Shkruan Beqir SINA, New York
Si gazetar shqiptaro-amerikan, ndjej përgjegjësinë të ngre zërin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të denoncuar shkeljet e rënda të lirisë së medias në Shqipëri. Pasi këto veprime janë veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh rolin kritik të medias së lirë në një demokraci Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe aspirata e saj si kandidate për në Bashkimin Evropian.
Veprimet e fundit të policisë së shtetit shqiptar ndaj Televizionit News24, si dhe mediave të tjera si Panorama, BalkanWeb dhe Gazeta Shqiptare, të raportuara më 9 gusht 2025, përbëjnë një precedent alarmant.
Sipas burimeve nga Tirana, operacioni i drejtuar nga Ardi Veliu, ish-drejtor i Policisë së Shtetit dhe tani drejtues i kompanisë private “KAYO”, u krye pa paralajmërim dhe pa vendim gjykate. Policia thuhet se i rrethoi ambientet e këtyre mediave, pengoi gazetarët në kryerjen e detyrave të tyre dhe ndërpreu energjinë elektrike për të paralizuar transmetimet.
Këto veprime shkelin hapur Nenin 22 të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili garanton lirinë e shprehjes dhe ndalon censurën paraprake të mediave.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe rrjeti SafeJournalists kanë dënuar këto akte si shkelje flagrante të parimeve demokratike, duke bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre ndërhyrjeve.
Si gazetar, i bashkohem kësaj thirrjeje dhe shpreh shqetësimin tim të thellë për përqendrimin e medias në duart e pak pronarëve, një tendencë që, e kombinuar me sulme të tilla si bllokimi i News24, rrezikon pluralizmin dhe pavarësinë e medias.
Kjo situatë krijon një mjedis ku zërat kritikë mund të shtypen lehtësisht.
Për më tepër, drafti i propozuar i Kodit të ri Penal shton një tjetër shtresë shqetësuese. Dispozitat e tij mund të nxisin censurën dhe të kufizojnë lirinë e shprehjes, duke vënë në rrezik punën e gazetarëve dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
Këto zhvillime janë një sinjal i qartë i rrëshqitjes së Shqipërisë drejt një autoritarizmi të maskuar si “diktaturë e mendafshtë”, siç sugjeron edhe fitorja e 11 majit me “kusht” e Kryeministrit Edi Rama dhe pushteti i tij absolut (83+3 mandate).
Veprime të tilla, të kombinuara me ndërhyrje të tjera si ato të IKMT-së në Theth apo shkatërrimi i ndërtimeve në qytete, pasqyrojnë një model më të gjerë të abuzimit me pushtetin shtetëror, që kërcënon jo vetëm median, por edhe të drejtat civile në përgjithësi.
Si gazetar shqiptaro-amerikan, i drejtohem Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me seli në Nju Jork dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, si ato të OKB-së për mbrojtjen e gazetarëve, për të ndërhyrë urgjentisht.
CPJ dhe organizata të ngjashme kanë një histori të fortë në monitorimin dhe denoncimin e shkeljeve të lirisë së medias globalisht. Andaj i bëj thirrje CPJ-së të dënojë këto veprime dhe të kërkojë lirimin e menjëhershëm të hapësirave të mediave të bllokuara, si dhe garantimin e aksesit të gazetarëve në vendet e tyre të punës.
Po ashtu, u bëj thirrje këtyre organizatave të monitorojnë draftin e Kodit Penal, i cili mund të ketë pasoja afatgjata për demokracinë në Shqipëri.
Në këtë moment kritik, i bëj thirrje edhe kolegëve të mi në SHBA dhe diasporës shqiptare kudo të bashkohemi për të mobilizuar mbështetje ndërkombëtare dhe për të treguar solidaritet me gazetarët në Shqipëri.
Pasi jemi ne në botën e civilizuar që kemi mundësinë të krijojmë një platformë të fuqishme për të ndalur rrëshqitjen e vendit tonë drejt autoritarizmit. Bllokimi i News24 dhe sulmet ndaj mediave të tjera nuk janë thjesht një çështje e një mosmarrëveshjeje pronësie, por një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit dhe një shenjë e rrezikshme e një “narkodiktature” në formim nën “sundimin” e këtij kryeministri.
Le të ngremë zërin bashkërisht për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë e medias në Shqipëri! sa nuk është vonë.
Sepse kështu e humbi lirinë e saj Shqipëria 80 vjet më parë kur baballarët e këtyre të sotëm e morën pushtetin më 1944.