye ata sot konsiderohen si Martirë të Demokracisë. Kjo është një fotografi e Shkodrës. E kam bërë për Profesor Arshi Pipën, për t’ja shuar sadopak mallin e qytetit. Që nga viti 1945 ky qytet ka kaluar shumë vuajtje. Qyteti ishte objektivi i sulmit komunist. Motoja e Enver Hoxhës ishte lufta kundër çdo lloj forme reagimi kundrejt regjimit. Siç mund ta shikoni në këtë fotografi, slogani thoshte “Të luftojmë kundër reaksionit”. Rrjedhojat e kësaj lufte ishin masakrat, varfëria, shkatërrimi i kishave dhe njerëz të braktisur në një mjerim të tillë që nuk i lejonte as të ushqeheshin. Po ashtu, shumë gjyqe dhe ekzekutime të atyre që konsideroheshin si “tradhëtarë”.
Angjelin Nenshati, Mesha e parë, 11.11.1990
Angjelin Nenshati, Mesha e parë, 11.11.1990
Sot kushdo mund të bëjë çfarë të dojë. Prandaj ju mund të shikoni këto fotografi që unë nuk do të kisha guxuar t’i shkrepja në atë kohë.
16 nëntor 1990 - 16 nëntor 2015Si sot 25 vite më parë përkujtohet rihapja e dyerve të Xhamisë së Plumbit në Shkodër. Dita kur rinia dhe qytetaria shkodrane, me besimin e të parëve në zemër dhe përuljen ndaj Zotit, rihapi dyert e Xhamisë së Plumbit duke rihapur njëherësh dyert e shpresës dhe optimizmit për mbarë Shqipërinë.

Fotografia © Angjelin Nenshati, 16.11.1990
16 nëntor 1990 – 16 nëntor 2015
Si sot 25 vite më parë përkujtohet rihapja e dyerve të Xhamisë së Plumbit në Shkodër. Dita kur rinia dhe qytetaria shkodrane, me besimin e të parëve në zemër dhe përuljen ndaj Zotit, rihapi dyert e Xhamisë së Plumbit duke rihapur njëherësh dyert e shpresës dhe optimizmit për mbarë Shqipërinë.
Fotografia © Angjelin Nenshati, 16.11.1990
Angjelin Nenshati, Manifestim në ditën e pionerëve, film rul, 24x36mm, 1971
“Në thelbin e fotografisë së tij, mbetet ngjarja të cilën ai e ndjek me interesin dhe me syrin e reporterit të mirëfilltë dhe të vëmendshëm. Për asnjë moment tek ai nuk ndihet vlerësimi i autorit ndaj asaj që po pasqyron – qofshin ato momente që i përkasin manifestimeve rinore, aksioneve vullnetare, propagandës së kohës, apo thjesht çastet e jetës së përditshme.”
© Angjelin Nenshati, Manifestim në ditën e pionerëve, film rul, 24x36mm, 1971
Muzeu Marubi, Angjelin Nenshati, Zhvillimi i kampionatit lokal të notit në fshatin Zogaj, 1975
Muzeu Marubi, Angjelin Nenshati, Zhvillimi i kampionatit lokal të notit në fshatin Zogaj, 1975

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu